Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, ndërsa Teherani dhe Tel Avivi shkëmbejnë akuza dhe kërcënime të drejtpërdrejta. Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka akuzuar hapur Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për orkestrimin e protestave të fundit në Iran, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj Izraelit do të ketë “pasoja të padurueshme”.
Në një postim në rrjetin social X, Khamenei deklaroi se protestat, të cilat shpërthyen më 28 dhjetor, ishin pjesë e një komploti të organizuar nga jashtë. “Komploti i fundit u orkestrua nga sionistët dhe Shtetet e Bashkuara. Jam informuar përmes një kanali specifik se CIA dhe Mossad kanë angazhuar të gjitha burimet e tyre në terren. Megjithatë, ata u mposhtën”, shkroi ai, duke shtuar se “plani i sedicionit u hartua dhe u menaxhua jashtë Iranit”.
Khamenei theksoi gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që Irani përballet me, sipas tij, “komplote të huaja”, duke paralajmëruar se përpjekje të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Nga ana tjetër, në një fjalim në Knesset, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar, në një moment kur po shtohen spekulimet për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit. “Kushdo që na sulmon do të përballet me pasoja të padurueshme”, u shpreh Netanyahu, sipas Times of Israel.
Deklaratat e forta vijnë në një klimë tensionesh të larta, ku Irani ka paralajmëruar se do të godasë objektiva izraelite dhe amerikane në rast agresioni, ndërsa SHBA po rrit presionin ushtarak dhe diplomatik në rajon.
Lini një Përgjigje