Një zakon i pazakontë i presidentit amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen në Uashington: dhurimi i këpucëve për bashkëpunëtorët dhe vizitorët e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas Wall Street Journal, pjesë e stilit të tij të përditshëm, kostum blu Brioni, këmishë e bardhë dhe kravatë mëndafshi me ngjyra të forta, janë bërë edhe një palë këpucë klasike të zeza prej lëkure, me vlerë rreth 145 dollarë, të prodhuara nga marka amerikane Florsheim, e themeluar në Çikago në vitin 1892.
Gazeta shkruan se Trump i pëlqen aq shumë kjo markë sa ka filluar t’i dhurojë këpucët ministrave, ligjvënësve, drejtuesve të kompanive dhe personaliteteve të tjera që takon.
Sipas përshkrimit të procedurës, presidenti i pret mysafirët në Zyrën Ovale, i pyet për numrin e këpucëve dhe më pas u kërkon ndihmësve të tij të bëjnë porosinë. Në një dhomë pranë mbahen kuti me këpucë të gatshme për t’u dhuruar, shpesh të shoqëruara me kartolina dhe autografe të presidentit.
Në javët e fundit, të njëjtat këpucë janë parë në këmbët e disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe sekretarin e Tregtisë Hoëard Lutnick.
Vetë Vance kishte përmendur më herët këtë zakon të presidentit. Sipas tij, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Trump kishte komentuar këpucët e tij dhe të Rubios, duke i cilësuar si të papërshtatshme dhe duke u ofruar menjëherë të zgjidhnin një model nga katalogu i Florsheim.
Sipas rrëfimit të Vance, presidenti kishte shtuar gjithashtu se “nga numri i këpucëve mund të kuptohen shumë gjëra për një njeri”.
Megjithatë, marrëdhënia mes Trump dhe kompanisë nuk duket të jetë e njëanshme. Pronari i Florsheim, Thomas Florsheim Jr., deklaroi për Wall Street Journal se nuk ishte në dijeni të porosive nga presidenti.
Kompania ka kritikuar gjithashtu tarifat e vendosura nga administrata Trump ndaj importeve nga Kina. Florsheim prodhon pjesën më të madhe të këpucëve në Kinë dhe ka deklaruar se tarifat, që arritën deri në 145%, e detyruan të rrisë çmimet.
Sipas kompanisë, kostot shtesë nga tarifat arritën rreth 16 milionë dollarë, për të cilat kërkon kompensim nga qeveria federale. Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, e cila më 20 shkurt rrëzoi tarifat e kontestuara.
Lini një Përgjigje