Bota 4 Mars 2024, 22:29

Pse të protestohet nëse nuk ka asnjë ndryshim?

Shkruar nga David J.Bailey

Pse të protestohet nëse nuk ka asnjë ndryshim?

Shumica e publikut britanik beson se protestat mund të sjellin rrallëherë ndryshime. Ndërsa të rinjtë janë më optimistë, rreth gjysma e të rriturve, besojnë se nuk ka gjasa që ato të ndryshojnë ndonjë gjë.

Vala aktuale globale të protestave që bëjnë thirrje për një armëpushim në Gaza, përfshin demonstrata të mëdha, bllokim rrugësh dhe përpjekje për të penguar prodhimin e armëve.
Ajo është vazhdim i një tendence dhjetëvjeçare të protestave në rritje në mbarë botën, me përjashtim të një rënie të përkohshme gjatë pandemisë së Covid-19.

Por në mënyrë ironike, pavarësisht kaq shumë veprimeve kolektive, ata që marrin pjesë në protesta shpesh sfidohen nga skepticizmi, dhe atëherë lind pyetja: “Nuk po ndodh ndonjë ndryshim, atëherë pse vazhdojmë të protestojmë?”.
Kjo duket të jetë edhe pikëpamja e Sekretarit të Brendshëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly, i cili deklaroi kohët e fundit: “Pyetja që unë i bëj vetes është: Çfarë shpresojnë të arrijnë vërtet këto protesta…? Ato nuk po thonë asgjë të re”.

Shumica e publikut britanik beson se protestat mund të sjellin rrallëherë ndryshime. Ndërsa të rinjtë janë më optimistë, rreth gjysma e të rriturve, besojnë se nuk ka gjasa që ato të ndryshojnë ndonjë gjë.

Protestat funksionojnë

Kjo qasje është e çuditshme meqë vazhdimisht shohim shembuj ku protesta kanë nxitur ndryshime. Këtë vit kemi parë bllokada dhe protesta nga fermerët francezë që po e detyrojnë qeverinë t'u bëjë lëshime. Po ashtu, edhe në Indi, lëvizja e fermerëve që po marshon drejt Delhi-t ka nxitur tashmë një ofertë nga qeveria për çmime më të larta për të korrat e tyre.
Protestat e mëdha mbi një skandal të abuzimit seksual të fëmijëve në Budapest kohët e fundit, e detyruan kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, të prezantojë një ligj të ri për të shmangur skandale të ngjashme në të ardhmen. Në fund të vitit të kaluar, protestat e mëdha dhe bllokimi i rrugëve në Panama, çuan në mbylljen nga qeveria të një prej minierave më të mëdha të bakrit në botë.

Edhe studime kanë zbuluar se protestat kanë një ndikim të prekshëm. Protesta e punëtorëve dhe grevat e tyre ishin vendimtar në miratimin e Marrëveshjes së Re (New Deal) të Franklin Roosevelt, si pjesë e krijimit të shtetit të mirëqenies sociale në SHBA. Dhe janë po protestat, ato që kanë ngadalësuar miratimin e masave shtrënguese që kanë dobësuar sistemet e mirëqenies në të gjithë demokracitë me të ardhura të larta për 40 vitet e fundit.

Kolonializmi u përball gati në çdo rast me një rezistencë dhe protestë të vazhdueshme, duke përfshirë fushatën e Gandit për mosbindje civile jo të dhunshme, por edhe lëvizjet më radikale. Kjo lëvizje u rrit gjatë gjithë shekullit të 20-të, derisa ruajtja e pushtimit doli të ishte e pamenaxhueshme për fuqitë koloniale.

Duke pasur parasysh të gjitha këto prova, pse shumë njerëz mbeten të bindur se protesta është joefektive si një mjet për të nxitur ndryshime? Një arsye e mundshme, është se shumë nga motivet mbështetëse për protestë - shfrytëzimi, racizmi, patriarkalizmi dhe cilësia e dobët e demokracisë - janë probleme sistematike, për të cilat shumë studiues mendojnë se janë nënprodukte të kapitalizmit.

Këto probleme mund të sfidohen përmes veprimeve kolektive, por mund të çrrënjosen vetëm përmes ndryshimit në të gjithë sistemin, gjë që është padyshim shumë më e vështirë të arrihet. Kjo mund të krijojë përshtypjen se ndërsa protestat mund të nxisin reforma politike dhe sociale, në përgjithësi është e pamundur të ndryshohet status quo-ja.

Tre hapat për një lëvizje protestash efektive

Mosbesimi ndaj protestave mbështetet tek disa vërteta. Protesta nuk është një formulë magjike. Ndonjëherë ajo sjell ndryshimin e dëshiruar politik dhe social, por herë të tjera arrihet një kompromis. Dhe ndonjëherë, mund të nxisë shtypjen dhe imponimin. Në studimet e mia të fundit, kam analizuar ndikimin e shumë protestave dhe fushatave të ndryshme që janë zhvilluar në Britani gjatë viteve 2010. Dhe kam identifikuar një sërë faktorësh që përcaktojnë se cilat janë protestat më efektive.

1. Përçarja

Ndërsa protesta përçarëse mund të jetë jopopullore, s'ka asnjë dyshim se ajo është efektive. Një nga fushatat ambientaliste më të suksesshme të viteve 2010 ishte lëvizja anti-frakkingut (një lëvizje politike që synon të ndalë praktikën e nxjerrjes së gazrave natyrore nga formacionet shkëmbore argjilore për të siguruar energji për shkak të ndikimit të saj negativ mjedisor), ku protestat e penguan fizikisht ose ndërhynë në këtë proces në një shkallë të tillë që e bënë të pamundur aktivitetin. Por përçarja sjell edhe rrezikun e represionit. Tre protestues të asaj lëvizje u dënuan me burg, edhe pse më vonë u liruan. Që prej kohës së pandemisë, qeveria britanike ka përdorur masa represive të cilat e kriminalizojnë më tej protestën përçarëse.

2. Mbështetja politike

Protesta ka potencialin të vendosë disa çështje në axhendën politike të ditës. Por kjo kërkon shpesh që pjesët e elitës politike - zakonisht partitë opozitare - të merren me këto çështje dhe të ushtrojnë presion ndaj qeverisë që të ndërmarrë veprime. Vitin e kaluar në Gjeorgji nisën protestat antiqeveritare kundër të ashtuquajturit “ligji për agjentët e huaj”, që penalizon mediat dhe OJQ-të në pronësi të huaj ose të financuara nga jashtë, dhe u pa gjerësisht si një veprim pro-rus. Protestat u nxitën nga inkurajimi i presidentes Salome Zurabishvili, një figurë e pavarur. Ajo premtoi të vendosë veton ndaj projektligjit, duke e detyruar në fund qeverinë të tërheqë projektligjin.

3. Këmbëngulja

Ndërsa një proteste e vetme mund të zhvillohen pa arritur rezultatin e dëshiruar, fushatat e gjera që nxitin ndryshime, kërkojnë shpesh veprime për shumë ditë, javë, ndonjëherë edhe vite. Për shembull, në vitin 2018, Banka Mbretërore e Skocisë njoftoi se do të ndalonte financimin e projekteve të reja të nxjerrjes së qymyrit në mbarë botën, pas një fushate proteste prej 1dekade nga aktivistët që janë kundër ndryshimeve klimatike.

Pse duhet marrë pjesë në protesta

Lëvizja për arritjen e një armëpushimi në Gaza, mund të duket sikur ka shumë pak efekt, sidomos kur shohim çdo ditë shkatërrime dhe vdekje. Por, pjesërisht edhe falë saj, kanë nisur të shfaqen ndarje politike edhe midis atyre që mbështesin qeverinë izraelite. Edhe SHBA-ja ka nisur të flasë për një armëpushim. Protesta nuk mund të injorohet pafundësisht.
Edhe kur ajo nuk çon në ndryshime të menjëhershme politike ose shoqërore, pjesëmarrja në të sjell pasoja të tjera pozitive. Aktiviteti i protestës mund të jetë fuqizues dhe të sigurojë aftësitë dhe rrjetet e nevojshme për të marrë pjesë në aktivitetet e ardhshme politike. Studime të shumta, tregojnë se efektet e pjesëmarrjes në protestë mund të kenë një ndikim afatgjatë në jetën e atyre që marrin pjesë në të./Përshtati "Pamfleti" nga “The Conversation”

Shënim:David J.Bailey, profesor i asociuar i politikës në Universitetin e Birminghemit, Angli.