Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të shpallur këtë javë në Uashington, incidentet ushtarake në kufirin Izrael-Liban vazhdojnë të shkaktojnë viktima...
Të paktën pesë ushtarë kanë humbur jetën, ndërsa përplasjet mes Libanit dhe Izraelit vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të shpallur këtë javë në Uashington.
Mbrëmjen e së shtunës, tre pjesëtarë të forcave të armatosura libaneze, dy oficerë dhe një ushtar u vranë, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se edhe dy ushtarë izraelitë humbën jetën.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dënoi atë që e cilësoi si “shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar të Libanit dhe të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas tij, këto veprime vënë në pikëpyetje përpjekjet e Bejrutit dhe Uashingtonit për t’i dhënë fund sulmeve të vazhdueshme izraelite, të cilat, sipas tij, mbeten pa pasoja.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një automjet që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë drejt forcave të saj në një zonë operative pranë Tebnit, ku vepron edhe Hezbollah-u.
“Ne goditëm organizatën terroriste Hezbollah dhe jo ushtrinë libaneze”, tha IDF në një deklaratë, duke shtuar se incidenti po hetohet.
Hezbollah-u e cilësoi sulmin si një “krim të rëndë” dhe si pasojë të asaj që e përshkroi si neglizhencë të autoriteteve ndaj sovranitetit kombëtar dhe jetës së qytetarëve. Lëvizja shiite akuzoi gjithashtu qeverinë për “nënshtrim të plotë” ndaj kërkesave të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e dy ushtarakëve të saj, një kapiteni dhe një rreshteri. Kapiteni, 23 vjeç, ndërroi jetë të shtunën si pasojë e plagëve të marra gjatë luftimeve në jug të Libanit, ndërsa rreshteri u vra një ditë më parë.
Të mërkurën, pas një raundi të ri negociatash mes qeverive të Libanit dhe Izraelit, të zhvilluara në Uashington nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, palët njoftuan një marrëveshje të re armëpushimi.
Marrëveshja, të cilën Hezbollah-u e kundërshton, parashikon ndërprerjen e luftimeve me kusht që lëvizja shiite të ndalojë plotësisht aktivitetet e saj ushtarake. Ajo gjithashtu lejon vazhdimin e sulmeve dhe operacioneve të IDF-së në jug të Libanit.
Lini një Përgjigje