TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Maj 2025, 13:30

Pse ndarja e botës në sfera ndikimi midis të mëdhenjve nuk e garanton më paqen

Shkruar nga Sarang Shidore
Pse ndarja e botës në sfera ndikimi midis të mëdhenjve nuk e
Donald Trump

Edhe nëse fuqitë e mëdha mund ta copëtojnë sipas interesave të tyre një botë të ndërlidhur, Uashingtoni, Moska apo Pekini mund të mos arrijnë atë synojnë...

Përplasja e ashpër verbale para mediave në Zyrën Ovale midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, deklarata e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio se Ukraina “nuk është lufta jonë” dhe pranimi i heshtur i presidentit rus Vladimir Putin ndaj aneksimit të mundshëm të Grenlandës nga SHBA-ja, kanë shtuar spekulimet se Uashingtoni po e braktis modelin e vjetër të bazuar tek aleatët dhe partnerët, dhe po ndjek qasjen e vjetër të sferave të ndikimit.

Këto sinjale, janë konfirmuar edhe nga fjalimi i fundit i Trump në Arabinë Saudite, ku presidenti hodhi poshtë atë që ai e pa si një prirje të presidentëve të mëparshëm të SHBA-së për të “parë në shpirtrat e udhëheqësve të huaj dhe përdorur politikën amerikane për të vendosur drejtësi për mëkatet e tyre”.

Premtimi i madh i qasjes së sferave të ndikimit është zvogëlimi, në mos po edhe eliminimi i rrezikut të luftës botërore. Ndërsa fuqitë e mëdha e copëtojnë botën, kufizojnë interesat e tyre të përcaktuara dhe respektojnë “oborret” e njëra-tjetrës, kanë më pak mosmarrëveshje, dhe rrjedhimisht më pak arsye për t’u angazhuar në konflikt.

Ose të paktën kështu pretendohet. Dhe një premtim i tillë nuk duhet të shpërfillet lehtë. Sepse në epokën tonë të armëve bërthamore dhe raketave hipersonike, luftërat midis fuqive të mëdha llogariten si ndër kërcënimet ekzistenciale për njerëzimin.

Në shumë aspekte, sot po jetojmë në një botë më të rrezikshme se fazat e fundit të Luftës së Ftohtë. Vitet e fundit, janë shoqëruar me rreziqe në rritje të një përplasjeje të drejtpërdrejtë Rusi-NATO në Ukrainë, dhe një përkeqësim të marrëdhënieve të sigurisë me Kinën mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

Për të mos përmendur tensionet e zmadhuara nga fuqitë e mëdha në Sahel dhe Lindjen e Mesme. Kontrolli i armëve varet në fije të perit, dhe rënia e unipolaritetit e ka shqetësuar Uashingtonin. Në këto kushte, nëse sferat e ndikimit i zvogëlojnë në mënyrë dramatike shanset e një lufte botërore, dhe kjo mund të jetë vetëm një gjë e mirë.

Por një analizë më e hollësishme, tregon se sferat e ndikimit nuk mund të jenë më zgjidhja e duhur në kohën tonë. Konceptualizimi i sferës së ndikimit nga SHBA-ja është shumë i gjerë dhe nuk do të jetë i pranueshëm për Kinën. Në një botë të ndërlidhur, ndarja gjeografike është jashtëzakonisht sfiduese.

Dhe Jugu Global nuk është ai që ishte dikur, dhe mund t’i rezistojë një konfigurimi të tillë në mënyra të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Sferat e ndikimit, janë një lloj marrëveshjeje midis fuqive të mëdha për të rregulluar botën. Tradicionalisht, ato përfshijnë një ndarje të nënkuptuar territoriale midis fuqive të mëdha, të shoqëruar me një kuptim të përbashkët se si të ruhet marrëveshja dhe sheshohen mosmarrëveshjet.

Ky term u përdor për herë të parë në kontekstin e Lojës së Madhe (një luftë e shekullit të XIX-të midis perandorive britanike dhe ruse), kur në vitin 1869 diplomati rus Alexander Gorchakov e siguroi Lordin Clarendon, Ministrin e Jashtëm të Britanisë në atë kohë, se Afganistani ndodhej “plotësisht jashtë sferës, brenda së cilës Rusia mund të ushtronte ndikimin e saj”.

Një seri konsultimesh midis fuqive të mëdha, kishin filluar që me Kongresin e Vjenës në vitet 1814-1815, i pasuar nga Konferenca famëkeqe e Berlinit e viteve 1884-1885, e cila ndau Afrikën midis fuqive evropiane. Këto takime, synonin të arrinin një ekuilibër fuqie në kontinentin evropian, si dhe të përcaktonin zonat e kontrollit në territoret përtej.

Në kontekstin aktual, mund të imagjinojmë një ndarje të re të botës midis 3 fuqive të mëdha - Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës - si më poshtë: Uashingtoni do të kishte ndikimin në dy Amerikat, Evropë, pjesë të Lindjes së Mesme, Japoni dhe Australi.

Moska ”përreth territorit të saj të gjerë”, ndërsa Pekini do të kishte ndikim mbi një pjesë të Azisë Lindore dhe pjesën më të madhe të Azisë Juglindore. Por janë të imagjinueshme edhe marrëveshje të tjera. Që të jemi të qartë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një politikë zyrtare të sferave të ndikimit, dhe nuk ka gjasa që për këtë të ketë së shpejti një deklaratë.

Por shumë shenja, tregojnë se po eksperimentohet një strategji e madhe shumë e ndryshme nga ajo e dekadave të unipolaritetit që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Administrata Biden u përpoq me guxim të ruante supremacinë e SHBA-së. Edhe pse herë pas here pranonte retorikisht multipolaritetin, politikat e saj në terren synonin ruajtjen e dominimit të SHBA-së në nivel global dhe në të gjitha dimensionet e pushtetit: ushtarak, ekonomik dhe institucional.

Ndërkohë, pranimi më i qartë i multipolaritetit nga administrata e re, është një fillim premtues për reformimin e politikës së jashtme të SHBA-së. Pas një lufte të shkurtër tregtare, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë njoftuar tani atë që duket të jetë një marrëveshje progresive.

Po ashtu, Trump është shprehur i gatshëm për një marrëveshje mbi reduktimin e armëve bërthamore me Rusinë dhe Kinën, dhe për përgjysmimin e buxheteve të mbrojtjes nga secila prej tyre. Ndërkohë administrata aktuale, është përqendruar më shumë tek Hemisfera Perëndimore.

Dëshira e shprehur për të blerë Kanalin e Panamasë, Groenlandën dhe Kanadanë, tregon se Shtetet e Bashkuara po përqendrohen tek Amerika më intensivisht sesa e kanë bërë ndër dekada. Këto lëvizje sugjerojnë një kthim tek Doktrina Monroe.

Përveç kësaj, politika e tarifave të larta e Uashingtonit, i ka trajtuar më pak ashpër shtetet e Amerikës Latine, një lëvizje që shihet si mbrojtje kundër ndërhyrjeve kineze. Por nëse Shtetet e Bashkuara do ta kufizonin zonën e dominimit të tyre në “oborrin” e tyre dhe tek një sërë aleatësh dhe partnerësh në Evropë dhe Azi, Rusia dhe Kina ka të ngjarë të ishin dakord.

Në fakt, fushëveprimi i është shumë më i gjerë. Administrata Trump ka vënë në shënjestër grupin BRICS, dhe ka vendosur të bojkotojë samitin e ardhshëm të G-20 në Johanesburg. Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion mbi pjesën më të madhe të botës, që të përjashtojnë Kinën nga ekonomitë e tyre, duke përdorur si mjet presioni politikën e saj tarifore.

Nga ana tjetër, Kina nuk ka gjasa të pranojë të kënaqet vetëm me një sferë të caktuar ndikimi, të kufizuar vetëm në ujërat e saj bregdetare. Ndërsa sferat e ndikimit, e ruajtën në përgjithësi paqen në Evropë për pjesën më të madhe të shekullit XIX-të, marrëveshja nuk zgjati shumë.

Ndërsa shtetet po ngriheshin, po zgjeroheshin edhe interesat e tyre. Kur një shtet i ri si Gjermania po ngrihej dhe përpiqej të bëhej një fuqi e madhe, Britania dhe Franca nuk mund ta toleronin këtë. Mosmarrëveshjet mbi kolonitë ishin shumë destabilizuese.

Ndaj nëse kontrolli dhe ndarja territoriale do të bëheshin pika e re e referencës për pushtetin dhe suksesin, çdo mirëkuptim i mëhershëm midis fuqive të mëdha aktuale mund të jetë jetëshkurtër. Ambiciet e disa fuqive të mesme në rendin aktual, do të zgjerohen natyrshëm, ndërsa rritet fuqia e tyre.

Madje disa prej tyre, mund të dëshirojnë zonat e tyre të zgjeruara të kontrollit. Ndaj premtimi i paqes në një botë të re me sfera ndikimi, mund të jetë një iluzion./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Policy”

Lini një Përgjigje