TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2025, 21:16

Pse Putinit i intereson paqja në Ukrainë?!

Shkruar nga Mark Galeotti
Pse Putinit i intereson paqja në Ukrainë?!
Vladimir Putin

Duke lënë mënjanë retorikën agresive nga ekspertët dhe politikanët e dorës së dytë, nuk ka asnjë ide të qartë nëse Putini ka ndonjë dëshirë për të sulmuar NATO-n.

Me një kufi prej 830 miljesh me Rusinë, nuk është çudi që Finlanda i kushton vëmendje të madhe planeve ushtarake të Moskës. Kryeministri finlandez, Peteri Orpo, ka paralajmëruar se paradoksalisht paqja në Ukrainë do të rriste kërcënimin potencial për NATO-n.

Pavarësisht nëse siç pretendoi Donald Trump, bota është “më afër tani se sa ka qenë ndonjëherë” një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, kurdo që të ndodhë kjo, Rusia do të jetë e lirë jo vetëm të kthejë shumë nga trupat e saj në pozicionet përgjatë kufijve të saj me NATO-n, por edhe të ecë përpara me plane ambicioze për të riarmatosur dhe zgjeruar ushtrinë e saj.

Aktualisht, lufta ka angazhuar ndoshta 95 për qind të forcave tokësore operacionale të Rusisë. Nga marinsat e caktuar në Flotën e Paqësorit, deri tek trupat e specializuara të luftës në Arktik, tek Brigada e 200-të e Motorizuar e Gardës, njësi nga e gjithë Federata Ruse u mblodhën me dëshpërim për luftën, kur u bë e qartë se pritshmëria e Putinit për një fitore të shpejtë dhe pothuajse pa gjakderdhje në vitin 2022, ishte shumë larg realitetit.

Shumë nga këto njësi tani, janë vetëm një hije e vetvetes së tyre të dikurshme, ndërsa të tjerat janë rikonfiguruar. Për shembull Brigada e 200 -të, është zgjeruar këtë vit në Divizionin e 71 -të Gardës.

Më shumë sesa thjesht urgjencat e konfliktit në Ukrainë, këto lëvizje paralajmërojnë edhe një plan ambicioz për zgjerimin pas luftës.

Në fillim të vitit 2023, Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, paraqiti një plan për të rritur numrin total të forcave të armatosura ruse në 1.5 milion personel, një rritje prej 150.000 nga madhësia e tyre në fillim të luftës ndaj Ukrainës.

Putini pretendoi se ky synim ishte arritur në fund të vitit 2024. Por të hënën, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, Marshalli Riçard Najton, sugjeroi se në realitet bëhet fjalë për afro 1.1 milion trupa. Megjithatë, sapo të ndalet hemorragjia si pasojë e luftës në Ukrainë, nuk ka dyshim se rusët do të vazhdojnë të përpiqen që ta arrijnë këtë objektiv të ri.

Për këtë qëllim, po bëhen përgatitje për vendosjen e këtyre trupave shtesë, sapo ato të mos jenë më të angazhuara në Ukrainë. Për shembull, Divizioni i 71-të, është pjesë e Korpusit të 14 -të të ushtrisë, me qendër në Murmansk në bregdetin e Oqeanit Arktik, i cili është në proces zgjerimi në një ushtri të plotë, e cila mund të kërcënojë si Norvegjinë ashtu edhe Finlandën në Veri e Epërm.

Më në jug, Finlanda përballet gjithashtu me Ushtrinë e 6-të të Distriktit Ushtarak të Leningradit dhe Korpusin e 44 -të të Ushtrisë  të sapokrijuar. Shumica e trupave të tyre, mund të jenë momentalisht në Ukrainë, por po vazhdon ndërtimi i kazermave, bunkerëve dhe pozicioneve të reja të qitjes, që do të jenë gati për rikthimin e tyre dhe përgatitjen për përballjen me NATO-n.

Ky është një model i zakonshëm përgjatë krahut lindor të aleancës, me trupa shtesë që ka të ngjarë të vendosen në Bjellorusi, afër kufirit polak. Po ashtu, rusët po synojnë të përmirësojnë armatimin e tyre. Në disa raste, kjo do të thotë vetëm modernizim i pajisjeve ekzistuese.

Këtë javë u njoftua se Korpusi i 11- të i Ushtrisë në Kaliningrad, një enklavë ruse e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë, do të zëvendësonte tanket e tij të vjetra T-72 me tanket më të fundit të tipit T-90. Kjo do të thotë gjithashtu rikonfigurim i tyre duke pasur parasysh mësimet taktike të fituara me shumë sakrificë nga luftë në Ukrainë.

Ushtria ruse mbetet e përqendruar tek kupola dhe hierarkia, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valeri Gerasimov nuk ka arritur të kuptojë ndryshimet doktrinare të nevojshme për ta maksimizuar këtë përvojë.

Megjithatë, do të ishte e rrezikshme të nënvlerësohej aftësia e rusëve për të përvetësuar këto mësime dhe për t’u përshtatur me rrethanat. Ironia është se ndonëse trupat ruse që shohim në videot e mediave sociale duken si endacakë dhe hajdutë, duke sulmuar në këmbë ose me motoçikleta linjat ukrainase, në praktikë, siç e ka paralajmëruar edhe Najton, Moska po ndërton “një ushtri të madhe, gjithnjë e më të sofistikuar teknikisht dhe që tani ka një përvojë të madhe në luftime”.

Siç paralajmëroi një zyrtar i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes: “Mënyra se si rusët po mësojnë është shpesh e ngathët dhe pa shumë vlerë, por po bëhet gjithnjë e më e shpejtë. Ne jemi ende duke e kuptuar revolucionin e dronëve rusë, por është fakt që tani ata po ia dalin mbanë”.

Sigurisht, aftësia është vetëm një pjesë e ekuacionit të kërcënimit, ndërsa pjesa tjetër është qëllimi. Duke lënë mënjanë retorikën agresive nga ekspertët dhe politikanët e dorës së dytë, nuk ka asnjë ide të qartë nëse Putini ka ndonjë dëshirë për të sulmuar NATO-n.

Megjithatë, ai ose një pasardhës i tij mund të jetë edhe më agresiv dhe i pamatur. Sidoqoftë, ironia është se një paqe e vonuar në Ukrainë, do të krijojë mundësinë që Rusia të rivendosë ushtrinë e saj në kufijtë e NATO-s dhe të investojë në zgjerimin dhe modernizimin e saj me 6 për qind të PBB-së që po shpenzon për sigurinë.

Siç më tha një oficer i ushtrisë finlandeze muajin e kaluar: “Ne duam paqe, por paqja për Ukrainën, do të thotë më shumë shqetësime për ne të tjerët...”./ Përshtati "Pamfleti", nga  “The Paper”

putin ukraina lufta

Lini një Përgjigje