TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Shkurt 2026, 17:34

Gjeokleptokracia dhe ngritja e “politikës mafioze globale”!

Shkruar nga Martin Di Caro
Gjeokleptokracia dhe ngritja e “politikës mafioze globale”!
Donald Trump dhe Marco Rubio

Rendi i ri botëror po shndërrohet në një pazar transaksional, ku sovraniteti i shteteve dhe burimet kombëtare blihen e shiten si mallra private. Kjo paradigmë e “tregut politik” po zëvendëson ligjin ndërkombëtar me logjikën e pastër të gangsterizmit dhe fitimit financiar…

“Siç e dinë të gjithë, biznesi i naftës në Venezuelë ka qenë një dështim total për një periudhë të gjatë kohore... Kompanitë tona gjigante të naftës në Shtetet e Bashkuara, më të mëdhatë në botë, do të hyjnë, do të shpenzojnë miliarda dollarë, do të rregullojnë infrastrukturën e dëmtuar rëndë dhe do të fillojnë të gjenerojnë para për vendin”- tha presidenti Donald Trump, pak orë pasi forcat amerikane pushtuan Karakasin dhe rrëmbyen autokratin e akuzuar, Nicolás Maduro.

Operacioni i 3 janarit nuk solli ndryshim regjimi, por më tepër një marrëveshje të imponuar me forcë. Vartësit e Maduros mund të qëndrojnë në pushtet për sa kohë që e hapin industrinë e naftës, aktualisht në agoni, ndaj kompanive të mëdha amerikane. Shtypja qeveritare mbizotëron ende, edhe pa Maduron.

Në fjalimin e tij të dytë inaugurues, Trump pretendoi se donte të mbahej mend si një paqebërës. Në vend të kësaj, ai po praktikon atë që studiuesi Alex de Waal e quan “politikë mafioze globale”, rregullat e reja të një rendi në zhvillim e sipër, që i bëjnë disi të kota debatet e njohura midis realistëve dhe idealistëve.

Bisedova me De Waal rreth tezës së tij se “tregu politik": po dominon tani marrëdhëniet ndërkombëtare. De Waal, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Botëror të Paqes, shpjegon arsyet pse sovraniteti i vendeve të varfra dhe të dobëta në periferi të politikës botërore po “copëtohet, ndahet në kubikë, renditet dhe tregtohet”.

Kur ju lindi ideja e “tregut politik” për të kuptuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ushtrimin e pushtetit?

Këtë më mësuan disa njerwz shumë të pakëndshëm, por shumë të aftë në Sudan. Në bisedimet e paqes në Darfur, 20 vjet më parë, kreu i delegacionit qeveritar të Sudanit përdori dy terma në arabisht.

Sandouk al-siyasa është “xhepi politik” ose buxheti politik, paratë që ai kishte për të blerë anëtarët e delegacioneve rebele dhe për të mbajtur në krah komandantët e milicisë. Termi tjetër ishte souq al-siyasa, që do të thotë pazar ose treg politik.

Detyra e tij publike ishte të nënshkruante një marrëveshje paqeje që mund ta mbështeste.

Ndërkohë, detyra e tij e vërtetë ishte të përdorte buxhetin e tij politik në ”tregun politik”, që të siguronte pozicionin e qeverisë duke blerë mjaftueshëm rebelë. Kjo është forma më rudimentare e një tregi ku paratë e gatshme këmbehen drejtpërdrejt me besnikërinë, shërbimin ose postin politik.

Kur kalohet nga një rast individual si Sudani në nivel rajonal dhe botëror, mjetet financiare bëhen shumë më të sofistikuara dhe vetë “malli” i pushtetit më kompleks. Këtu fillon të shohësh se si sistemi realist i bazuar te shteti për të kuptuar botën, shembet.

Sot, rendi i bazuar në rregulla po shkatërrohet në shumë fronte. A po thoni se ai është përfshirë tashmë nga tregu politik, apo mund të bashkëjetojnë?

Tregu politik perandorak, në manifestimin e tij në shekullin XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, nuk u zhduk kurrë. Parimet ligjore u krijuan në shekullin XVII dhe u maturuan me kolonializmin detar evropian. Mënyra se si fuqitë perandorake (veçanërisht Britania dhe Franca) e trajtuan dekolonizimin, ishte përpjekja për të ruajtur elementët e sovranitetit që ende i vlerësonin, veçanërisht sovranitetin financiar dhe atë të sigurisë mbi ish-kolonitë e tyre.

Kështu, epoka pas vitit 1945 kishte gjithmonë këto dy shtresa. Për pjesën më të madhe të botës jashtë Evropës dhe Amerikës së Veriut, niveli i dytë (tregu politik) ishte një trashëgimi e perandorisë që kishte ende rëndësi.

Tregu politik u bë logjika dominuese në pjesën më të madhe të botës, fazë pas faze. Kjo ndodhi kur vendet u shpërbënë, siç ndodhi me Sudanin në vitet 1980. U bë një fenomen rajonal rreth 15 vjet më parë me disa zhvillime kyçe, përfshirë krizën financiare.

Kjo i shtrydhi aq shumë financat publike të vendeve të varfra, saqë ata në pushtet nuk mund të premtonin më zbatimin e programeve të mirëqenies. Gjithashtu, tërheqja e hegjemonisë ushtarake amerikane nga Lindja e Mesme bëri që aktorë të tjerë, veçanërisht Shtetet e Gjirit, të mbushnin atë boshllëk.

A do të thotë kjo që tregu politik lulëzon në një botë ku hegjemonia amerikane është në rënie?

Tani po zbehet një lloj i veçantë i hegjemonisë amerikane. Nëse shikoni mënyrën se si SHBA-ja e drejtoi Afganistanin, ai ishte zyrtarisht një program i ndërtimit të shtetit. Mirëpo, CIA kishte shumë para dhe ia jepte ato çdo udhëheqësi ushtarak që bashkëpunonte në luftën kundër talebanëve, edhe pse këta udhëheqës ishin thellësisht të korruptuar. SHBA-ja ishte një përdoruese shumë e paskrupullt e këtij mekanizmi.

Ju keni thënë gjithashtu se kleptokracia po bashkohet me gangsterizmin. A është kjo ajo që po ndodh tani në Venezuelë?

Ka të gjitha tiparet e një shembulli të pastër. Në epokën e Bushit, ndryshimi i regjimit nënkuptonte largimin e dikujt që nuk i pëlqente SHBA-së dhe eksperimentimin me demokracinë kushtetuese. Në epokën e tregut politik, një regjim si ai i Maduros drejtohet si një kartel kleptokratik, i bazuar te ryshfeti dhe krimi i organizuar.

Nëse do ta marrësh përsipër atë, do të duash të mbash të njëjtët operatorë, sepse ata nuk kanë besnikëri tjetër përveç fitimit. Venezuela duket si doktrina e re e “ndryshimit të regjimit” në epokën e kleptokracisë: mbajtja e strukturës së paprekur dhe vendosja e një “doni mafioz” të ri në krye.

Keni thënë se “politika globale e mafies” e bën sovranitetin kombëtar të rëndësisë dytësore ose fare të parëndësishëm. Cili është rreziku i ri për sundimin e ligjit?

Ajo që po shohim nën presidentin Trump është se nënteksti, marrëveshjet e pista që arrihen gjithmonë në prapaskenë, bëhet tani titull kryesor. Trump është i çliruar nga frenat. Mesazhi i tij nuk është “ne do t’u përmbahemi rregullave, por ndonjëherë do t’i thyejmë ato”.

Motoja e tij është: “S’ka rregulla, gjithçka varet nga ajo që themi ne!”. Trump ka marrë atë që ishte e nënkuptuar në sistem dhe e ka bërë të hapur.

Pra gjeokleptokracia e ka gëlltitur gjeostrategjinë?

Sigurisht që ka mbivendosje. Logjika që i bën gjërat të ecin përpara në këtë moment është gjeokleptokracia. Në shkallë globale, ajo që ka rëndësi është përdorimi i parave dhe forcës për të krijuar një sistem që gjeneron pasuri të pakufizuar për ata në krye. Kjo nuk përfshin domosdoshmërisht “vende”, por ndërmarrje të veçanta politiko-biznesi që shpesh zotërojnë vende të tëra.

Po përshkruani një tablo mjaft të zymtë…

Po, është një panoramë e zymtë. Hapi i parë drejt përballimit të kësaj situate është ta njohim gjendjen ashtu siç është. Duhet të gjejmë ngushëllim te ato vende ku klasa e biznesit dhe grupet qytetare janë bërë bashkë për të thënë se nuk mund ta lejojnë politikën të zhvillohet mbi këtë bazë korruptive./Përshtati "Pamfleti", nga  “Responsible Statecraft”

rendi i ri botëror donald trump

Lini një Përgjigje