
Presidenti amerikan është i vendosur ta aneksojë Grenlandën. Nëse udhëheqësit evropianë nuk veprojnë me vendosmëri, ky akt mund të shkatërrojë jo vetëm NATO-n, por edhe Bashkimin Evropian...
Fiksimi i presidentit amerikan me Grenlandën nuk po tregon shenja zbutjeje. Në fillim të këtij muaji, Trump tha se “ne kemi nevojë për të për sigurinë tonë kombëtare”. Pastaj, më 17 janar, ai njoftoi tarifa të reja për vendet evropiane që dërguan trupa në territorin danez. Ajo që më parë ishte e paimagjinueshme, një aneksim amerikan i Grenlandës, po i afrohet rrezikshëm realitetit, duke kërcënuar vetë themelet e NATO-s dhe të BE-së. Për NATO-n, siguria kolektive e anëtarëve do të binte që në momentin që SHBA-ja do ta drejtonte fuqinë e saj kundër aleatëve.
Por NATO është edhe një organizatë politike. Një ditë pas aneksimit, ekzistenca e saj do të ishte e pakuptimtë. NATO nuk do të ishte më një aleancë demokracish, por një kopje e shekullit XXI e Paktit të Varshavës, e plotësuar me versionin e vet të doktrinës së Brezhnjevit për “sovranitetin e kufizuar”.
Duke kryer aneksimin, Trump do t’u ofronte Rusisë dhe Kinës fitoren strategjike që e kanë kërkuar për dekada, madje pa asnjë të shtënë. Por NATO nuk do të ishte viktima e vetme. Aneksimi i Grenlandës do të shkatërronte vlerën thelbësore të solidaritetit të BE-së.
Ç’është më e keqja, përçarja midis shteteve anëtare në lidhje me mënyrën se si të reagojnë, mund t’i japë një goditje potencialisht fatale BE-së: një grup që kërkon të kthejë kokën matanë dhe të ecë përpara, një tjetër që kërkon sanksione kundër SHBA-së, por nuk arrin të gjejë konsensus të mjaftueshëm për të vepruar.
Takimet e Këshillit Evropian dhe Këshillit të BE-së do të shoqëroheshin me akuza dhe kundërakuza, duke ndaluar pothuajse plotësisht proceset politike dhe të politikave të BE-së. Edhe nëse NATO dhe BE do t’i mbijetonin tronditjes fillestare institucionale, jeta politike në Evropë do të bëhej e zymtë dhe do të polarizohej më tej.
Pas të gjitha këtyre goditjeve, blloku do të ishte më i dobët se kurrë dhe gradualisht do të shpërbëhej. Në të gjithë Evropën, forcat anti-NATO dhe anti-amerikane në të majtën ekstreme do të fitonin në një debat që e kanë humbur për gati 80 vjet, duke e portretizuar me sukses NATO-n si një instrument të imperializmit amerikan që synon ta mbajë Evropën të përçarë dhe të rrëzuar.
Çdo referencë ndaj imperializmit rus në Ukrainë ose ndaj nevojës për të investuar shumë në mbrojtje, mund të përballet me një kundërakuzë ose më keq akoma, me thirrje për të negociuar një zgjidhje paqeje me Moskën.
Në të djathtën ekstreme, mbështetësit e sovranitetit evropian do të inkurajoheshin jo pak nga ky poshtërim. Kjo do të vërtetonte pretendimin e tyre se e drejta ndërkombëtare dhe institucionet globaliste nuk mund të garantojnë dot sovranitetin.
Po ashtu, do të përforconte thirrjen e tyre për t’i braktisur ato në favor të shteteve-kombe, të cilat i konsiderojnë si njësitë e vetme politike legjitime dhe efektive në një botë të qeverisur vetëm nga pushteti. Në Britani, pranimi i aneksimit të Grenlandës ka të ngjarë të jetë fatal për qeverinë aktuale laburiste, duke i hapur më tej rrugën drejt një fitoreje të partisë Reforma, dhe duke përshpejtuar shkëputjen e vendit nga politika dhe mbrojtja evropiane.
Pas aneksimit të Grenlandës nga SHBA-ja, BE-ja do të ngjante me një regjim shumëkombësh i ngjashëm me atë të Vishisë në Francë në kohën e pushtimit nazist, duke pranuar dobësinë dhe mungesën e rëndësisë për të shmangur përballjen me fuqinë pushtuese.
Për të gjitha këto arsye, evropianët duhet të veprojnë me vendosmëri për të penguar SHBA-në në aneksimin e Grenlandës. Ata duhet të deklarojnë qartë se aneksimi do të shkaktonte masat e mëposhtme:
1. Krizë diplomatike
BE-ja duhet t’i tregojë Uashingtonit se aneksimi i Grenlandës do të shkaktonte një krizë të madhe diplomatike dhe një goditje fatale për aleancën transatlantike dhe vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Ndërsa kjo prani është jetike për sigurinë evropiane, është gjithashtu thelbësore që ushtria amerikane të projektojë forcën globalisht. Si përgjigje e parë, ambasadorët nga vendet e BE-së duhet të tërhiqen nga Uashingtoni dhe ambasadorët e SHBA-së duhet të kërcënohen me një ftesë për t’u larguar nëse aneksimi nuk anulohet.
2. Aktivizimi i nenit 42.7
BE-ja duhet të aktivizojë nenin 42.7, klauzolën e saj të ndihmës së ndërsjellë në rast agresioni të armatosur. Ajo kërkon që të gjitha shtetet anëtare të ofrojnë ndihmë për çdo anëtar në vështirësi. Anëtarët e BE-së dhe NATO-s duhet t’i kërkojnë Këshillit të Atlantikut të Veriut të mblidhet menjëherë për të kërkuar anulimin e aneksimit.
Nëse SHBA-ja refuzon, anëtarët e BE-së dhe NATO-s duhet të dëbojnë atashetë ushtarakë amerikanë nga vendet e tyre dhe të ftojnë anëtarët e tjerë të NATO-s të ndjekin shembullin. Nëse aneksimi vazhdon, personeli civil dhe ushtarak amerikan në Evropë duhet të kufizohet vetëm brenda bazave të tyre.
Negociatat mbi të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë duhet të fillojnë bazuar në synimin që evropianët ta zotërojnë plotësisht NATO-n dhe ta përdorin atë për të ndërtuar një mbrojtje kuptimplote evropiane.
3. Aktivizimi i instrumentit kundër shantazhit
BE-ja duhet të aktivizojë instrumentin kundër shantazhit sa më shpejt të jetë e mundur dhe të bëjë publike veprimet që do të ndërmarrë. Kompanitë amerikane që do të operojnë në Grenlandën e aneksuar, duke përfshirë ato në sektorët e energjisë, transportit, shërbimeve financiare dhe dixhitale, duhet të gjobiten me gjysmën e të ardhurave të tyre në Evropë për aq kohë sa do të vazhdojë aneksimi.
Përveç kësaj, duhet të pezullohen të gjitha negociatat për kontratat e mbrojtjes dhe teknologjisë me SHBA-në. Së fundmi, BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj të prokurimit për shërbimet dixhitale për t’u dhënë përparësi firmave evropiane.
“Ligji për Blerjet Evropiane” do ta ndihmonte BE-në të arrinte sovranitetin teknologjik dhe do të zvogëlonte mundësitë e Amerikës për t’iu imponuar bllokut.
4. Sanksione personale
Krahas sanksioneve të miratuara në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, zyrtarët amerikanë të përfshirë në aneksim -përfshirë udhëheqjen e lartë politike dhe anëtarët e Kongresit që e mbështesin atë - duhet të përballen me ndalime udhëtimi dhe sekuestrime asetesh, përfshirë fushat e golfit të Trump dhe prona të tjera.
5. Ndërkombëtarizimi i konfliktit
Së fundmi, qeveritë e BE-së duhet ta ndërkombëtarizojnë konfliktin duke ia referuar aneksimin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me qëllimin e qartë të vendosjes së përgjegjësisë ligjore mbi SHBA-në dhe zyrtarët e saj.
Këto masa synojnë ta bëjnë aneksimin tepër të kushtueshëm për SHBA-në. Sigurisht, ato do të ishin të kushtueshme edhe për BE-në, por do të tregonin një gatishmëri për të përballuar kosto të konsiderueshme për të mbështetur parimin se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, qoftë nga Rusia për të aneksuar Krimenë ose territor tjetër ukrainas, qoftë nga SHBA-ja për të aneksuar Grenlandën.
Jo të gjithë anëtarët e NATO-s ose BE-së do të ishin të gatshëm të ndiqnin këtë rrugë. Disa do të përpiqeshin të vënë veton ose t’i zbutnin këto masa. Megjithatë, këto përçarje nuk duhet ta paralizojnë Evropën.
Një grupim më i vogël shtetesh të gatshme t’i rezistojnë agresionit - me në krye Francën dhe Gjermaninë - mund të formonte bërthamën e një projekti politik dhe sigurie evropian më koherent që synon ndërtimin e një kontinenti më të sigurt dhe më sovran./Përshtati "Pamfleti" nga “European Council on Foreign Relations”
Ky Jose' qënka antieuropiani dhe antiamerikani më i thekur në planet. Ose këtë shkrim ja ka formuluar shërbimet sekrete antiatlantike.