Pas humbjes zgjedhore, sistemi i ndërtuar prej tij nis të shpërbëhet, ndërsa ai nuk shfaq pendesë publike
Viktor Orban ndodhet përballë rrënojave të projektit të tij politik. Sistemi që ai ndërtoi gjatë viteve po fillon të shpërbëhet, ndërsa e ardhmja e tij politike dhe personale mbetet e pasigurt. Ai vazhdon ta shohë veten si udhëheqës të “kampit kombëtar”.
Kur Orban humbi për herë të parë pushtetin në vitin 2002, ai përjetoi një krizë të thellë personale. Atëherë, humbjen e ngushtë e komentoi me fjalët: “atdheu nuk mund të jetë në opozitë!”.
Sipas këtij këndvështrimi, vetëm ai dhe partia e tij mund të përfaqësojnë interesat e kombit hungarez. Kjo ide u rrënjos thellë në opinionin publik.
Kjo përvojë e shtyu Orbánin që, pas rikthimit në pushtet në vitin 2010 me shumicë dy të tretash, të ndërtojë “rendin e bashkëpunimit kombëtar” (NER), me synimin për të shmangur një humbje të ngjashme në të ardhmen. Ai ndryshoi sistemin zgjedhor në favor të partisë së tij Fides, ndërtoi një rrjet klientelist, një aparat mbikëqyrjeje dhe një makineri të fuqishme propagandistike. Ky sistem e ndihmoi të qëndronte në pushtet për 16 vite, thuhet në një analizë të Deutsche Welle.
Për këtë arsye, humbja e fundit zgjedhore ishte e paimagjinueshme për të deri në natën e zgjedhjeve të 12 prillit. Megjithatë, rezultati ishte aq i rëndë saqë Orbán, ndryshe nga reagimi i tij 24 vite më parë, fillimisht mbeti pothuajse pa fjalë dhe u shfaq i tronditur.
Ai u tërhoq për disa ditë nga jeta publike. Më pas, në një intervistë për kanalin në YouTube “Patriota”, foli për “dhimbje dhe boshllëk”, duke paralajmëruar njëkohësisht “rezistencë ndaj shkatërrimit të asaj që kemi ndërtuar”. Si gabim të qeverisë së tij përmendi vetëm mosrealizimin e zgjerimit të centralit bërthamor Paksh, të planifikuar me ndihmën e Rusisë.
Në Hungari, opinioni publik po shtron pyetje mbi të ardhmen e tij dhe të sistemit që ai ndërtoi: a do të mbetet në politikë, a ka përfunduar karriera e tij, dhe çfarë do të ndodhë me partinë Fides dhe rrjetin e interesave të lidhura me të.
Pas 16 vitesh në pushtet, shumë qytetarë ndihen të çliruar dhe kërkojnë ndryshim. Megjithatë, Orbán nuk ka shfaqur pendesë dhe nuk ka pranuar përgjegjësi për akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Ai ka hequr dorë nga mandati i deputetit, por nuk ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Fides, duke deklaruar se është “i gatshëm për komunitetin” nëse i kërkohet. Vendimi për këtë pritet të merret në kongresin e partisë në qershor.
Analistët theksojnë se Fides është thellësisht e lidhur me figurën e tij: pa Orbánin, partia rrezikon të shpërbëhet; me të, mbetet e identifikuar si një strukturë e kritikuar për autoritarizëm dhe korrupsion.
Ndërkohë, ai duket se po pret zhvillimet përpara se të marrë vendime për të ardhmen. Skenarë si largimi në SHBA për azil konsiderohen pak të mundshëm, pasi do të dëmtonin rëndë trashëgiminë e tij politike dhe interesat familjare.
Familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij zotërojnë pasuri të konsiderueshme, ndërsa raportime të fundit flasin për lëvizje të dyshimta financiare mes oligarkëve të lidhur me të, megjithëse pa prova të konfirmuara.
Brenda Fides, reagimet ndaj humbjes janë të ndryshme, por deri tani mungon një analizë që të përmendë drejtpërdrejt korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin si faktorë kryesorë të disfatës.
Lini një Përgjigje