TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2026, 20:17

Plani i Emirateve, palestinezët e dëbuar do të strehohen në një zonë të kontrolluar nga ushtria izraelite

Shkruar nga Pamfleti
Plani i Emirateve, palestinezët e dëbuar do të strehohen në
Gaza e shkatërruar

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë përgatitur plane për ndërtimin e një kompleksi të madh strehimi të përkohshëm për mijëra palestinezë të zhvendosur në një zonë të Gazës jugore që ndodhet nën kontrollin e ushtrisë izraelite, raporton Reuters, duke cituar burime diplomatike.

Sipas hartave dhe informacionit të siguruar nga agjencia, projekti– i quajtur “UAE Temporary Emirates Housing Complex”, parashikohet të ndërtohet pranë qytetit të shkatërruar të Rafahut, i cili para luftës kishte rreth 250 mijë banorë, por sot është pothuajse tërësisht i rrënuar dhe i braktisur pas operacioneve ushtarake izraelite.

Rafahu, pranë kufirit me Egjiptin, konsiderohet nga disa aktorë ndërkombëtarë si pikënisje e mundshme për rindërtimin e Gazës, në kuadër të planit të presidentit amerikan Donald Trump për një “paqë të qëndrueshme” në enklavën palestineze, pas dy vitesh lufte shkatërrimtare.

Megjithatë, donatorë ndërkombëtarë shfaqen të rezervuar për të angazhuar fonde, duke shprehur shqetësime se mosmarrëveshjet rreth çarmatosjes së Hamasit mund të çojnë në rikthimin e konfliktit të gjerë. Diplomate të përfshirë në diskutime vënë gjithashtu në dyshim qëndrueshmërinë politike të iniciativës, duke theksuar se shumë palestinezë mund të refuzojnë të zhvendosen në një zonë të kontrolluar nga Izraeli, ndërkohë që shumica e civilëve aktualisht jetojnë në territore nën kontrollin e Hamasit.

Sipas planit të administratës Trump, parashikohet krijimi i një misioni shumëkombësh nën udhëheqjen e SHBA-së për Gazën, me bazë në Izraelin jugor. Në këtë kuadër, zyrtarë të Emirateve u kanë paraqitur diplomatësh detaje për ndërtimin e strehimit të përkohshëm dhe ofrimin e shërbimeve bazë në Rafah.

Harta tregon se kompleksi do të ndërtohej pranë të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, e përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit të tetorit, që ndan zonat nën kontroll izraelit nga ato të kontrolluara nga Hamasi.

Një zyrtar i Emirateve, i pyetur nga Reuters, deklaroi se vendi i tij “mbetet i përkushtuar për të forcuar përpjekjet humanitare në mbështetje të palestinezëve në Gaza”, pa konfirmuar apo mohuar drejtpërdrejt planet për kompleksin.

Sipas mediave të huaja, ushtria izraelite ka pastruar një zonë të gjerë nga bregdeti i Mesdheut deri në Rafah për të krijuar hapësirë për projekte të përkohshme strehimi. Iniciativa e Emirateve ngjan me një propozim amerikan për ndërtimin e komuniteteve të sigurta të planifikuara në zona të Gazës nën kontroll izraelit, të njohura fillimisht si “Alternative Safe Communities”.

gaza palestina izrael

Lini një Përgjigje