TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Mars 2023, 10:37

PS hodhi poshtë kërkesën për përjashtimin e Spiropalit nga Kuvendi, Bylykbashi: Qeveria po përdor dy standarte

Shkruar nga Pamfleti

PS hodhi poshtë kërkesën për përjashtimin e Spiropalit

Deputetët e opozitës jashtë ambienteve të Kuvendit ditën e sotme kanë komentuar rrëzimin e kërkesës së tyre për përjashtimin e  ministres Elisa Spiropali nga seancat plenare me argumentin se kjo e fundit ka shkelur etikën me gjuhën e përdorur gjatë seancës së fundit në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Oerd Bylykbashi tha se vendimi i marrë ditën e sotme nga sekretariati i Etikës, tregon standartin e dyfishtë që sipas tij qeveria po përdor për të përjashtuar deputetët e opozitës me qëllim që këta të fundit të mos jenë të pranishëm për debat në seancë plenare.

“Kërkuam që të përdoret i njëjti standart që është përdorur masivisht kundër deputetëve të opozitës. Është tregues i qartë i dy standarteve që kjo mazhorancë po përdor si dhunim ndaj deputetëve të opozitës me qëllim që të pengojnë praninë e deputetëve në sallë. Kemi kërkuar thjesht mbajtjen e mocionit dhe ngritjen e komisionit për çëshjten ‘Mc Gonigal. Vendimi i mazhorancës që të rrëzojë kërkesën tonë për përjashtimin e Spiropalit, është standart i dyfishtë. Edi Rama që përfaqësohet nga Spiropali është simboli i dhunës verbale. Nuk presim zgjidhje nga kjo gjë.”,tha Bylykbashi.

Ata kërkuan edhe që të nesërmen, të pranishëm në seancë të jenë edhe 4 deputetët Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi të cilët me vendimin e 21 shkurtit, janë përjashtuar nga seancat plenare për 10 ditë që do të thotë se të nesërmen nuk do mund të jenë të pranishëm kur të mbahet mocioni me debat.

Teksa u pyet për mënyrën sesi do të veprohet në 3 mars pasi seanca e mocionit me debat pritet të zgjasë rreth 24 orë, Bylykbashi nuk preferoi të jepte një përgjigjie lidhur me organizimin e protestuesve të thirrur nga Berisha.  

Partia Demokratike ka bërë një kërkesë të premten, për përjashtimin me 10 ditë nga kuvendi të Elisa Spiropalit për shkak të sjelljes ndaj Edmond Spahos.

Në seancën e së enjtes, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ironizoi situatën e deputetit Edmond Spaho, i cili u përjashtua për sjelljen e tij në Kuvend, ku i ra edhe bilbilit.

“Një minutë heshtje për Edmond Spahon që ra në Komisionin e Etikës si revolucion i vërtetë. I palodhur, keqardhje që trashëgimia e tij e bilbilfryrjes nuk u trashëgua te ju. Ai ishte më i guximshëm se ju. Do jetë në zemrat tona deri pas 20 ditëve ku do të jetë sërish këtu bashkë me ju. Ju po e kërkoni kauzën aty ku nuk është. Ju akuzoni si denoncues të Zotit Basha.”, tha ajo.

Kjo deklaratë solli revoltimin e demokratëve në seancë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i tërhoqi vërejtje Spiropalit.

 

bylykbashi spiropali kuvend

Lini një Përgjigje