
Fotot nga kampi e tregojnë kaosin që shkaktuan përmbytjet, ndërsa batanije, dyshekë, arusha pellushi dhe sende të tjera u mbuluan nga balta...
Qindra ekipe shpëtimi po kërkojnë personat e zhdukur në Teksasin qendror, pasi përmbytjet e menjëhershme shkaktuan 51 viktima, përfshirë 15 fëmijë.
Zona më e prekur është Qarku Kerr, ku kanë vdekur 43 persona dhe ku 27 fëmijë mbeten të zhdukur nga një kamp rinor i krishterë i vendosur përgjatë lumit Guadalupe.
"Puna vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të gjenden të gjithë", premtoi Larry Leitha, sherifi i Qarkut Kerr.
Viktima janë konfirmuar edhe në pjesë të tjera të shtetit, duke përfshirë Qarkun Travis dhe Qarkun Tom Green.
Paralajmërime të shumta për përmbytje të menjëhershme mbeten në fuqi gjatë fundjavës në Teksasin qendror.
Deri më tani janë shpëtuar rreth 850 persona.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se kishte nënshkruar një deklaratë të zgjeruar të gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të rritur përpjekjet e kërkimit.
Ai tha se zyrtarët do të jenë të paepur në sigurimin e gjetjes së "çdo personi që ka qenë viktimë e kësaj ngjarjeje", duke shtuar se "ne do të ndalemi kur puna të përfundojë".
Zyrtarët thanë se tashmë po ndërmerret një mision kërkim-shpëtimi, jo një përpjekje rimëkëmbjeje.
Ata thanë se ekipet e shpëtimit po shkonin lart e poshtë lumit Guadalupe për të gjetur njerëz që mund të jenë rrëmbyer nga përmbytjet.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se administrata e tij po punon ngushtë me autoritetet lokale për t'iu përgjigjur emergjencës.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se qeveria federale do të dërgonte Rojën Bregdetare për të ndihmuar në kërkim.
Parashikuesit e motit kanë paralajmëruar se Teksasi qendror mund të përballet me më shumë përmbytje këtë fundjavë.

Pjesa më e madhe e operacioneve të shpëtimit është përqendruar në një kamp veror të madh të krishterë vetëm për vajza të quajtur Camp Mystic, i vendosur përgjatë brigjeve të lumit Guadalupe.
Zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, i tha programit Radio 4 PM të BBC-së se shumë nga 27 vajzat e zhdukura ishin “nën moshën 12 vjeç”.
Fotot nga kampi e tregojnë kaosin që shkaktuan përmbytjet, ndërsa batanije, dyshekë, arusha pellushi dhe sende të tjera u mbuluan nga balta.
Shumë prej tyre ishin në gjumë kur niveli i lumit u rrit më shumë se 8 metra në më pak se një orë në orët e para të së premtes.
Në një email drejtuar prindërve të rreth 750 kampistëve, Camp Mystic tha se nëse nuk janë kontaktuar drejtpërdrejt, fëmija i tyre është gjetur.
Më shumë detaje rreth fëmijëve që kanë humbur jetën kanë filluar të dalin në dritë. Disa prej tyre ishin vetëm 8 vjeç. Është konfirmuar gjithashtu se motrat Blair dhe Brooke Harber, të cilat ishin 13 dhe 11 vjeç, janë midis të vdekurve.
Dhjetëra kampistë që po kalonin pushimet gjatë fundjavës së 4 korrikut, gjithashtu mbetën të zhdukur.
Lorena Guillen, shtëpia dhe restoranti i së cilës u shkatërruan, kishte 28 automjete rekreative në tokën e saj pranë lumit. Ajo i tha BBC News Channel se dëgjoi britmat e një familjeje me pesë anëtarë.

"Ata po përmbyteshin nga uji," tha Guillen, duke shtuar "ata po mbaheshin pas pemëve për t'u shpëtuar. Por shpëtimtarët nuk mundën të shkonin tek ata".
Në teatrin Arcadia Live në Kerrville, prindërit u ribashkuan me vajzat e tyre që kishin qëndruar në Kampin Ëaldemor.
Rachel Reed udhëtoi pesë orë me makinë nga Dallasi për të marrë vajzën e saj. Ajo i tha BBC-së se anëtarë të kishës dhe të distriktit shkollor të fëmijëve ishin midis vajzave të vdekura dhe të zhdukura.
"Familjet e kampistëve po jetojnë makthin më të keq të çdo prindi," tha ajo.
Jonathan dhe Brittany Rojas vizituan shtëpinë e të afërmve të tyre, e cila ishte e rrënuar plotësisht.

Ata i thanë BBC-së se nëna dhe një foshnjë e familjes mbeteshin të zhdukur. Një djalë adoleshent, Leo, mbijetoi pasi ngeli te telat me gjemba, duke i shpëtuar rrjedhës së fortë të ujrave.
Një banor tjetër, Anthony, e gjeti apartamentin e tij plot me baltë dhe mbeturina. Sendet e tij personale nuk mund të shpëtoheshin, përveç një kutie që mbante foto të fëmijërisë dhe batanijes së foshnjës.
"Humba gjithçka që zotëroja," i tha ai BBC-së. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje