
Një sulm i përgjakshëm ka tronditur Dallasin në orët e para të mëngjesit, ku një 29-vjeçar i armatosur hapi zjarr ndaj një furgoni që po transportonte emigrantë të ndaluar pranë zyrës lokale të Agjencisë Federale të Imigracionit dhe Doganës (ICE). Autori, i identifikuar si Joshua Jahn, ishte pozicionuar në çatinë e një ndërtese ngjitur me strukturën qeveritare dhe, sipas hetimeve paraprake, kishte planifikuar sulmin si një akt të drejtpërdrejtë kundër ICE. Ai qëlloi me armë zjarri duke vrarë dy emigrantë të ndaluar dhe duke plagosur rëndë një tjetër, përpara se të kthente armën drejt vetes dhe t’i jepte fund jetës.
Policia e Dallas u njoftua rreth orës 7 të mëngjesit, pas raportimeve për të shtëna në zonë, dhe njësitë speciale arritën të identifikonin snajperistin në kulmin e godinës. Pasi u rrethua nga forcat e rendit, autori zgjodhi të vetëvritej duke mos u dorëzuar. FBI ka konfirmuar se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm dhe se në plumbat e gjetur pranë trupit të pajetë janë zbuluar mesazhe të shkruara kundër agjencisë anti-emigracion, duke e klasifikuar incidentin si akt të dhunës së drejtuar ndaj strukturave federale.
Autoritetet federale kanë theksuar se viktimat ishin pjesë e një grupi emigrantësh të ndaluar, që po transportoheshin me një automjet që nuk i përkiste ICE, por që përdorej për zhvendosjen e tyre drejt një qendre tjetër paraburgimi. Në deklaratat e para për mediat, përfaqësues të ICE kanë nënvizuar se ky nuk është rasti i parë i këtij viti ku strukturat e tyre bëhen shënjestër. Në muajt e fundit janë regjistruar disa sulme të ngjashme në Texas, përfshirë një atentat të armatosur në qendrën e paraburgimit Prairieland pranë Fort Worth dhe një tjetër incident në McAllen, ku një sulmues i pajisur me armë dhe veshje taktike u qëllua për vdekje nga policia pasi plagosi tre persona.
Ngjarja e Dallasit ka ndezur menjëherë debatin politik në SHBA, me drejtues të lartë që dënuan aktin dhe e lidhën atë me klimën e ashpër të retorikës mbi emigracionin. Sekretarja e Homeland Security, Kristi Noem, akuzoi publikisht klasën politike se me gjuhën e përdorur kundër ICE kanë nxitur dhunë të drejtpërdrejtë ndaj punonjësve të agjencisë dhe personave të përfshirë në procedurat e emigracionit. Në të njëjtën linjë, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe guvernatori i Texas-it, Greg Abbott, e dënuan sulmin duke theksuar se këto akte nuk do të ndalojnë arrestimet dhe dëbimet e emigrantëve të paligjshëm, ndërsa u zotuan për hetime të plota mbi motivet dhe rrjetin e mundshëm të autorit.
Ndërkohë, FBI ka marrë në dorë hetimin e plotë të incidentit dhe ka konfirmuar se nuk ka pasur viktima mes punonjësve të ICE apo forcave të rendit. Për momentin, hetuesit po punojnë mbi pistën e një sulmi të motivuar politikisht, duke parë si provë kryesore mesazhet e gdhendura në municionin e përdorur nga sulmuesi. Ngjarja e sotme ngre shqetësime të forta mbi rritjen e dhunës së armatosur kundër institucioneve federale të emigracionit në SHBA, në një klimë ku polarizimi politik dhe çështja e kufijve janë kthyer në çështjen më të nxehtë të debatit publik.
Lini një Përgjigje