Një fjali në fjalimin e Friedrich Merz në kongresin e partisë CDU jep një të dhënë të madhe për rikthimin e mudshëm të Angela Merkel.
Për gati një minutë të plotë, delegatët në kongresin e Bashkimit Kristian Demokrat në Shtutgart duartrokitën të ftuarën e nderit, të ulur në rreshtin e parë, ndërsa moderatori në podium nisi të shfaqte shenja padurimi.
“Në krah të saj …”, tha ai, duke u përpjekur të prezantonte personalitetin e radhës. Vetëm pasi ndërpreu për herë të dytë duartrokitjet, salla më në fund u qetësua.
Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë dhe kryetar i CDU, përjetoi një moment që mund të konsiderohet si një situatë e dyanshme: mirëseardhjen e Angela Merkel.
Merkel, kancelare nga viti 2005 deri në 2021, ish kryetare e CDU dhe për vite me radhë rivale e Merz, kishte qëndruar kryesisht larg aktiviteteve partiake pas largimit nga detyra. Megjithatë, të premten në Shtutgart, 71 vjeçarja u prit jo vetëm me mirësjellje, por me ngrohtësi të sinqertë. Shumë delegatë u ngritën në këmbë.
Kongreset partiake janë ngjarje të organizuara me kujdes, një kombinim mes tubimit politik dhe ribashkimit simbolik. Shfaqjet e unitetit shpesh fshehin tensione më të thella. Megjithatë, paraqitja e shkurtër dhe e heshtur e Merkel në Shtutgart dha një mesazh të qartë: për të, për Merz dhe për partinë që të dy formësuan. Pavarësisht debateve të brendshme mbi trashëgiminë e saj, një shkëputje formale nga epoka Merkel nuk duket e afërt.
Nëse vihet re një zhvillim, është se Merz po i afrohet gjithnjë e më shumë profilit politik të gruas kundër së cilës dikur e ndërtoi identitetin e tij politik.
Kjo zhvendosje u përmblodh në një fjali nga fjalimi i tij: “Kam marrë një vendim përfundimtar për të kërkuar mbështetje për politikat tona ekskluzivisht në qendrën politike.”
Kjo deklaratë shënoi një ndryshim të dukshëm. Ishte e vështirë të mos mendohej se Merkel e dëgjoi me njëfarë kënaqësie të përmbajtur.
Një vit më parë, në prag të fushatës për zgjedhjet federale në Gjermani, grupi parlamentar CDU CSU nën drejtimin e Merz paraqiti një mocion jo detyrues, por me peshë simbolike, për ashpërsimin e politikës së migracionit. Rezoluta kaloi vetëm sepse partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD, votoi pro, një tabu në politikën gjermane, ku partitë tradicionale mbajnë një mur ndarës kundër çdo forme bashkëpunimi me AfD.
“Nuk shoh as djathtas, as majtas; për këto çështje shoh drejt përpara”, deklaroi atëherë Merz. Shumë e interpretuan këtë si gatishmëri për të zbutur murin ndarës. E majta politike reagoi me alarm dhe pasuan protesta masive. Merkel, duke thyer heshtjen që kishte ruajtur pas largimit nga posti i kancelares, e kritikoi lëvizjen e Merz si një gabim.
Pak kush dyshon se ajo e mirëpret tani ripozicionimin e tij.
“E dashur Angela, mirë se erdhe në Shtutgart”
Kjo ngre një pyetje, përse Merkel u prit kaq ngrohtësisht në Shtutgart, ndonëse një pjesë e gjerë e partisë pranon se qeverisja e saj përfshiu gabime serioze, nga qasja ndaj Rusisë deri te menaxhimi i krizës së migracionit në vitin 2015?
Për vite me radhë, Merz mbajti distancë, duke premtuar ta bënte CDU sërish të dallueshme dhe shtetin gjerman më të aftë për të ushtruar autoritetin e tij. Tani ai deklaronte: “E dashur Angela, mirë se erdhe në Shtutgart.”
Kritikët në internet kanë krijuar termin e përbërë “Merzel”, për të ironizuar afrimin e perceptuar mes Merz dhe Merkel.
A tregon kjo zbutje të bindjeve? Apo Merz ka arritur në përfundimin se shumica në parti preferon harmoninë, reale apo të inskenuar, mbi konfliktin e hapur, veçanërisht kur në lojë është pushteti?
Kudo që Merkel lëvizte në qendrën e kongresit, kokat dhe telefonat celularë ktheheshin drejt saj. Delegatët e përshëndetën me përzemërsi, e përqafuan dhe kërkuan fotografi. Disa e përshkruan partinë si një “familje”, përfshirë edhe figura që dikur e kishin kritikuar.
Jana Schimke, ish deputete e CDU nga Brandenburg dhe aktualisht drejtuese e shoqatës gjermane të hoteleve dhe restoranteve, i përket krahut konservator që për vite kishte kundërshtuar kursin qendror të Merkel. “E shoh shumë pozitive që ish kancelarja është këtu”, tha ajo. Sipas saj, Merkel dëshiron të tregojë mbështetje për Merz.
Jens Spahn, tani kryetar i grupit parlamentar CDU CSU dhe dikur ministër i Shëndetësisë në qeverinë Merkel, mbajti të njëjtin ton. “Një kongres partie është moment pozicionimi, por është edhe një festë familjare”, tha ai. “Dhe Angela Merkel është pjesë e familjes.”
Volker Kauder, ish kreu për shumë vite i grupit parlamentar nën Merkel, u shpreh qartë: “Partia do unitet, jo përplasje.” Ndërsa kryeministri i Saksonisë, Michael Kretschmer, reagoi prerë ndaj idesë së një shkëputjeje nga Merkel: “Aspak!”
“Merzel”
Një ish ministër federal, që kërkoi të mbetet anonim për të folur hapur, ofroi një lexim më strategjik: për Merkel, vizita ishte një “fitore e dyfishtë”; ajo tregoi se ende i intereson partia.
Për Merz, pavarësisht mospëlqimeve personale, nuk kishte shumë alternativë veçse të përdorte një ton pajtues.
Sipas të njëjtit burim, mund të ketë pasur edhe një llogaritje elektorale. Në Baden Vyrtemberg, ku drejtuesi rajonal i CDU Manuel Hagel synon të mposhtë kandidatin e të Gjelbërve, Cem Özdemir, në zgjedhjet rajonale të 8 marsit, fotografitë me Merkel mund të tërheqin votuesit e qendrës së majtë më efektivisht sesa imazhet me Merz.
Në fund, CDU synon mbi të gjitha të qeverisë. Se nga cilat parti tërheq votues dhe me çfarë imazhi, mesazhi apo premtimesh, mbetet dytësore.
Brenda partisë ka pak rezistencë ndaj afrimit të perceptuar mes dy figurave. Rreth 91 për qind e delegatëve rizgjodhën Merz në krye të CDU në Shtutgart, një mbështetje më e fortë se ajo që mori së fundmi homologu i tij bavarez, kreu i CSU Markus Söder, apo zëvendëskancelari Lars Klingbeil nga Socialdemokratët.
Merz largohet nga Shtutgart si fitues. Por edhe Merkel mund të pretendojë një fitore të heshtur dhe të vonuar./ Politico.eu
Lini një Përgjigje