Ukraina dhe SHBA nisin bisedimet në Zvicër për konturet e një marrëveshjeje paqeje, hyn në lojë edhe Europa...
Diplomacia ndërkombëtare për konfliktin në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re intensive. Kievi dhe Uashingtoni pritet të zhvillojnë konsultime të nivelit të lartë në Zvicër, të fokusuar tek parametrat e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Udhëheqësia ukrainase ka miratuar tashmë përbërjen e delegacionit dhe instruksionet e negociatave, duke sinjalizuar se procesi po merr një formë më të strukturuar.
Ndërkohë, kryeqytetet evropiane shprehin shqetësime serioze për planin paraprak të hartuar nga SHBA dhe Rusia, duke paralajmëruar se çdo kufizim i kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës do ta linte vendin të pambrojtur ndaj agresionit të ardhshëm.
Liderët europianë theksojnë se kufijtë e Ukrainës nuk janë objekt negocimi dhe çdo element që prek BE-në apo NATO-n kërkon miratimin formal të vendeve anëtare. Polonia, në mënyrë të veçantë, ka paralajmëruar se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje ku nuk është pjesë e drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Në këtë klimë diplomatike, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe do të takohen nesër në Gjenevë me përfaqësues të BE-së, SHBA-së dhe Ukrainës, ndërsa të hënën pritet një takim i posaçëm i 27 liderëve të BE-së në kornizën e samitit BE–Afrikë në Luanda, ku do të diskutohet propozimi amerikan-rus.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ndërhyrë gjithashtu fuqishëm në debat, duke i bërë të qartë Donald Trump-it se Evropa nuk do të lejojë që paqja të negociohet pa praninë dhe interesat e saj. Ai rikujtoi rrezikun strategjik për kontinentin nëse Ukraina do të rrëzohej, si dhe precedentët e rrezikshëm të shkeljes së Memorandumit të Budapestit nga Rusia.
Lëvizjet e sinkronizuara diplomatike tregojnë se Perëndimi po përpiqet të ruajë unitetin përballë presionit për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, ndërsa Ukraina kërkon garanci reale sigurie dhe respektim të integritetit të saj territorial. /Pamfleti
Lini një Përgjigje