TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shtator 2025, 20:09

Plani për Gazën: Skema e Trump për t’u pasuruar shpejt, mbi krime lufte, AI dhe turizëm!

Shkruar nga Pamfleti
Plani për Gazën: Skema e Trump për t’u pasuruar shpejt, mbi
Foto nga Inteligjenca Artificiale

Zhvendosje masive e popullsisë, ishuj artificialë dhe zona ekonomike të veçanta: Gaza po trajtohet si projekt financiar e turistik, jo si çështje humanitare...

Një raport i Washington Post ka zbuluar draftin më të qartë deri më sot të planit të ashtuquajtur “ditën pas” për Gazën, që po qarkullon në administratën Trump.

Edhe pse Presidenti amerikan Donald Trump ende nuk e ka miratuar zyrtarisht, drafti përbën një projekt joserioz, të shkëputur nga realiteti, dhe që konfirmon dyshimet se Uashingtoni po fokusohet vetëm tek iluzione ekonomike pa asnjë lidhje me mirëqenien e palestinezëve apo faktet në terren, qoftë në Gaza, Bregun Perëndimor apo në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Çfarë parashikon plani “GREAT Trust”

Sipas dokumentit, fondi i quajtur Gaza Reconstitution, Economic Acceleration and Transformation Trust (GREAT Trust) parashikon “zhvendosjen e përkohshme” të mbi dy milionë banorëve të Gazës, qoftë përmes “largimeve vullnetare” drejt vendeve të treta, qoftë në “zona të sigurta” të mbyllura brenda vetë Rripit të Gazës.

Në listë figurojnë shtete si Indonezia, Sudani i Jugut, Somaliland, Libia dhe Etiopia – por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të marrë pjesë. Edhe pse dokumenti përmend “paketa stimuluese” si subvencione për ushqim, strehim apo pagesa qiraje, çdo formë zhvendosjeje të detyruar do të përbënte shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.

Ky projekt lidhet drejtpërdrejt me të njëjtët individë që më parë promovuan “Fondin Humanitar për Gazën”, një nismë e administratës Trump e kritikuar ashpër si një manovër e koordinuar me qeverinë izraelite dhe jo si mbështetje reale për popullin palestinez.

Kush qëndron pas planit?

Nuk është e mundur të ndahen propozimet nga emrat e Jared Kushner, dhëndri i Trump dhe këshilltar i tij i ngushtë, si dhe Tony Blair, ish-kryeministri britanik.

Kushner ka një histori të gjatë në devijimin e normave diplomatike nën petkun e “të menduarit jashtë kornizave”, duke e reduktuar paqen në transaksione financiare. Blair ka ndjekur të njëjtën logjikë, duke vendosur zhvillimin ekonomik mbi çdo formë të vetëvendosjes palestineze.

Të dy kanë lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe, nënshkruesit kryesorë të Marrëveshjeve të Abrahamit dhe armiq të hapur të Autoritetit Palestinez. Vetë Emiratet kishin propozuar në mars një plan post-luftë me mbështetje nga Gjiri dhe çarmatimin e Hamasit, por ai u hodh poshtë nga SHBA dhe Izraeli.

Një “kujdestari shumëpalëshe” në emër të Palestinës

Drafti parashikon krijimin e një “kujdestarie shumëpalëshe” mbi Gazën, e cila më pas mund të shndërrohej në një “kujdestari zyrtare ndërkombëtare”. Në letër, kjo do të transferonte autoritetin te një “politi palestinez i pavarur”, por pa e përcaktuar kurrë se kush do të ishte ai organ. Ndërkohë, asetet do të mbeteshin nën “mbrojtje” për të garantuar stabilitetin – që praktikisht do të thotë kontroll i vazhdueshëm izraelit mbi vetëvendosjen dhe territorin palestinez.

Rreziku politik për Trump

Nëse ky plan miratohet si politikë zyrtare, Trump do të përballet me kundërshtime të forta edhe nga vetë baza e tij. Shumë nga mbështetësit e tij tashmë janë të zemëruar me Izraelin për shkak të masakrave të vazhdueshme në Gaza, të kryera nën hijen e mbështetjes ushtarake dhe diplomatike amerikane.

Një projekt i tillë, që e trajton Gazën si një “aset financiar” të administruar nga SHBA dhe Izraeli, bie ndesh me parullën “America First” dhe ekspozon administratën si palë në shkelje të rënda ligjore ndërkombëtare.

Por nuk është surprizë. Trump dhe emisari i tij Steve Witkoff kanë folur që muaj më parë për nevojën që Gaza të “shkatërrohet dhe rindërtohet”, duke e paketuar idenë si akt “humanizmi”. Izraeli, ndërkohë, ka përfituar nga mungesa e një udhëheqjeje të qartë të Trump, duke ndjekur pa pengesa ofensivat e Netanyahut.

Kjo situatë ka krijuar terrenin për një plan të rrezikshëm si “GREAT Trust”, që në kushte normale do të refuzohej si absurd, por sot paraqitet seriozisht në Shtëpinë e Bardhë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Haaretz”

Lini një Përgjigje