
Putin u tha gazetarëve në Pekin se ka sinjale pozitive për paqe me Kievin, por paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, mund t'i arrijë qëllimet e tij ushtarakisht...
Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për mediat në Pekin, pasi mori pjesë në paradën ushtarake të Kinës, së bashku me udhëheqësin Xi Jinping dhe homologun e tij të Koresë së Veriut Kim Jong Un. Putin e quajti vizitën e tij në Kinë shumë pozitive dhe të dobishme.
"Duhet të them se ky format pune na lejon të zhvillojmë negociata shumë produktive. Ne ishim në gjendje të diskutonim çdo temë, gjë që është shumë e rëndësishme", tha ai.
Putin tha se u arritën marrëveshje në lidhje me Fuqinë e Siberisë 2, një tubacion i propozuar i gazit natyror për të eksportuar energji nga Rusia në Kinë.
"Kjo do të krijojë një avantazh konkurrues për miqtë tanë kinezë, pasi ata do ta marrin produktin me çmimin e tregut, jo me një çmim të fryrë", shtoi Putin.
Më tej presidenti rus nuk la pa prekur edhe temën e Ukrainës. Putin tha se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë se si e garanton sigurinë e vet, përfshirë Ukrainën. Por theksoi, se siguria e një vendi nuk mund të arrihet në kurriz të një vendi tjetër, duke përsëritur se Moska kundërshton anëtarësimin e Kievit në NATO. Megjithatë, ai shtoi se Rusia kurrë nuk e ka vënë në dyshim të drejtën e saj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.
"Pajtohem me ata që besojnë se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë sistemin e vet për të siguruar sigurinë e vet. Kjo vlen për të gjitha vendet, përfshirë Ukrainën. Por kjo gjithashtu do të thotë se siguria e një vendi nuk mund të sigurohet në kurriz të sigurisë së një vendi tjetër, në këtë rast të Federatës Ruse. Ne gjithmonë e kemi kundërshtuar që Ukraina të jetë anëtare e këtij blloku të Atlantikut të Veriut, por kurrë nuk e kemi vënë në dyshim të drejtën e saj për t'u angazhuar në aktivitetet e saj ekonomike dhe të biznesit sipas dëshirës. Kjo vlen edhe për anëtarësimin në BE", tha Putin.
I pyetur nga mediat në Pekin nëse është i gatshëm të takohet me Volodymyr Zelensky-n, Putin tha se është i hapur për një takim dypalësh, për sa kohë që takimi do të jetë i përgatitur mirë. Më tej ai shtoi se nuk kishte ndonjë kuptim takimi me Zelenskyn, por theksoi se i kishte dhënë fjalën Trumpit për një takim të tillë në Moskë.
"Nuk kam refuzuar kurrë ta bëj këtë, nëse kjo çon në rezultate pozitive. Meqë ra fjala, Donald Trump më kërkoi, nëse është e mundur, të zhvilloj një takim të tillë me Vladimir Zelenskyn. Sa i përket takimeve të mundshme me Zelenskyn, unë kam folur tashmë për këtë. Në përgjithësi, nuk e kam përjashtuar kurrë mundësinë e një takimi të tillë. A ka ndonjë kuptim në këto takime? Nëse Zelensky është gati, le të vijë në Moskë dhe takimi do të zhvillohet", tha Putin.
I pyetur nëse lufta në Ukrainë është afër përfundimit, Putin u tha gazetarëve në Pekin se ka sinjale pozitive për paqe me Kievin, por paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, mund t'i arrijë qëllimet e tij ushtarakisht.
"Unë besoj se, nëse ekziston logjika e shëndoshë, është e mundur të biem dakord për një opsion ose mënyrë të pranueshme për t'i dhënë fund këtij konflikti. Ne shohim gjithashtu se administrata aktuale e SHBA-së ka vullnetin dhe dëshirën për të gjetur këtë zgjidhje. Mendoj se ka një dritë në fund të tunelit. Do ta shohim. Përndryshe, do të detyrohemi t'i zgjidhim të gjitha objektivat tona me mjete ushtarake", tha Putin.
Sa i takon situatës në fushën e betejës, Putin tha se forcat ruse po përparojnë në të gjitha frontet dhe se Ukraina është e paaftë për ofensivë në shkallë të gjerë.
"Ukraina nuk është e aftë të nisë ofensiva në shkallë të gjerë dhe thotë se tani po përpiqet të mbushë boshllëqet duke rigrupuar forcat e saj. Nuk duhet të jemi të qetë tani, ndoshta po përgatiten disa rezerva, disa veprime, ngjarje në shkallë të gjerë, por analiza paraprake nga ekspertët tanë ushtarakë thotë se ushtria e Ukrainës nuk e ka këtë aftësi”, tha presidenti rus.
Putin më tej theksoi se nuk diskutoi gjatë këtij takimi për sanksionet e rënda ekonomike të vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi, pasi nuk e shqetëson ky fakt.
"Pse nuk i diskutuam? Nuk na shqetëson. Ngjarjet në Ukrainë janë vetëm një justifikim për vendime me natyrë ekonomike kundër vendeve të caktuara", tha Putin.
Sa i takon deklaratave të Donald Trump se ekziston një “komplot” kundër Shteteve të Bashkuara tregojnë se presidenti amerikan ka “sens humori”. Kujtojmë se pasi udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut u takuan në Kinë, Trump i shkroi të martën në Truth Social udhëheqësit kinez Xi Jinping: “Ju lutem, jepini përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Putin tha se ai dhe Trump kanë zhvilluar “marrëdhënie të mira” dhe se asnjë nga udhëheqësit botërorë që morën pjesë në samitin në Kinë nuk shprehu gjykime negative për administratën aktuale amerikane.
"Presidentit amerikan nuk i mungon sensi i humorit. Askush nuk tha asgjë negative në lidhje me administratën aktuale të SHBA-së. Të gjithë ata që takova mbështetën takimin tonë në Anchorage dhe shprehën shpresën e tyre se qëndrimi i Trump do të çonte në fund të konfliktit ushtarak, kështu që nuk ka ironi apo shaka", tha Putin
Sa i takon pyetjes nëse planifikonte ta priste Donald Trumpin në Moskë në të ardhmen e afërt, Putin tha se nuk ka planifikuar asnjë takim, por "ftesa është në tavolinë"./Pamfleti
Lini një Përgjigje