TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Tetor 2025, 20:41

“Perlat” e Rutte përpara realitetit rus!

Shkruar nga Pamfleti

“Perlat” e Rutte përpara realitetit rus!

Tomahawk për të mbuluar dështimin: Fjalët bosh të NATO-s përpara rrezikut rus

Deklaratat e Mark Rutte, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, po shndërrohen në një zhanër më vete, një përzierje ndërmjet patetikës dhe groteskes diplomatike. Pas SMS-ve famëkeqe dërguar Trump-it, ku NATO premtonte 5% të PBB-së për mbrojtje (3.5% për armë dhe 1.5% për infrastrukturë ushtarake), Rutte ka gjetur kohë sërish për një “ruttatë” të re – kësaj here në Bruksel.

Në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes, Rutte tha se “avionët rusë që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s nuk duhen rrëzuar gjithmonë, por vetëm kur përbëjnë rrezik real”.

Deri këtu, tingëllon logjike. Por pastaj, ai vijon me “perlat” e tij diplomatike: “Nëse nuk përbëjnë rrezik, rrëzimi i tyre do të ishte një shenjë dobësie, sepse NATO është shumë më e fortë se Rusia dhe ne mund t’i detyrojmë të dalin nga hapësira jonë ajrore”. 

Pra, sipas Rutte-s, nuk i godasim avionët rusë jo sepse duam të shmangim Luftën e Tretë Botërore, por sepse... nuk duam të dukemi të dobët. Ironikisht, sipas kësaj logjike, pikërisht të dobëtit qëllojnë pa arsye, për të treguar se janë të fortë.

Ndërkohë, për të mbajtur këtë “superfuqi morale dhe ushtarake”, vendet e NATO-s duhet të dyfishojnë buxhetin e tyre të mbrojtjes, Italia për shembull do të kalojë nga 2.5% në 5% të PBB-së. Dhe për çfarë? Për të ndërtuar rrugë dhe ura që mund të mbajnë tanket drejt frontit.

Çfarë fshihet pas kësaj retorike të zbrazët?

I gjithë ky panik i orkestruar ndaj “kërcënimit rus”, edhe pse Kremlini është i përfshirë në një luftë të zgjatur dhe të kushtueshme, duket më shumë si një justifikim për të ringjallur ekonominë e Evropës, e goditur rëndë nga politika të gabuara që nga viti 2022. Zgjidhja politike për luftën në Ukrainë ka qenë në tryezë, por NATO dhe Brukseli zgjodhën të shtyjnë përpara idenë e një disfate të Rusisë “në fushën e betejës”.

Sot, pas më shumë se tre vitesh, Ukraina është bërë një zonë gri dhimbjeje dhe shkatërrimi, Rusia po avancon në veri dhe Perëndimi i hedh sy shpresës për ndonjë Tomahawk “shpëtimtar”.

Nëse Rusia është kaq e dobët, siç thotë propaganda perëndimore, me gjeneralë injorantë dhe një ushtri të përçarë, si ka mundësi që ushtria ukrainase, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, e mbështetur nga inteligjenca perëndimore, e armatosur nga të gjitha anët dhe e financuar nga e gjithë bota perëndimore, po tërhiqet dhe po pëson humbje në Kursk e gjetkë?

Përfundimi?

Mark Rutte, një teknokrat i zgjedhur për të ruajtur “unitetin euro-atlantik”, po kthehet në një figurë simbolike të verbërisë strategjike të NATO-s. Me një retorikë që fsheh mungesën e një vizioni real për paqen dhe stabilitetin në Evropë, ai dhe elita që përfaqëson vazhdojnë të hedhin benzinë mbi zjarrin, duke shitur frikë për të justifikuar një industri armësh që nuk prodhon siguri, por vetëm tension. /Përshtatur nga “Inside Over”

2 Komente

  1. L
    Lexues

    Shyqyr qe ndruat faqe Pamfleti, se kohet e fundit po benit vetem propagande anti Trump, anti paqe. Na çmendet me retorika e shkrime te sponsorizuara irrituese. Ky po eshte shkrim i goditur qe pasqyron te verteten e klases sorrosiane qe qeveris shumicen e Europes e vetem shpikin kriza qe te qendrojne ne pushtet, bashke me kte legenin e rilindjes.

    Lini një Përgjigje