
Një raport hetimor për aksidentin fatal të funikularit Gloria në Lisbonë ka konfirmuar se shkaku ishte këputja e kabllos lidhëse mes dy kabinave.
Mjeti ikonik, një monument kombëtar që daton nga viti 1914 dhe shumë i preferuar nga turistët, kishte lëvizur vetëm gjashtë metra kur “papritur humbi forcën balancuese të kabllos lidhëse”, tha Zyra për Parandalimin dhe Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore.
Sipas raportit, sistemi mbrojtës aktivizoi menjëherë frenën pneumatike dhe atë manuale, por masat “nuk patën asnjë efekt për të reduktuar shpejtësinë”. Kabina përshpejtoi duke arritur deri në 60 km/h dhe u përplas për më pak se 50 sekonda.
Hetuesit thanë se mirëmbajtja e pajisjes ishte e përditësuar. Një inspektim vizual ishte kryer atë mëngjes, por zona ku ndodhi këputja nuk mund të shihet pa çmontuar mekanizmin.
Rreth orës 18:00 të së mërkurës, kabina nr.2 në pjesën e poshtme të funikularit “u tërhoq papritur mbrapsht”, duke u ndalur pas 10 metrash kur doli pjesërisht nga shinat.
Kabina nr.1, në pjesën e sipërme, vazhdoi zbritjen me shpejtësi, doli nga shinat dhe u përplas anash me murin e një ndërtese, duke shkatërruar strukturën prej druri.
Më pas goditi një shtyllë ndriçimi prej gize dhe një shtyllë mbajtëse, duke shkaktuar dëme të rënda, përpara se të përplasej me këndin e një ndërtese tjetër.
Analiza e mbetjeve tregoi se kablloja u këput në pikën ku lidhej me mekanizmin e sipërm të kabinës nr.1. Jetëgjatësia e specifikuar e kabllos ishte 600 ditë, ndërsa në momentin e aksidentit kishte vetëm 337 ditë përdorim. Kompania operuese e konsideronte këtë afat me një “margjinë sigurie të konsiderueshme”.
Në tragjedi humbën jetën 16 persona, mes tyre tre shtetas britanikë. Mediat britanike kanë identifikuar dy prej tyre: Kayleigh Smith, 36 vjeç dhe William Nelson, 44 vjeç. Viktima e tretë britanike ende nuk është bërë publike.
Funikulari Gloria lidh sheshin Restauradores në qendër të Lisbonës me lagjen historike Bairro Alto, një itinerar prej vetëm 276 metrash, që përshkohet në më pak se një minutë, por që kalon një kodër shumë të pjerrët.
Lini një Përgjigje