TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Qershor 2026, 15:58

Péter Magyar paralajmëron reformë kushtetuese dhe luftë kundër korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti
Péter Magyar paralajmëron reformë kushtetuese dhe luftë
Péter Magyar

Qeveria e Hungarisë ka njoftuar nisjen e një pakete të gjerë reformash kushtetuese dhe masash antikorrupsion, të cilat pritet të zbatohen në muajt e ardhshëm. Lajmi u bë i ditur nga vetë kryeministri, Péter Magyar gjatë një fjalimi në parlament.

Sipas Magyar, ekzekutivi synon të ndërmarrë hapa konkretë për shkarkimin e presidentit të vendit përmes një amendamenti kushtetues. Reforma e plotë kushtetuese pritet të fillojë zyrtarisht në vjeshtë.

“Ne do të ndërmarrim masa ekonomike, politike dhe ligjore për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar transparencën në administratën publike”, tha Magyar.

Një nga nismat më të rëndësishme të paralajmëruara është krijimi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rimëkëmbjen e Aseteve. Ky institucion i ri do të ketë kompetenca të gjera për të identifikuar, sekuestruar dhe rikuperuar pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme.

Autoritetet hungareze theksuan se objektivi kryesor i reformave është forcimi i shtetit ligjor, rritja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe zhdukja e korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Reformat vijnë në një moment të rëndësishëm për Hungarinë, teksa vendi ka qenë shpesh nën kritika ndërkombëtare për çështje të sundimit të ligjit dhe transparencës. Qeveria pret që paketat e reja të sjellin ndryshime strukturore dhe të përmirësojnë imazhin e vendit si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

magyar korrupsioni

Lini një Përgjigje