Gjykata Supreme e Spanjës shpalli fajtor Jose Luis Abalos për organizatë kriminale, ryshfet dhe shpërdorim detyre në lidhje me kontratat e furnizimeve mjekësore gjatë pandemisë COVID-19...
Gjykata Supreme e Spanjës dënoi të hënën ish-ministrin e Transportit, Jose Luis Abalos, me 24 vjet burg për korrupsion, në vendimin e parë gjyqësor në një seri skandalesh që kanë prekur Partinë Socialiste në pushtet.
Gjykata e shpalli Abalos fajtor për disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrjen në organizatë kriminale, marrjen e ryshfetit, përvetësimin e fondeve publike dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Akuzat lidhen me manipulimin e kontratave publike për furnizime mjekësore, si maskat mbrojtëse, gjatë pandemisë së COVID-19, kur ai mbante postin e ministrit.
Ndihmësi i tij, Koldo Garcia, u dënua me 19 vjet burg.
Biznesmeni Víctor de Aldama mori një dënim prej katër vjetësh e gjysmë, por gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg për shkak të bashkëpunimit të tij në zbardhjen e skemës. Kushtet e pezullimit përfshijnë moskryerjen e veprave të tjera penale, paraqitjen e raporteve të aktivitetit çdo gjashtë muaj dhe kryerjen e një viti shërbim në komunitet.
Procesi gjyqësor lidhet me një nga disa çështje korrupsioni që përfshijnë persona nga rrethi i afërt i kryeministrit Pedro Sánchez. Sánchez, një nga liderët e paktë të majtë që vazhdojnë të qeverisin në Evropë, erdhi në pushtet tetë vjet më parë pasi rrëzoi një qeveri të qendrës së djathtë të përfshirë në skandale korrupsioni, duke premtuar reforma për pastrimin e jetës politike.
Megjithëse përballet me kritika edhe nga disa aleatë politikë, emri i Sánchez nuk është përmendur në asnjë prej këtyre çështjeve. Kryeministri ka deklaruar se hetimet dhe akuzat janë pjesë e një fushate politike që synon largimin e tij nga pushteti.
Lini një Përgjigje