
Putini kërkon gjithë Donbasin si “çmim” për paqe, Ukraina përballë humbjes më të rëndë strategjike
Burime perëndimore raportojnë se Vladimir Putin i ka vënë një kusht të qartë çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje me Ukrainën: dorëzimin e të gjithë rajonit të Donbasit. Dhe ky kusht është vetëm një pjesë e kërkesave të tij.
Donbasi është zemra industriale e Ukrainës, i njohur për minierat e qymyrit, industrinë e rëndë dhe rezervat e mëdha minerale, ku përfshihen litiumi, titani dhe metalet e rralla strategjike. Që nga koha e Bashkimit Sovjetik, kjo zonë ka pasur edhe fabrikat kryesore të armëve. Aktualisht, Ukraina kontrollon rreth 30% të rajonit të Donetskut, ku përfshihen katër qytete kyçe: Sloviansk, Kramatorsk, Druzhkivka dhe Kostyantynivka. Ato përbëjnë një brez të fortifikuar 50-60 kilometra që ka rezistuar për më shumë se një dekadë ndaj ofensivave ruse. Vetë gjeneralët rusë i quajnë këto “qytetet-fortesa”.
Dorëzimi i kësaj zone nuk do të ishte thjesht humbje territoriale për Kievin, por rrëzimi i linjës më të fortë mbrojtëse që pengon ushtrinë ruse të përparojë drejt perëndimit të vendit dhe lumit Dnieper. Humbja e këtij brezi do t’i jepte Moskës jo vetëm avantazh ushtarak për sulme të reja, por edhe kontroll mbi resurset minerale që e bëjnë Donbasin një zonë me rëndësi gjeoekonomike globale.
Nga ana politike, lëshimi i territorit do të shihej si një tradhti e madhe për ukrainasit, të cilët kanë derdhur gjak dhe pasuri për ta mbrojtur që prej vitit 2014, kur Rusia aneksoi një pjesë të Donbasit. Një vendim i tillë mund të trondiste seriozisht edhe pozitën e presidentit Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë, diskutimet mbi “garancitë e sigurisë” që mund të ofronte Putin konsiderohen të pavlefshme nga shumica e opinionit ndërkombëtar. Historia e tij politike është e mbushur me premtime të thyera dhe marrëveshje të shkelura: nga Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, te Traktati i Miqësisë me Ukrainën i vitit 1997, marrëveshjet e Minskut dhe deri te gënjeshtrat e përsëritura në prag të pushtimit të plotë në 2022. Përvoja ka treguar se Putini i përdor marrëveshjet vetëm si mjete taktike dhe i thyen sapo i shërben interesit të tij strategjik.
Fakti se Moska nuk ka respektuar asnjë angazhim ndërkombëtar në çështjet e sigurisë evropiane është një paralajmërim i qartë: çdo “garanci” që ofron Putini nuk do të thotë asgjë. Në realitet, objektivi i tij mbetet i njëjtë, rikthimi i të gjithë Ukrainës nën kontrollin rus. /SkyNews
Lini një Përgjigje