TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Dhjetor 2024, 22:34

Pse shkërmoqen ushtritë përballë një kryengritjeje?

Shkruar nga Stuart A.Reid

Pse shkërmoqen ushtritë përballë një kryengritjeje?

Në çdo rast është e pamundur të parashikohet koha e kolapsit.

Pas 6 vite luftë civile, Siria e Bashar Al-Assad ishte vendosur në 2017-ën në një normalitet të ri. Sigurisht, jo në normalitetin e qetë të para Pranverës Arabe që familja Assad kishte shijuar që nga shtypja brutale e një kryengritjeje islamike në vitet 1980. Megjithatë, ishte një lloj normaliteti krahasuar me vitet e fundit.

Me ndihmën e Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut - dhe për habi edhe të Shteteve të Bashkuara, që po sulmonin ISIS - forcat e Asadit kishin arritur t’i mposhtnin rebelët. Me kalimin e viteve, regjimi i tij arriti të kontrollonte afro 2/3 e Sirisë. I sigurt në pushtet, Assadi nisi të udhëtonte jashtë vendit, duke vizituar Moskën, Pekinin, Abu Dhabin dhe Teheranin.

Duket se të gjithë po e pranonin, edhe pse jo me shumë bindje, se diktatori sirian do të mbetej në pushtet edhe për shumë vite të tjera. “Normalizim” ishte kryefjala jo vetëm midis diplomatëve të Lindjes së Mesme, por edhe disa prej atyre në Perëndim. Madje në shtator, Italia emëroi ambasadorin e saj të parë në Siri pas një ngrirjeje 13-vjeçare të raporteve diplomatike.

Por pas një ofensive të befasishme 10-ditore nga grupi rebel Hayat Tahrir Al-Sham, ai stabilitet u zhduk. Ushtria Arabe Siriane u shpërbë, ushtarë braktisën vendet e tyre dhe hoqën uniformat. Rebelët morën Damaskun pa luftë, dhe Assadi u arratis në Moskë. Edhe opozita u habit se sa e lehtë ishte.

Dorëzimi i papritur i ushtrisë siriane, është në fakt pjesë e një tradite të gjatë të ushtrive të forta nga pamja ee jashtme, por të brishta në thelbin e tyre, dhe që kapitullojnë me shpejtësi përballë përparimeve të forcave rebele. Më së afërmi në kohë, Ushtria Kombëtare Afgane, e stërvitur dhe e pajisur nga Shtetet e Bashkuara me një kosto prej 83 miliardë dollarësh gjatë 20 viteve,  u shkërmoq brenda disa muajsh ndërsa talebanët u rikthyen në pushtet në verën e vitit 2021.

Ndërkohë në vitin 2014, ushtria irakiane kapitulloi kur ISIS pushtoi pjesën më të madhe të vendit, përfshirë qytetet Falluxha dhe Mosul. Në të njëjtin vit, rebelët Huthi në Jemen pushtuan kryeqytetin Sanaa brenda pak ditësh, duke e rrëzuar qeverinë e Abdrabbuh Mansur Hadit, i cili u arratis në Arabinë Saudite.

I njëjti fenomen u pa në Republikën e Afrikës Qendrore në vitin 2013, kur koalicioni i rebelëve Séléka e përmbysi qeverinë brenda disa muajsh, duke pushtuar kryeqytetin Bangui me shumë pak rezistencë. Presidenti autoritar François Bozizé, u arratis në Kamerun.

Në çdo rast është e pamundur të parashikohet koha e kolapsit. Në lojën Jenga, nuk e di asnjëherë se cili bllok që hiqet do ta rrëzojë të gjithë kullën. Megjithatë, shkaqet e kolapsit  mund të katalogohen. Dhe në fakt, janë vazhdimisht të njëjtët faktorë që dërrmojnë ushtritë që përballen me kryengritje.

I pari është përjashtimi etnik. Qeveritë i mbushin shpesh ushtritë e tyre me sivëllezërit e tyre etnikë. Kjo qasje ka përfitimet e saj - kohezion dhe besnikëri më të madhe - dhe është një mënyrë e testuar prej kohësh për t’i “rezistuar një grushti shteti”.

Në luftërat civile që kanë një dimension etnik, është shpesh e pashmangshme që forcat qeveritare të vijnë nga një grupim, dhe rebelët nga një grupim tjetër. Por kjo gjeneron në mënyrë të pashmangshme pakënaqësi midis tyre. Kështu shiitët e Jemenit, mendonin se shqetësimet e tyre shpërfilleshin nga qeveria e Hadi, një mysliman sunit.

Para ngritjes së ISIS, ushtria e Irakut e drejtuar nga kryeministri Nouri Al-Maliki i mënjanoi sunitët që përbënin shumicën. Në Ushtrinë Kombëtare Afgane, taxhikët përbënin në një moment me shumë se 2/3 e komandantëve, edhe pse zinin vetëm 1/4 e popullsisë.

Në Siri, rreth 70 për qind e të gjithë ushtarëve dhe 80 për qind e të gjithë oficerëve ishin  anëtarë  të sektit alevit të Assadit, edhe pse ky grupim përbënte vetëm 13 për qind të popullsisë. Dominimi i alevitëve ishte gati i plotë në Gardën Republikane, e drejtuar nga njëri prej vëllezërve të Basharit.

Prandaj, ushtarakët jo alevitë me gradat më të ulëta, kishin pak interes të vdisnin për një trup oficerësh dhe një regjim që nuk i përfaqësonte. Faktori i dytë është korrupsioni, një agjent i fuqishëm që i gërryen ushtritë nga brenda. Shpeshherë qeveritë e dobëta, nuk kanë mundësi te ofrojnë pagat e nevojshme për të blerë besnikërinë e forcave të tyre.

Në këto kushte, ato tolerojnë ose inkurajojnë korrupsionin. Në ushtritë jemenase, irakiane dhe afgane, nuk promovoheshin më të kualifikuarit, por ata që kishin lidhje ose ishin të gatshëm të paguanin ryshfet. Borderotë ishin të mbushura me mijëra “ushtarë fantazmë”, pozicione pune që nuk ekzistonin në realitet, të krijuara enkas për t’i dhënë mundësi komandantëve të përvetësonin paga shtesë.

Në Afganistan, oficerët e korruptuar të forcave ajrore dyshoheshin për trafikimin e opiumit dhe armëve. Ndërkohë, shumë nga komandantët e ushtrisë afgane kishin qenë më herët drejtues milicish në një linjë me talebanët, dhe ata e shisnin besnikërinë e tyre tek ai që jepte ofertën më të lartë.

Kur talebanët ripushtuan të gjithë vendin në vitin 2021, në shumë zona nuk patën fare nevojë të luftonin. Gjithçka që duhej të bënin ishte dhënia e ryshfetit për zyrtarët e sigurisë. Më pas trupat e tyre dorëzonin menjëherë armët. Edhe ushtria siriane ishte shumë e korruptuar.

Abuzimi niste nga marrja e ryshfeteve të vogla nga makinat që kalonin nëpër postblloqe, deri tek një ndërmarrje me vlerë miliarda dollarë që prodhonte dhe shiste drogën kaptagon, një amfetaminë ilegale. Ka pasur shumë ankesa për oficerët që vidhnin subvencionet e karburantit të vartësve të tyre.

Po ashtu, ushtarët që donin të merrnin leje për të shkuar në shtëpi, duhet të jepnin sërish ryshfet për këtë privilegj. Korrupsioni brenda ushtrive e zemëron popullatën, tek mbështetja e së cilës marrin hov rebelët.  Po ashtu, ai i bën ushtritë më pak efektive duke i devijuar burimet nga investimet tek armët, pajisjet dhe pagat për trupat, dhe i armiqëson ndaj eprorëve ata të gradave më të ulëta.

Një zyrtar afgan deklaroi kështu para autorëve të një raporti të qeverisë amerikane mbi kolapsin e ushtrisë afgane: “Askush nuk donte të vdiste për ... njerëzit që ishin këtu për të grabitur vendin!”. E njëjta gjë u vërtetua në Siri. Premtimi i minutës së fundit që bëri Assad për rritjen e pagës me 50 për qind, nuk mjaftoi për të ringjallur moralin e ushtarëve sirianë.

Faktori i tretë më i rëndësishëm pas kolapsit të një ushtrie është i jashtëm dhe jo i brendshëm: humbja e klientëve të huaj. Qeveritë e dobëta, kanë zakonisht nevojë për ndihmë për të ruajtur kontrollin e territorit. Dhe kur të huajt tërhiqen, ky mund të jetë edhe fundi i këtyre regjimeve.

Nuk ishte rastësi që ushtria e Zaires u shemb pas Luftës së Ftohtë, kur SHBA-të nuk kishin me nevojën për liderin e saj Mobutu. Në Republikën e Afrikës Qendrore, Franca, si ish-fuqi koloniale, i kishte ardhur shpesh në ndihmë qeverisë në luftën kundër rebelëve. Por në vitin 2013, Parisi e bëri të qartë se nuk do ta bënte më.

Kur ushtria jemenase ishte në prag të shpërbërjes, Shtetet e Bashkuara, të cilat e kishin ndihmuar qeverinë të luftonte Al Kaedën në Gadishullin Arabik, refuzuan të zgjeronin mbështetjen për të luftuar Huthit. Si në Irak, ashtu edhe në Afganistan, ishte tërheqja e forcave amerikane, ajo që e përshpejtoi kolapsin e ushtrisë (ashtu siç ndodhi në Vietnamin e Jugut shumë kohë më parë). Shkaku i shkërmoqjes së fundit të ushtrisë siriane, ishte rënia e madhe e mbështetjes së huaj.

Rusia është shumë e zënë në Ukrainë. Forcat e saj ajrore nuk ishin në gjendje të përsërisnin breshërinë e sulmeve ajrore që e shpëtuan Assadin në vitin 2015. Hezbollahu ishte tronditur nga sulmet e Izraelit kundër tij në Liban, përfshirë sulmet me eksploziv, dhe nuk mund të siguronte më numrin e luftëtarëve që kishte dikur.

Edhe Irani po lëpin plagët e tij nga sulmet izraelite, dhe i tërhoqi shpejt forcat e tij ushtarake nga Siria. Ushtritë e qeverive jo-përfaqësuese janë shpesh mikrokozmose të regjimeve të tyre. Ashtu si ushtria siriane, edhe shteti sirian ishte shumë i brishtë, i drobitur nga vite të tëra korrupsioni dhe përjashtimi etnik, dhe mezi mbështetej nga aktorët e huaj. Në retrospektivë, mund të thuhet se e jashtëzakonshme nuk ishte rënia e shpejtë e regjimit, por koha që arriti të rezistojë në këmbë./Përshtati “Pamfleti” nga “National Interest”

 

Lini një Përgjigje