
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka luajtur një rol vendimtar në rritjen e angazhimit financiar të vendeve anëtare të NATO-s për mbrojtjen, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet e tij më të mëdha në politikën e jashtme.
Teksa bënte bilancin e punës së tij 1-vjeçare, Trump u shpreh se anëtarët e aleancës ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga niveli i mëparshëm prej 2%, duke theksuar se asnjë tjetër nuk ka bërë më shumë për NATO-n sesa ai.
“Bëra më shumë për NATO-n sesa çdo person tjetër, i gjallë a i vdekur. Mendoj se në pjesën më të madhe, ata do t’jua thonë këtë”, deklaroi Trump, duke shtuar se edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sipas tij, e ka pranuar këtë rol.
Megjithatë, Trump shprehu edhe shqetësime lidhur me trajtimin e Shteteve të Bashkuara brenda aleancës. Ai theksoi se SHBA shpenzon shuma të mëdha për NATO-n dhe ngriti dyshime nëse vendet e tjera anëtare do të ishin të gatshme të ndihmonin Uashingtonin në rast nevoje.
“Frika ime e madhe me NATO-n është se ne shpenzojmë shuma të jashtëzakonshme parash dhe e di që do t’i ndihmojmë ata, por vë në dyshim nëse ata do të vijnë tek ne apo jo”, tha Trump.
Lini një Përgjigje