Rusia ka përshkallëzuar tonet e saj ndaj Perëndimit, duke paralajmëruar kështu një sulm të mundshëm me armë bërthamore.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova deklaroi se durimi i Rusisë nuk duhet të testohet.
“Rusia nuk planifikon të ndjekë rrugën e përshkallëzimit bërthamor në konfrontimin e saj me Perëndimin për Ukrainën, por ata nuk duhet të testojnë durimin tonë.”, deklaroi Zakharova.
Komentet e saj pasojnë një sërë paralajmërimesh nga zyrtarë të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, se mbështetja ushtarake perëndimore për Ukrainën rrit rreziqet e një konflikti katastrofik bërthamor.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të parandaluar zhvillimin e ngjarjeve sipas skenarit më të keq, por jo me koston e shkeljes së interesave tona jetike. Unë nuk rekomandoj askënd që të dyshojë në vendosmërinë tonë dhe ta vërë në provë.”, u shpreh Zakharova me një ton paralajmërues.
Kujtojmë se ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev dhe një aleat i ngushtë i Putinit, tha në fillim të kësaj jave se bota ka “shumë gjasa të jetë në prag të një lufte të re botërore”.
Lini një Përgjigje