
Për regjime si Rusia e pas rënies së Murit të Berlinit, është përdorur ndonjëherë termi demokraturë, që nxjerr në pah bashkëjetesën midis diktaturës (pushteteve të plota të ekzekutivit) dhe zgjedhjeve periodike të parlamentit dhe të kreut të qeverisë.
Çfarë është një demokraci? Po një diktaturë? Deri disa dekada më parë, kjo lloj pyetjeje nuk sillte vështirësi të mëdha konceptuale. Është e vërtetë se, krahas demokracive dhe diktaturave të vërteta, ekzistonin regjime të ndërmjetme ose hibride të cilat nuk mund të klasifikoheshin drejtpërdrejt në dy llojet ideale të regjimeve politike.
Institucionet që monitorojnë gjendjen e demokracisë, kanë parashikuar shpesh raste të ndërmjetme, të përziera ose hibride. Studiuesit e politikës, kanë përdorur shpesh neologjizma dhe terma të përbërë për të identifikuar regjime, që duke qenë përzierje të dy llojeve të pastra, nuk mund të konsiderohen as plotësisht demokratike dhe as plotësisht diktatoriale.
Për shembull, për regjime si Rusia e pas rënies së Murit të Berlinit, është përdorur ndonjëherë termi demokraturë, që nxjerr në pah bashkëjetesën midis diktaturës (pushteteve të plota të ekzekutivit) dhe zgjedhjeve periodike të parlamentit dhe të kreut të qeverisë.
Në të kaluarën, disa kanë shkuar aq larg, sa kanë shpikur termin spekulativ diktablanda, për të theksuar se një qeveri autokratike, pa alternim në pushtet, mund të pranojë gjithsesi disa liri themelore civile (arketipi i këtij regjimi është Meksika e pas krizës së vitit 1929, ku Partia Revolucionare Institucionale qeverisi për 71 vjet, pa i shtypur të gjitha liritë civile).
Por rasti që na shqetëson më shumë si evropianë, është ai i demokracive jo liberale, në krahasim me demokracitë e vërteta, ose demokracitë liberale. Termi demokraci jo liberale, i përdorur pothuajse gjithmonë me një ngarkesë negative, i referohet atyre regjimeve në të cilat sovraniteti popullor, i zbatuar përmes zgjedhjeve periodike dhe të lira, krijon qeveri të pajisura me pushtet të tepërt ose të ushtruar dobët.
Dhe ku deficiti i liberalizmit, mund të manifestohet në mënyra krejt të ndryshme: nënshtrimi i gjyqësorit ndaj pushtetit politik, mungesa ose dobësia e kundërpushteteve, ligjeve kufizuese mbi lirinë e medias, të shoqatave, të shprehjes së mendimit, mosnjohja e të drejtave të pakicave, etj.
Në Evropë, 3 vende në veçanti kanë qenë objekt i kritikave: Hungaria e Viktor Orbán, Polonia e Mateusz Morawiecki dhe Austria e Jörg Haider. Në të tria rastet, sipas autoriteteve evropiane, pushteti politik, pavarësisht investimit së tij demokratik, ka shkuar përtej kompetencave të tij legjitime, duke shmangur kufizimet e vendosura nga sundimi i ligjit.
Në terma të përgjithshëm, kjo ishte situata deri para disa muajsh. Tani jo më. Nëse duam të bëjmë sot një përshkrim minimalisht të saktë të regjimeve të mundshme politike dhe institucionale, duhet të marrim në konsideratë një mundësi të re.
Në tre vende evropiane - Gjermani, Francë, Rumani - po shfaqet një situatë, e cila në një farë mënyre, e përmbys kauzën e demokracive jo liberale: atë të një demokracie në të cilën respekti (real ose i supozuar) për sundimin e ligjit, përfshin një kufizim dramatik të demokracisë.
Kjo mundësi lindi në Francë, me një vendim gjyqësor që e shpalli të papërshtatshme për të kandiduar për poste publike Marine Le Penin, udhëheqësen e partisë kryesore në Francë dhe kandidaten favorite për presidencën.
Më pas në Gjermani me një hetim të shërbimeve sekrete mbi partinë më të madhe gjermane (AfD, Alternative für Deutschland), që e vuri në dyshim të drejtën e saj për të marrë fonde publike, dhe ndoshta edhe për të garuar në zgjedhje.
Por edhe në Rumani, ku zgjedhjet presidenciale u anuluan sepse Gjykata Kushtetuese zbuloi se mbështetja për një kandidat ishte ndihmuar nga propaganda ruse. Në të tria rastet, forcat politike të penalizuara janë ato të krahut të djathtë, pak a shumë ekstreme dhe pak a shumë nostalgjike.
Dhe në të tria rastet, ato që ndërhynë në proces ishin organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit (gjyqësori, Gjykata Kushtetuese, shërbimet sekrete). Këtu nuk dua të diskutoj mbi përshtatshmërinë ose jo përjashtimit të partive ose kandidatëve të caktuar nga gara zgjedhore, pasi ato po cilësohen si antidemokratike.
Një pyetje shumë e ndërlikuar, e cila në mënyrë të pashmangshme i nxeh gjakrat. Por ajo që dua të theksoj, është se në një nivel logjik, kjo ngjarje është krejt e kundërta e asaj të demokracive jo liberale. Në atë rast, këto ishin demokraci të papërsosura sepse sakrifikuan sundimin e ligjit.
Këtu nëse ndalohen disa forca politike, është sundimi i ligjit, ai që mbizotëron mbi demokracinë. Si t’i quajmë këto lloj demokracish të reja? Për mua termi i përshtatshëm duket të jetë “demokraci të kufizuara, sepse në momentin që përjashtohet forca politike që ka konsensusin më të madh, ai që minohet që në rrënjë është pikërisht thelbi i demokracisë, përkatësisht parimi i sovranitetit popullor.
Sa i përket pyetjes se cila është e keqja më e madhe, demokracia jo liberale apo demokracia e kufizuar, secili ka mendimin e vet. Ajo që dua të theksoj, është vetëm një argument: nëse parimi i përjashtimit të forcave politike të gjykuara si “antidemokratike” do të vendosej aty ku është shfaqur tashmë (në Gjermani, Francë, Rumani), në vendet me “demokraci të kufizuar”, do të kishte pothuajse 200 milionë qytetarë ose pak më pak se gjysma e atyre të të gjithë Bashkimit Evropian. Një kartëvizitë aspak e mirë, për një institucion që i pëlqen ta cilësojë veten i një fener lirie dhe demokracie./Përshtati "Pamfleti" nga “Il Messaggero”
Lini një Përgjigje