Përmes këtyre zërave, shërbimet sekrete ruse synon të testojë reagimin e Kinës ndaj sinjaleve destabilizuese, të masë ndjenjën publike brenda Rusisë ndaj Kinës, si edhe të hedhë themelet për narrativa alternative, në rast se Kina nis të distancohet nga Moska.
Disa media në gjuhën ruse dhe kanale në platformën Telegram, kanë qarkulluar thashetheme, sipas të cilave udhëheqësi kinez Xi Jingping ka pësuar një goditje në tru, apo se po përballet me kancerin.
Ata përmendin mungesën e tij në disa takime të rëndësishme, ndryshimet e dukshme fizike në daljet e fundit në publik, por edhe informacione të pa verifikuara nga burime të brendshme. Këto zëra mbërritën kulmin gjatë disa momenteve të rëndësishme.
Së pari, pas anulimit të fjalimit të planifikuar i Xi-së në një samit të BRICS-it. Së dyti, në mesin e tensioneve në rritje mbi Tajvanin dhe rivalitetin strategjik SHBA-Kinë. Deri tani nuk ka asnjë deklaratë nga autoritetet kineze ose ruse që t’i vërtetojë këto pretendime.
Pekini i trajtoi ato si të pabaza. Dhe në fakt edhe cilësia e burimit është e diskutueshme. Raporte të tilla, lidhen me blogerë të pa verifikuar ose ndikues në Telegramit si “RuNews24”, të njohur për pabesueshmërinë e tyre.
Ndaj sipas shumë analistëve, këto duket të jenë thashetheme klasike të stilit të Luftës së Ftohtë, që qarkullojnë enkas nëpërmjet burimeve gjysmë anonime në platformat sociale, pa një verifikim të vërtetë.
Po pse këto lajme të rreme po qarkullojnë tani, dhe cilat janë synimet e mundshme të Kremlinit?
Së pari, Rusia mund të jetë duke shqyrtuar gatishmërinë e Kinës për ta mbështetur ose distancuar në mesin e presionit në rritje të Perëndimit.
Së dyti, Moska synon të nxitë një paqartësi strategjike në Pekin. Një Xi shëndetlig, mund të nënkuptojë se udhëheqja e Kinës është e cenueshme ose e shpërqendruar.
Së treti, zërat mbi shëndetin e Xi, mund ta zhvendosin fokusin e brendshëm nga çështjet e Rusisë apo të prodhojnë pasiguri në raportet Kinë-Rusi. Nëse besohen gjerësisht, thashetheme të tilla mund të nxisin ankthe për trashëgiminë ose të shkaktojnë grindje të brendshme brenda PKK-së.
Gjithsesi, për shkak të kontrollit shtetëror të medias në Kinë dhe mungesës së provave, efektet ka të ngjarë të jenë minimale. Ndërkohë këto zëra, nuk sinjalizojnë një ndryshim diplomatik serioz. Sepse ato pasqyrojnë taktika psikologjike joformale dhe jo politikën zyrtare.
Nëse janë këmbëngulëse, rrezikojnë ta shkatërrojnë besimin e ndërsjellë mes palëve, por për momentin ka të ngjarë të jenë brenda “zonës gri” të lejueshme të operacioneve të ndikimit. Në lidhje me perceptimin global, analistët perëndimorë mund ta lexojnë këtë si një shenjë të operacioneve psikologjike të “fushës së provës” , por kjo nuk i ndryshon pozicionet gjeopolitike.
Kina mbetet partnerja kryesore strategjike e Rusisë, veçanërisht në fushat e energjisë, teknologjisë dhe diplomacisë. Asnjë provë e besueshme, nuk mbështet pretendimet e fundit se Xi Jinping pësoi një goditje në tru, aneurizëm apo vuan nga një sëmundje të rëndë.
Një verifikim faktesh nga Reuters i imazheve të marsit 2024, tregon se Xi bënte disa pauza gjatë seancave, pa shfaqur shenja të ndonjë goditjeje në tru. Ai vazhdon të shfaqet në aktivitetet ekonomike dhe takimet diplomatike të profilit të lartë, pa ndërprerje në detyrat e tij zyrtare.
Axhenda e tij e ngjeshur dhe angazhimi i dukshëm në çështjet shtetërore, sugjerojnë një gjendje të përgjithshme fizike të mirë, ndonëse ngarkesa e madhe e punës mund të shkaktojë lodhje, tipike për çdo udhëheqës. Atëherë çfarë po i nxit këto thashetheme?
Së pari kultura e sekretit në Kinë. Autoritetet kineze, nuk i konfirmojnë apo hedhin poshtë spekulimet shëndetësore, duke nxitur hamendësime sa herë që Xi mungon në ndonjë takim të profilit të ulët. Së dyti, operacionet psikologjike nga aktorë të huaj.
Mediat në gjuhën ruse dhe kanalet Telegram, i amplifikuan thashethemet e pa verifikuara, me shumë mundësi si pjesë e manipulimit të informacionit që synonte të fuste dyshime mbi stabilitetin e lidershipit global.
Në Rusi, përhapja e thashethemeve rreth shëndetit të Xi Jinping, ka të ngjarë të përfshijë një rreth të ngushtë por të fuqishëm aktorësh brenda ekosistemit të inteligjencës, luftës së informacionit dhe propagandës. Këta aktorë nuk po veprojnë sipas ndonjë teke.
Përkundrazi, ata kanë qëllime strategjike të lidhura me pozicionin global të Rusisë, veçanërisht në konkurrencën e saj asimetrike me Perëndimin dhe marrëdhënien komplekse me Kinën. Ndër ta bëjnë pjesë GRU (Drejtoria Kryesore e Inteligjencës), që duket se synon të testojë reagimin e Kinës ndaj sinjaleve destabilizuese, FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë), që synon të masë ndjenjën publike brenda Rusisë ndaj Kinës, por edhe të hedhë themelet për narrativa alternative, në rast se Kina nis të distancohet nga Moska.
Pastaj janë rrjetet ruse të propagandës të lidhura me shtetin (p.sh Tsargrad, Sputnik, disa rrjete në Telegram) që synojnë të përgatisin audiencën vendase për një ndryshim në politikën e Kremlinit ndaj Kinës, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Pra në tërësi, fushata e thashethemeve rreth shëndetit të Xi Jinping, nuk buron nga blogerë mashtrues. Ajo i përshtatet manualit të strategjisë së “shtetit të thellë” rus: shfrytëzo pasigurinë, dobëso konkurrentët dhe kontrollo narrativat, madje edhe në kurriz të aleatëve të supozuar./ Përshtati "Pamfleti" nga “Lansing Institute”
Lini një Përgjigje