Pyetja përcaktuese për të ardhmen e Rusisë tani është nëse ka Prigozhinë të tjerë në kupolën e Moskës.
Nga Moska, Rosalba Castelletti La Repubblica
Ai kishte frikë nga revolucionet me ngjyra në republikat satelite. Megjithatë, nuk ishte në dijeni se po kultivonte një armik kaq të rrezikshëm brenda pushtetit të tij. Yevgeny Prigozhin ishte krijesa e Putin, i detyrohej gjithçka. Megjithatë, ai u shndërrua në një Frankenstein që u rebelua kundër krijuesit të vet. Dhe që i dha papritur një goditje thuajse fatale në sytë e të gjithë botës.
Në mbi njëzet vite në pushtet, Vladimir Putin u ka mbijetuar krizave të ndryshme si një feniks. E gjithsesi pasi të përfundojë kjo krizë, edhe nëse do të arrijë të mos dorëzohet në betejën kundër udhëheqësit të milicisë Wagner, ai do të dalë rrezikshmërisht i dobësuar nga poshtërimi që ka përjetuar prej mercenarëve të cilët prej vitesh kanë bërë luftërat e tij të fshehta në botë nga Afrika në Siri, që marshojnë pa hasur asnjë rezistencë nga forcat e armatosura, pothuajse deri në portat e Moskës, ndërsa ushtarët e tij, një vit e gjysmë më parë u desh të tërhiqeshin nga Kievi me ‘bishtin ndër shalë’.
Ai vetë, në fjalimin e tij të shkurtër dhe të vetëm televiziv, i cili zgjati pak më shumë se pesë minuta, e akuzoi Prigozhin për "tradhti" pa e përmendur kurrë emrin e tij, të njëjtin trajtim të rezervuar edhe për armikun e tij të përparuar pas hekurave, disidentin Alexei Navalny.
Këtu Vladimir Putin, evokoi të ashtuquajturën "thikë pas shpine" siç ndodhi në 1917 kur sipas tij u vodh fitorja e merituar të Rusisë në Luftën e Parë Botërore dhe e zhyti vendin në Revolucionin bolshevik dhe luftën civile. Fjalë që synonin t'i përcillnin popullatës dhe botës vendosmërinë kundër rebelëve, por që s’kanë bërë gjë tjetër veçse kanë evokouar skenarët më të rrezikshëm nga e kaluara e vendit.
Në fjalimin e tij, Putin nuk e përmendi as ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu apo shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Valery Gerasimov, që u sulmuan egërsisht nga Prigozhin. Ai nuk mund të rrinte pa i mbrojtur, pasi ata përfaqësojnë shtetin, por në fakt mbrojti marrëveshjen me mercenarët. Dhe është pikërisht kjo marrëveshje që ka nxjerrë mbi ujë përplasjen mes ushtrisë së Rapublikës dhe trupave të Wagner.
E pikërisht kjo përshpejtoi avancimin e Prigozhinit, duke rrezikuar edhe mbijetesën e Putinit nga sherri inatçor mes krerëve të ushtrisë.
Megjithatë, nëse Prigozhin ka arritur deri këtu, nuk është vetëm merita e tij. Putin fillimisht e lejoi atë të formonte një ushtri të fuqishme private, lëvizje shumë e rrezikshme. Pastaj ai heshti për një kohë të gjatë për sulmet e papërmbajtjshme të kreut të Wagnerit kundër ushtrisë dhe, për rrjedhojë, kundër pushtetit të tij. Të tjerët mund të përfitojnë një ditë nga dobësia ekstreme e Vladimir Putinit, tani që është ekspozuar në pikën e saj më të fortë.
Jo vetëm armiqtë e tij të jashtëm, ukrainasit të cilët do të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të tentuar të çajnë linjat mbrojtëse ruse. Por mbi të gjitha armiqtë e tij të brendshëm.
Zgjedhjet presidenciale ruse do të mbahen më 18 mars 2024 dhe tentativa për grusht shteti mund të hapë garën për pasardhësin që po zhvillohet në prapaskenë prej muajsh, mes teknokratëve të bindur se konflikti duhet të rimendohet dhe skifterëve që do të donin që Rusia të lëshonte të gjithë fuqinë e saj të zjarrit kundër Ukrainës për ta mbyllur përfundimisht çështjen.
Nëse Prigozhin vjen ndonjëherë në pushtet, gjë që për momentin duket e pamundur cilado qoftë arsyeja e vërtetë pas tërheqjes së papritur, pasojat do të ishin të paparashikueshme.
Pyetja përcaktuese për të ardhmen e Rusisë tani është nëse ka Prigozhinë të tjerë në kupolën e Moskës.
Për një kohë të gjatë, ish gangster i shndërruar në miliarder, gëzonte mbrojtjen e kreut të Gardës Kombëtare Viktor Zolotov, guvernatorit të Tulës, ish-truprojës së Putinit, Alexei Djumin dhe më në fund shefit të shtabit të Kremlinit, Anton Vajno. Por kohët e fundit të tre duket se kanë ndërprerë kontaktet me të. Ndërsa miliarderi dhe një nga këshilltarët më të afërt të Putinit, Yurij Kovalchuk, i konsideruar si "mbrojtësi" më i fuqishëm i “kuzhinierit rebel”, së fundi u “distancua” zyrtarisht prej tij. Mos ishte kjo një farsë për të maskuar komplotin?
Ndërkaq, dy nga ish-aleatët ushtarakë të kreut të Wagnerit, gjenerali Sergej Surovikin dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Aleksev, regjistruan video që dënonin rebelimin dhe u bënin thirrje luftëtarëve të Wagner të distancohen prej tij.
Ndërkaq shërbimet sekrete si FSB, e cila drejton gjithçka, duke filluar nga Kremlini, nuk e kanë pëlqyer kurrë Prigozhin dhe kredencialet e tij si ish-i dënuar.
Prigozhin ndoshta mund të gëzojë kumbarët jashtë vendit. Oligarkët e mërguar që dëshirojnë heqjen e sanksioneve, si Mikhail Fridman, ose heqjen e Putinit, si Mikhail Khodorkovsky, i cili po bën çmos që të kthehet në atdheun e tij. Ose fuqitë perëndimore synojnë ta përdorin si ‘kokë dashi’ për sa kohë kanë një armik të përbashkët.
Sado magjepsëse të jetë ideja e çmendurisë momentale, duket qartë se ishte një tentativë grushti shteti e përgatitur në kohë: fillimisht video e sulmit të rremë kundër Wagnerit, për ta përdorur si ‘casus belli’ i fabrikuar me mjeshtëri nga mbreti i propagandës, më pas marshimi në Moskë, pa gjuajtur asnjë plumb dhe pa hasur pothuajse asnjë rezistencë. Prigozhin mund të ketë aleatë me ndikim në elitë, të cilët nuk janë shfaqur ende. Por që ka shumë gjasa ta bëjnë së shpejti. Marshimi i dështuar mund të ketë qenë vetëm një provë e përmbysjes së pushtetit të Vladimir Putin./Pamfleti
Lini një Përgjigje