TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Shtator 2025, 20:11

Pushteti i Erdoganit është në grahmat e fundit, populli turk nuk mashtrohet më!

Shkruar nga Ekrem Imamoglu

Pushteti i Erdoganit është në grahmat e fundit, populli turk nuk

Kryebashkiaku i Stambollit, Imaoglu, ka reaguar nga burgu mbi atë që po ndodh në Turqi. Ai ja ka bërë të qartë Erdoganit se nuk ka ndërmend të dorëzohet...

Vitin e kaluar, u rizgjodha kryetar i Bashkisë së Stambollit me 51% të votave. Ishte hera e dytë që mundja kandidatin e mbështetur nga qeveria. Herën e parë ndodhi në vitin 2019, kur zgjedhjet bashkiake u anuluan mbi pretekste të paqena; qytetarët u rikthyen në kutitë e votimit dhe na dhanë një fitore edhe më të madhe.

Por këtë vit, demokracia në Turqi ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Procesi nisi në mars, pak para se të shpallja kandidaturën për president nga Partia Popullore Republikane (CHP), një parti njëqindvjeçare. Pikërisht atëherë diploma ime universitare u shpall e pavlefshme. Kjo është vendimtare, sepse kushtetuta turke kërkon diplomë universitare për t’u kandiduar për president. Menjëherë pas kësaj, u akuzova për korrupsion dhe për “ndihmë ndaj një organizate terroriste”. Prej gjashtë muajsh jam i burgosur, i arrestuar mbi akuza politike të ngritura mbi dëshmi “anonime”. Për një vend që është palë në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, kjo është një skandal i madh.

Nuk jam i vetëm. Në të gjithë Turqinë, më shumë se një duzinë kryetarësh bashkish nga opozita ndodhen sot në burg. Në Stamboll, mbi një të katërtën e distrikteve kanë mbetur pa drejtuesit e zgjedhur, duke heshtur zërin e miliona votuesve. Nga Adana në Antalya, e deri te administrata bashkiake në Stamboll, fushata e shtypjes ka depërtuar në çdo nivel. Qindra persona janë pas hekurave: gazetarë, akademikë, biznesmenë dhe studentë. Mjafton të kujtojmë rastin e Enes Hocaoğulları, përfaqësues i rinisë në Këshillin e Europës, i cili u arrestua vetëm pse foli hapur nën ligjet e mjegullta për “dezinformim të publikut”. Vetëm protestat brenda dhe jashtë vendit sollën lirimin e tij, një fitore e vogël por domethënëse për rezistencën demokratike.

Ajo që po ndodh është e qartë. Në arrogancën e pushtetit të pakontrolluar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan po përdor sërish gjykatat si armë kundër opozitës. Këtë herë, kundërshtarët po burgosen dhe po zëvendësohen me besnikë të regjimit. I paaftë për të mbyllur partinë CHP, qeveria ka hapur një proces gjyqësor që synon të asgjësojë udhëheqësinë e saj legjitime, duke përmbysur rezultatet e kongresit kombëtar të vitit 2023. Vetëm këtë muaj, një gjykatë urdhëroi anulimin e kongresit lokal të CHP-së në Stamboll, hoqi kryetarin dhe emëroi një kujdestar politik. Ky është një kthesë dramatike që zhbën pluralizmin politik. Një sistem ku gjyqtarët zëvendësojnë të zgjedhurit me emisarë të pushtetit nuk mund të quhet demokraci.

Pasi ka zbrazur institucionet republikane për të ndërtuar një regjim autoritar, Erdoğan tani kërkon të fabrikojë edhe një opozitë të nënshtruar. Ai synon të rishkruajë rregullat, ashtu siç bënë Hosni Mubarak në Egjipt apo familja Assad në Siri, në mënyrë që të mos mbijetojë asnjë rival i vërtetë. Këto metoda nuk janë rastësore; janë një manual i përgatitur për t’u kopjuar edhe nga autokratë të tjerë nesër, nëse demokratët kudo nuk qëndrojnë të bashkuar.

Sa më shumë që shtyp opozitën, aq më qartë shihet dobësimi i tij politik. Për të shmangur një tjetër disfatë elektorale, Erdoğan ndryshon rregullat, shpik akuza, përhap fushata shpifjesh dhe etiketën e zakonshme të “terroristit”. Por ky demonstrim force e ka gërryer legjitimitetin e tij, duke e bërë gjithnjë e më të varur nga një pakicë e ngushtë dhe nga aparati shtetëror.

Megjithatë, populli turk nuk mashtrohet më. Protestat mbushin rrugët e qyteteve, dhe sondazhet tregojnë se CHP është sot partia më e madhe e vendit. Që prej 19 marsit, kur u arrestova, miliona qytetarë, madje edhe në bastionet e supozuara të Erdoğan, kanë dalë në rrugë duke rrezikuar arrestime e dhunë policore, për të kërkuar drejtësi dhe ndryshim. Kjo rezistencë pasqyron traditën 150-vjeçare të demokracisë parlamentare në Turqi. Por rezistenca nuk mjafton.

Prandaj, CHP po përgatit një rrugëkalim të plotë për tranzicion demokratik: fitore zgjedhore, stabilizim ekonomik, rikthim i pavarësisë së gjyqësorit, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjerim i të drejtave sociale, rindërtim i besimit në institucione dhe rishkrim i rolit të Turqisë në skenën gjeopolitike ndërkombëtare.

Beteja për demokracinë, lirinë dhe drejtësinë në Turqi nuk është vetëm e jona. Nëse një komb që ka dëshmuar se demokracia është projekt universal zhytet më tej në autokraci, pasojat do të ndihen shumë përtej kufijve tanë.

Megjithatë, unë mbetem i bindur: vullneti i popullit do të triumfojë. Zemërimi ynë përballë padrejtësive duhet të kthehet në strategji. Dhe kjo strategji duhet të ndërtojë një kulturë të re politike dhe institucione që respektojnë trashëgiminë demokratike të Turqisë. Nëse ia dalim, nuk do të rikthejmë vetëm demokracinë tonë, por do të japim shembull për ringjalljen e saj kudo në botë. /Përshtatur nga "The Guardian”

1 Komente

  1. P
    Profetesi

    Do kthejne demokracine sioniste qemaliste????

    Lini një Përgjigje