Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh dakord me kërkesën e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, për ndryshimin e kuadrit kushtetues që rregullon mandatin e prokurorëve të posaçëm. Aktualisht, Kushtetuta parashikon një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, ku po shqyrtohej raporti vjetor i SPAK, Manja deklaroi se është i gatshëm të mbështesë një nismë për ndryshime kushtetuese, në mënyrë që prokurorëve të posaçëm t’u jepet mundësia të rikandidojnë për një mandat të dytë.
Deklarata e ministrit u kundërshtua nga deputetët e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët argumentuan se modeli aktual është miratuar me konsensus dhe se ndryshimi i tij nuk është i nevojshëm.
Manja: SPAK është organ kushtetues, ka jetëgjatësi si institucion. Pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, i thuhet të largohen dhe nuk u lejohet të rikandidojë. Kush dëshiron të rikandidojë, duhet t’i shtrohet një procesi vlerësimi për tu rizgjedhur. Ndaj unë u kërkoj edhe kolegëve të opozitës, sepse kjo kërkon edhe inciativë politike. Ka kushtëzime edhe sa i përket privatësisë suaj. Personalisht ndaj këtë mendim, ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë në KLP si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e prokurorëve e cënon cilësinë e hetimit. Bashkojmë votat, ndryshojmë kushtetutën dhe të heqim kufizimin për mandatin. Bashkë e kemi votuar ligjin aktual, 140 vota. Ti thua jam kundër zgjatjes së mandatit.
Bylykbashi: Ka qenë një deputet këtu që e votoj me sy mbyllur, edhe ti e ke votuar me sy mbyllur këtë ligj.
Manja: Ti ke votuar me sy mbyllur ligjin e dekriminalizimit. Shkruajte nesër në mëngjes, pasi na mblodhe në darke. Të duket i varur institucioni i SPAK.
Strazimiri: Ju thoni mbaroi mandati dhe për shkak të dosjeve që kanë mbetur të ndryshojmë kushtetutën.
Manja: E drejta për të rikandiduar është e drejtë kushtetuese.
Bylykbashi: Ligji aktual nuk thotë kështu.
Manja: Hajde ta ndryshojmë.
Bylykbashi: Komisioni i Venecias ka thënë ndryshe.
Manja: Po, por Komisioni i Venecias sugjerime jep. Gjërat nuk janë të shkruara në gur dhe nuk ndryshojnë.
Bylykbashi: Unë kam ndenjur shumë ditë pa gjumë për atë ligj.
Manja: Ishte i nevojshëm ky debat, sepse doja të kuptoja qasjen e këtyre, sepse pas kamerave shprehen ndryshe.
Lini një Përgjigje