TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2026, 17:27

Rama merr ‘goditje’ nga Italia, Lëvizja 5 Yjet kundër integrimit të Shqipërisë: Po sakrifikohen rajonet tona

Shkruar nga Pamfleti
Rama merr ‘goditje’ nga Italia, Lëvizja 5 Yjet kundër
Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE

Teksa Edi Rama ndodhet në Bruksel për mbylljen e tre kapitujve të negociatave, eurodeputetët e Lëvizjes 5 Yjet kërkojnë frenimin e zgjerimit, duke paralajmëruar se anëtarësimi i vendeve të reja do t'i kushtojë rëndë rajoneve më të varfra të Italisë.

Ndërsa Shqipëria shënon një tjetër hap në negociatat me Bashkimin Evropian, jo të gjithë në Bruksel e shohin me entuziazëm procesin e zgjerimit.

Në ditën kur zhvillohet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE për mbylljen e tre kapitujve të negociatave, Lëvizja italiane 5 Yjet ka dalë hapur kundër ritmit me të cilin Bashkimi Evropian po avancon me vendet kandidate, përfshirë edhe Shqipërinë.

Eurodeputetët Danilo Della Valle dhe Valentina Palmisano deklaruan se katër konferencat e anëtarësimit për Ukrainën, Moldavinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë po zhvillohen "pa një reflektim të mjaftueshëm mbi pasojat që ky proces do të ketë për Italinë Jugore".

Sipas tyre, një studim i publikuar nga Centro Europa Ricerca tregon se zgjerimi i BE-së do të shkaktonte humbje të mëdha të fondeve evropiane për rajonet italiane.

Sardenja, sipas studimit, do të humbiste 58% të fondeve që përfiton aktualisht nga Bashkimi Evropian, Campania 32%, Sicilia 29%, Puglia 31% dhe Marche 47%, ndërsa edhe Kalabria, Abruzzo, Molise dhe Basilicata do të penalizoheshin ndjeshëm.

"Ne nuk jemi paragjykues ndaj zgjerimit, por kërkojmë kujdes për të shmangur pasojat ekonomike mbi rajonet më të varfra të Evropës", deklaruan dy eurodeputetët.

Ata paralajmëruan se fondet e kohezionit dhe Politika e Përbashkët Bujqësore përbëjnë motorin financiar të Bashkimit Evropian dhe se ky mekanizëm rrezikon të mos funksionojë siç duhet nëse zgjerimi nuk shoqërohet me masa kompensuese.

Deklarata vjen pikërisht në ditën kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel për të formalizuar mbylljen e kapitujve 25, 26 dhe 30 të negociatave, që lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë.

Megjithëse procesi teknik i negociatave po ecën përpara, reagimi i Lëvizjes 5 Yjet tregon se zgjerimi nuk gëzon mbështetje të pakushtëzuar në të gjitha forcat politike evropiane.

Debati tashmë nuk lidhet vetëm me përmbushjen e reformave nga vendet kandidate, por edhe me koston financiare që zgjerimi mund të ketë për vendet aktuale anëtare, veçanërisht për rajonet që përfitojnë miliarda euro nga fondet e BE-së.

Kjo do të thotë se, edhe pasi Shqipëria të mbyllë procesin teknik të negociatave, faza politike e anëtarësimit pritet të jetë po aq sfiduese, pasi vendimi përfundimtar kërkon miratimin e të 27 vendeve anëtare dhe përballet me debate gjithnjë e më të forta për efektet ekonomike të zgjerimit. /Pamfleti

be shqiperi 5 yjet

1 Komente

  1. L
    L

    Ikni o kokebosha! S'eshte per ju politika! Ju 5 ydet jeni mish per top, idiot te dobishem.. sigurisht jo te dobishem as per Shqiperine e as per Italine.

    Lini një Përgjigje