Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance hodhi poshtë pretendimet se deklaratat e ashpra të Donald Trump dëmtuan negociatat e fundjavës me Iranin. Duke folur nga Bürgenstock i Zvicrës pas përfundimit të raundit të bisedimeve, ai theksoi se procesi vijoi normalisht dhe solli rezultate konkrete.
“Jo, nuk vendosën pengesa në proces”, deklaroi Vance.
Trump, i cili kaloi fundjavën në Camp David, kishte paralajmëruar për sulme të reja ndaj Iranit gjatë një interviste telefonike për Fox News, ndërsa i kishte kërkuar presidentit iranian të “ketë kujdes me atë që thotë” në kohën kur negociatat ishin ende në zhvillim. Vance pranoi se deklaratat shkaktuan një ndërprerje të përkohshme të bisedimeve, por jo dështimin e tyre.
“Pati disa kërcënime, pati pak ankesa, por në fund të ditës bisedimet vazhduan dhe shënuam përparim të rëndësishëm”, tha ai.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan, Uashingtoni kishte paralajmëruar më herët palën iraniane se Trump do t’u përgjigjej publikisht deklaratave të Teheranit.
“Ajo që u thamë dje iranianëve është se kur përfshiheni në atë që ne, brezi millennials, do ta quanim ‘mbeturina verbale’, nuk mund të prisni që presidenti i Shteteve të Bashkuara të mos përgjigjet dhe të mos rikthejë faktet reale”, deklaroi ai.
Irani pranon rikthimin e inspektorëve të IAEA
Vance e cilësoi ditën e negociatave si “një ditë shumë, shumë të mirë” dhe prezantoi katër prioritetet kryesore të diskutuara gjatë takimeve teknike.
JD Vance:
Iranianët kanë pranuar të ftojnë sërish inspektorët e IAEA-s në vendin e tyre.
Sipas tij, një nga objektivat kryesorë ishte garantimi i lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet një rrugë strategjike për tregtinë globale.
“Së pari, ne donim të krijonim një mekanizëm që do të garantonte se Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e hapur dhe ajo vazhdon të mbetet e hapur”, u shpreh Vance para gazetarëve në Bürgenstock.
Ai shtoi se është rënë dakord për krijimin e një mekanizmi koordinues për operacionet e pastrimit të minave detare dhe rikthimin e plotë të lundrimit tregtar në zonë.
Një tjetër objektiv ishte krijimi i një mekanizmi për zbatimin e armëpushimit rajonal dhe shmangien e përshkallëzimit ushtarak, veçanërisht në Liban, i cili mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të negociatave.
Sipas Vance, arritja më e rëndësishme për SHBA-të ishte dakordësia e Iranit për të lejuar rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
“Bëhet fjalë për një moment historik të rëndësishëm për popullin amerikan dhe për hapin e parë drejt çarmatimit të përhershëm bërthamor ose përfundimit përfundimtar të një programi armësh bërthamore në Iran. Pikërisht këtë synonim të arrinim”, deklaroi ai.
Vance bëri të ditur gjithashtu se është ngritur një proces që do të lejojë vazhdimin e negociatave teknike edhe pas largimit të delegacioneve kryesore nga Zvicra.
“Vendosëm themele shumë të forta për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme. Marrëveshja finale është shtëpia. Ne hodhëm themelet. Ende nuk e kemi ndërtuar shtëpinë, por kemi krijuar kushtet për të arritur një rezultat pozitiv për popullin amerikan”, tha ai.
Libani mbetet sfida kryesore
Vance pranoi se bisedimet për ndaljen e përleshjeve në Libanin jugor ende nuk kanë përfunduar dhe mbeten një çështje e hapur.
"Ndonjëherë një person i nivelit më të ulët lëshon një dron pa miratimin e komandës së lartë. Sigurisht, Izraeli duhet t’i përgjigjet kësaj, por mund të kishim një situatë më paqësore nëse Izraeli do të reagonte në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen mes palëve…
Përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut vazhdojnë të konsiderohen një nga faktorët kryesorë që mund të rrezikojnë procesin e përgjithshëm të negociatave.
24 orët e fundit kanë qenë ndoshta më të qetat që kemi parë prej shumë kohësh në Liban”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan.
Ai shtoi se pavarësisht shkëmbimeve të zjarrit të regjistruara disa ditë më parë, është krijuar një mekanizëm që synon të parandalojë daljen e situatës jashtë kontrollit.
Vance largohet nga Zvicra
Pas përfundimit të negociatave, zëvendëspresidenti amerikan njoftoi se do të kthehet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ekipet teknike do të vazhdojnë punën për finalizimin e marrëveshjes.
“Sado i bukur të jetë ky vend, nuk mund të qëndroj këtu për 60 ditët e ardhshme”, tha ai me humor gjatë një deklarate të shkurtër për mediat.
“Po kthehem në Shtetet e Bashkuara, por ekipet teknike do të vazhdojnë të punojnë nën mbikëqyrjen e duhur për t’u siguruar që arrihen objektivat që kanë rëndësi për të gjithë”, shtoi ai.
Në përfundim, Vance theksoi se ekipet negociatore shënuan “përparim shumë të rëndësishëm”, duke qëndruar në tryezën e bisedimeve deri pas orës 01:00 të mëngjesit të së hënës.
Lini një Përgjigje