Bota 4 Mars 2024, 18:18

Vdekja e mistershme Navalnyt, 43 shtete kërkojnë hetim ndërkombëtar: Putin të mbajë përgjegjësi!

Shkruar nga Pamfleti

Vdekja e mistershme Navalnyt, 43 shtete kërkojnë hetim

43 vende të botës kanë kërkuar një hetim ndërkombëtar për vdekjen e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.

Kjo thirrje u bë nga ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Lotte Knudsen, në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 16 vendeve të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, të cilat kanë akuzuar presidentin rus, Putin si përgjegjësin kryesor.

“Ne jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar Alexei Navalny, për të Putin dhe autoritetet ruse duhet të mbajnë përgjegjësinë përfundimtare”, tha ambasadorja e BE-së në emër të 43 shtete.

Alexei Navalny vdiq më 16 shkurt në rrethana misterioze në një koloni penale të Arktikut, ku po vuante dënimin për “ekstremizëm” dhe u varros të premten në Moskë.

“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të pavarur dhe transparent ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, shtoi ambasadorja.

43 vendet e botës i bëjnë thirrje Rusisë që të lirojë të burgosurit politikë, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe kritikët e luftës në Ukrainë.

“I bëjmë thirrje Federatës Ruse t’i japë fund kësaj klime mosndëshkimi dhe të krijojë një mjedis pa rrezik për opozitën politike dhe zërat kritikë”, thuhet në reagimin e tyre.