
Në Anchorage të Alaskës, dita e samitit ka nisur herët për mediat botërore. Gazetarët janë mbledhur që në orën 06:00 të mëngjesit, në parkimin e një dyqani kafshësh, prej nga u transportuan me autobusë të vjetër drejt bazës ajrore ushtarake Elmendorf, ku pritet të zhvillohet takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Kontrollet e sigurisë janë jashtëzakonisht të rrepta, çdo pajisje elektronike, nga kamerat te laptopët, duhet ndezur për verifikim. Mes gazetarëve ndodhen edhe përfaqësues të medias ruse, të cilët mbërritën dje nga Moska. Njëri prej tyre tregoi se përpara nisjes, të gjithë iu nënshtruan dy testeve negative për COVID-19, siç kërkohet zakonisht në Rusi para se të jenë në të njëjtën sallë me Putinin.
Në kontrast, as gazetarët amerikanë e as ata të tjerë të pranishëm nuk janë detyruar të bëjnë testime. Ky ndryshim në protokoll mund të bëjë që konferenca e përbashkët e premtuar pas samitit të mos zhvillohet fare, nëse Putin vendos të flasë vetëm me median e tij të “pastrohet” nga COVID.
Gjithçka do të sqarohet pas takimit, por kjo situatë shton edhe një tjetër pikëpyetje mbi një samit tashmë të mbushur me tensione dhe pritshmëri të larta.
Lini një Përgjigje