
Fjalimi i tij ishte një kolazh i arritjeve të pretenduara personale, një rikthim i “greatest hits” të tij gjatë nëntë muajve të parë të mandatit të dytë...
Në vend të një fjalimi të strukturuar dhe diplomatik, ai u paraqit me tone sfiduese, kritika të drejtpërdrejta dhe një stil që më shumë ngjante me një miting populist sesa me një deklaratë presidenciale në skenën ndërkombëtare.
Që në hyrje të fjalimit, presidenti amerikan Donald Trump u ankua se promteri nuk punonte dhe ashensori ishte bllokuar dhe më pas filloi të sulmonte problemet që OKB-ja përpiqet të menaxhojë në mënyrë të përbashkët: emigracionin dhe ndryshimet klimatike.
“Nuk më intereson fare, unë jam këtu për të thënë të vërtetën”, tha ai, me një ton sfidues dhe të çliruar nga çdo ndjeshmëri diplomatike.
Trump zgjodhi të injorojë faktin se OKB është thjesht shuma e vendeve anëtare, një organizëm që funksionon mbi konsensusin, i kufizuar nga vetot dhe pa pushtet për të imponuar politika.
Në vend të kësaj, ai u ankua që OKB “nuk e kishte falënderuar kurrë” për luftërat që pretendon se ka ndalur. “As një telefonatë nuk mora,” tha ai.
Fjalimi i tij ishte një kolazh i arritjeve të pretenduara personale, një rikthim i “greatest hits” të tij gjatë nëntë muajve të parë të mandatit të dytë.
Trump deklaroi se kishte zgjidhur çështjen e emigracionit në SHBA, ndërsa shtetet që ai kishte përballë në sallën e OKB-së, sipas tij, “po lejojnë që emigracioni i paligjshëm t’i shkatërrojë”.
“Duhet të bëni diçka. Europa është në rrezik serioz, e pushtuar nga emigrantë të paligjshëm”, tha ai.
Ai e di mirë që kjo gjuhë rezonon jo vetëm në Amerikë, por edhe përtej Atlantikut, në vende me sfida migracioni dhe polarizim politik.
Fjalimi i Trump tentoi të prekë sa më shumë “butona”, por nuk kishte një temë qendrore të qartë.
Shumë prisnin që ai të përqendrohej në sfidat gjeopolitike madhore, Ukrainën dhe Gazën, por ai nuk e bëri.
Për luftën në Ukrainë, pranoi se kishte nënvlerësuar vështirësinë për të arritur paqen, por fajin e hodhi tek Europa:
“Po e financojnë luftën kundër vetes së tyre”, tha ai, duke kritikuar vazhdimin e blerjes së energjisë nga Rusia.
Për Gazën, Trump kritikoi ashpër vendimin e disa shteteve perëndimore për njohjen e shtetit palestinez, por nuk ofroi asnjë mbështetje konkrete për Izraelin në planet për aneksimin e Bregut Perëndimor.
Pas kësaj, u kthye sërish tek emigracioni.
“Shikoni Londrën. Një kryebashkiak i tmerrshëm, tani duan të aplikojnë Ligjin e Sheriatit”. (Një pretendim pa bazë reale).
Më pas vijoi: “Jam shumë i mirë në këto punë. Vendet tuaja po shkojnë në ferr.”
Dhe pastaj, pa ndonjë kalim logjik, sulmoi ndryshimet klimatike: “Gënjeshtra më e madhe që i është bërë ndonjëherë botës… gjurma e karbonit është një mashtrim… parashikimet janë bërë nga njerëz budallenj”.
Përtej toneve bombastike dhe deklaratave të mëdha, nuk pati asnjë lajm konkret të ri nga fjalimi i tij. Ishte një gjuhë e njohur, një stil i njohur, nga një president që në mandatin e dytë ndjehet shumë më komod të thotë çfarë të dojë, pa filtra dhe pa frikë nga pasojat. “Kam pasur gjithmonë të drejtë për gjithçka”, deklaroi ai në fund. /Përshtati “Pamfleti” nga “Sky News”
Lini një Përgjigje