TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2026, 12:30

Parada e 14 korrikut në Francë, Macron mesazh Europës: Kemi dy sfida të mëdha përpara

Shkruar nga Pamfleti
Parada e 14 korrikut në Francë, Macron mesazh Europës: Kemi dy
Presidenti francez Emmanuel Macron

Franca ka shënuar festën kombëtare të 14 korrikut me paradën tradicionale ushtarake në Champs-Élysées dhe një spektakël madhështor fishekzjarresh në Kullën Eiffel, kushtuar edhe 70-vjetorit të binjakëzimit mes Parisit dhe Romës.

Presidenti francez Emmanuel Macron shfrytëzoi ceremoninë për të përcjellë një mesazh për një “zgjim strategjik” të Europës përballë sfidave të sigurisë. Kjo ishte parada e dhjetë dhe e fundit që ai drejton si president përpara përfundimit të mandatit në vitin 2027.

Në paradën morën pjesë 6 686 ushtarë, mes tyre 500 pjesëtarë të Koalicionit të Vullnetarëve dhe 25 ushtarë ukrainas. Në tribunat zyrtare ishin liderë të shumtë europianë, mes tyre presidenti italian Sergio Mattarella, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez.

Parada e këtij viti u zgjerua ndjeshëm, me rreth 30% më shumë mjete ushtarake dhe avionë krahasuar me vitet e mëparshme. Për herë të parë, avionët dhe helikopterët fluturuan mbi kolonat e tankeve për të simuluar skenarë të fushëbetejës, duke shfaqur atë që autoritetet franceze e cilësuan si një “ushtri të modernizuar”. Franca ka dyfishuar buxhetin e saj ushtarak gjatë periudhës 2017-2026.

Spektakël i veçantë për Parisin dhe Romën

Fishekzjarret në Kullën Eiffel u shoqëruan me një shfaqje speciale të titulluar “Paris-Romë”, në nder të marrëdhënies 70-vjeçare mes dy kryeqyteteve europiane.

Binjakëzimi mes Parisit dhe Romës u vendos më 30 janar 1956, pak më shumë se një vit përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës, një moment ky i rëndësishëm në procesin e ndërtimit europian pas Luftës së Dytë Botërore.

Spektakli artistik paraqiti ndërthurjen e simboleve dhe monumenteve të dy qyteteve, duke nxjerrë në pah lidhjen mes kulturës, trashëgimisë dhe identitetit europian. Shfaqja u shoqërua edhe me këngën “La Dolce Vita” nga Fedez, Tananai dhe Mara Sattei.

Macron: Europa duhet të jetë gati të mbrojë vlerat e saj

Në fjalimin tradicional përpara forcave të armatosura, Macron deklaroi se Europa është e gatshme të mbrojë lirinë dhe ligjin, edhe nëse kjo kërkon sakrifica të mëdha.

“Europa po bëhet një fuqi e angazhuar për paqen, por e gatshme të luftojë për vlerat e saj”, u shpreh presidenti francez.

Ministrja e Mbrojtjes Catherine Vautrin tha se rritja e buxhetit ushtarak i lejon Francës të përballet me kërcënimet në rritje, pavarësisht kufizimeve financiare. Parlamenti francez miratoi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për periudhën 2024-2030, duke e çuar fondin në 436 miliardë euro nga 400 miliardë euro që ishte parashikuar fillimisht.

Aleatët e mbledhur në Paris u zotuan gjithashtu të vazhdojnë mbështetjen ushtarake, financiare dhe civile për Ukrainën, duke rritur njëkohësisht presionin ekonomik ndaj Rusisë.

10-vjetori i sulmit terrorist në Nicë

Festimet e 14 korrikut u zhvilluan edhe në kujtim të viktimave të sulmit terrorist në Nicë, ku më 14 korrik 2016 humbën jetën 86 persona dhe mbi 400 të tjerë u plagosën në shëtitoren “Promenade des Anglais”.

Në nderim të viktimave, fishekzjarret tradicionale në Kullën Eiffel u zhvendosën më 13 korrik, ndërsa në Nicë 86 rreze drite ndriçuan qiellin në kujtim të të vrarëve.

macron mesazh europës

Lini një Përgjigje