TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Korrik 2026, 19:00

Shqipëria në revoltë kundër korrupsionit dhe oligarkisë!

Shkruar nga Sander Barrez
Shqipëria në revoltë kundër korrupsionit dhe
Oligarkët mbërthejnë shtetin

Kryengritja popullore, kundër një klase të korruptuar dhe të marrë peng nga oligarkët

Xhemali është rritur në Shqipëri dhe e njeh vendin si pëllëmbën e dorës. Ne qëndrojmë në shtëpinë e mikut të tij, Arturit. Edhe ai është aktiv në lëvizje, ashtu si edhe pjesa tjetër e grupit të tij të miqve. Çdo mbrëmje, kur temperaturat bien disi, pothuajse i gjithë qyteti mblidhet në bulevardin kryesor të kryeqytetit, Tiranës.

"Rama burg! Berisha burg!" bërtet turma. Kryeministri dhe lideri kryesor i opozitës janë shënjestrat e zemërimit të protestuesve. Turma kërkon t’i shohë të dy në burg.

Eksodi i madh

Atë mbrëmje jemi edhe ne aty. Arturi na tërheq mes turmës. Shoh një të moshuar që bërtet se jeta nuk ka më kuptim që kur fëmijët e tij janë larguar nga vendi. Një grua e re, përfaqësuese e studentëve, më shpjegon se pothuajse një milion shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit.

"Tani në Shqipëri kanë mbetur vetëm dy milionë banorë", thotë ajo. Nuk janë shumë për një vend pothuajse sa Belgjika. Kjo është domethënëse. Të rinjtë po largohen nga vendi dhe norma e lindshmërisë është ndër më të ulëtat në Evropë.

Pagat dhe pensionet janë të ulëta, ndërsa shëndetësia, arsimi dhe transporti publik janë privatizuar. Lista e problemeve është e pafund. "Nëse jeta këtu do të ishte më e lehtë, pse dikush do të linte gjithçka dhe të shpërngulej në Belgjikë?"

Një burrë karizmatik, me mjekër të rregulluar dhe flokë të stiluar me xhel, i jep ton bisedës.

"Për një punë prej tetë deri në dymbëdhjetë orësh në ditë, në Shqipëri paguhesh nga 500 deri në 750 euro. Qiraja e një banese kushton të paktën 450 euro. Si mund të mbijetosh në këto kushte?"

Edhe fëmijët e Arturit jetojnë të gjithë jashtë vendit. Nëse arrin të gjesh një punë që përputhet me diplomën tënde, largohesh. Megjithatë, ka edhe përjashtime.

"Unë do të qëndroj në Shqipëri", thotë me vendosmëri e reja me të cilën nisa bisedën. "Dikush duhet t’u bëjë ballë oligarkëve."

"Po e shesin vendin tonë"

Korrupsioni. Kjo është fjala që del në çdo bisedë, sa herë përpiqem të kuptoj shkaqet e lëvizjes së protestës.

Pas dy ditësh protestash, nisemi drejt jugut. Shkojmë në Sazan, ishullin që Jared Kushner dhe Ivanka Trump duan të blejnë, si dhe në Zvërnec, zonën e mrekullueshme dhe të paprekur natyrore ku flamingot pritet t'ua lënë vendin resorteve luksoze. Mënyra se si vendi po shitet këtu është simbol i diçkaje shumë më të madhe.

Gjatë rrugës kalojmë pranë aeroportit që është në ndërtim; më shumë se 50% e punimeve tashmë kanë përfunduar. Teksa afrohemi pranë bregdetit, shohim se po ndërtohen hotele dhe apartamente luksoze. Ethet e ndërtimeve duket se nuk kanë fund.

"Shqiptarët që nuk kanë para nuk mund ta shijojnë më detin këtu. Marrja me qira e një shezlongu në plazh kushton 20 euro."

Resortet shtrihen deri në horizont. Shqiptarët, në praktikë, po dëbohen nga bregdeti.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, thuhet se është bërë normale që oligarkët dhe korporatat e huaja shumëkombëshe të marrin toka me çmime simbolike. Ndërkohë, fermerët që i kanë përdorur ato toka detyrohen të largohen.

Vazhdojmë udhëtimin.

"A e dini që kemi naftën më të shtrenjtë në gjithë Ballkanin?", më thotë Igli, shoferi ynë, ndërsa presim trenin në një kalim hekurudhor.

Treni lëviz shumë ngadalë. Ajri është i mbushur me erën e naftës.

"Nafta që kalon këtej ngarkohet në anije në port. Dikur kishim rafinerinë tonë, por tani nafta dërgohet jashtë vendit për t'u përpunuar dhe më pas kthehet këtu me një çmim më të lartë. Nafta jonë kushton më pak në vendet fqinje. A e besoni?"

Ai tren mallrash, ndërkohë, është i vetmi tren që vazhdon të funksionojë në Shqipëri.

Dikur, të gjitha qytetet kryesore ishin të lidhura me linja hekurudhore dhe autobusë publikë.

"Sot jemi të detyruar të blejmë makinë, por rrugët tona mezi janë të kalueshme."

Sipas bashkëbiseduesve, oligarkët ndërtojnë autostrada me pagesë, ndërsa shteti lejon që rrugët publike të degradojnë. Pasojat i përjetojmë edhe vetë. Qytetet janë të paralizuara nga trafiku, sepse praktikisht nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç automobilit.

Për më tepër, sipas tyre, pothuajse të gjitha hapësirat publike në Tiranë po ndërtohen nga kompanitë e ndërtimit.

Me zemër të rënduar dhe një ndjenjë nostalgjie, Xhemali më shëtit në një lagje.

Përballë pallatit ku po qëndrojmë dikur ndodhej një fushë basketbolli. Në krah ishte një sallë e vogël ku të rinjtë bënin prova muzike.

Tashmë gjithçka i ka lënë vendin apartamenteve luksoze.

Kinemaja, fusha e futbollit, parku, shatërvani. E njëjta histori përsëritet kudo.

"Nuk ka mbetur më hapësirë për njerëzit. Ka vend vetëm për të konsumuar në restorante dhe kafene. Dikur të gjithë mblidheshin në të njëjtin shesh, të rinj e të moshuar. Nëse nuk të shihnin për një ditë, pyesnin se çfarë kishte ndodhur me ty. Sot të rinjtë janë të detyruar të rrinë në shtëpi me telefonin në dorë", thotë Xhemali.

Një ofertë për ndërtim si praktikë e pastrimit të parave

Tirana, me gjithë ato hapësira të gjelbra dhe publike që më përshkruajnë... e kam të vështirë ta imagjinoj. Sot, madje edhe pjesë të trotuareve po zihen për të zgjeruar kafenetë dhe restorantet. Madje, sipas Arturit, ekzistojnë plane edhe për shembjen e shtëpisë së tij, në mënyrë që në vend të saj të ndërtohet një godinë shumëkatëshe.

"Na premtuan një apartament të ri dhe fitime të mëdha, por njerëzit që njoh dhe që nënshkruan kontratën nuk e panë më kurrë ndërtuesin pasi ndërtesa u shemb. Në vend të saj mbeti vetëm një kantier ndërtimi," tregon Arturi.

Të ndërtosh pallate e më pas t'i lësh bosh. Për mua kjo nuk ka kuptim, megjithatë ndodh. Popullsia po pakësohet, ndërsa Shqipëria është kthyer në një kantier gjigant ndërtimi.

Një mbrëmje, Xhemali më tregon ndërtesën më të lartë në Shqipëri. Në të gjithë fasadën është stampuar harta e vendit.

"Në këtë ndërtesë gjigante janë shitur vetëm dymbëdhjetë apartamente," thotë ai.

Është errësirë e plotë dhe në të gjithë godinën nuk ndizet asnjë dritë. Si është e mundur?

Sipas bashkëbiseduesve, sektori i ndërtimit është një nga mënyrat më fitimprurëse për pastrimin e parave. Para që vijnë nga trafiku i drogës ose para të pista të oligarkëve pastrohen përmes investimeve në ndërtim. Megjithatë, mbledhja e dëshmive për këtë çështje është e vështirë. Të gjithë, sipas tyre, e dinë se çfarë ndodh, por të flasësh publikisht konsiderohet shumë e rrezikshme.

Oligarkët

Thuajse harrohet se dikur pasuria kombëtare e Shqipërisë ishte në pronësi publike. Gjatë periudhës së socializmit të Enver Hoxhës, vendi prodhonte pothuajse gjithçka vetë, sidomos pasi ishte izoluar politikisht dhe ekonomikisht nga pjesa tjetër e botës.

Duke biseduar me njerëzit, kuptoj se askush nuk ndien nostalgji për kohën kur policia të ndalonte nëse vishje rroba perëndimore apo kur dëgjimi i radios italiane ishte i ndaluar. Megjithatë, shumë prej tyre kanë ndjesinë se komunizmi nuk ka rënë kurrë plotësisht.

Ndërkohë, kapitalizmi ka hyrë në Shqipëri. Pasuritë kombëtare, sipas bashkëbiseduesve, iu shitën një grushti oligarkësh. Njerëz që më parë mbanin poste të rëndësishme u gjendën në krye të sistemit të ri. Sipas tyre, është pikërisht ky grup që dikton rregullat në Shqipëri. Sektorët kryesorë të ekonomisë, përfshirë edhe mediat, janë në duart e tyre.

Partia në pushtet e Edi Ramës dhe partia kryesore opozitare konsiderohen, sipas bashkëbiseduesve, si marioneta të oligarkëve.

"Vetëm shkurtojnë, shkurtojnë, shkurtojnë. Këta njerëz nuk bëjnë asgjë tjetër," thotë Xhemali.

Ndërsa kalojmë nëpër sheshin qendror të Tiranës, ai më tregon një histori: "Pas revolucionit, komunistët e shndërruan parlamentin borgjez në një teatër kukullash për fëmijë. Në fakt, kjo metaforë për mënyrën se si funksionon sistemi ynë është ende aktuale."/ Përshtati “Pamfleti” nga “DeWereldMorgen”

oligarket shqiperia

Lini një Përgjigje