Bota18 Mars 2023, 08:56

Rënia e “Silicon Valley”, Biden: Të merren masa të ashpra ndaj drejtuesve të bankave që falimentojnë në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Rënia e “Silicon Valley”, Biden: Të merren masa të

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje të premten Kongresit që të lejojë entet rregullatore të caktojë ndëshkime më të ashpra ndaj drejtuesve të bankave që falimentojnë, përfshirë kthimin e parave me të cilat ata janë paguar për punën e kryer, si dhe duke lehtësuar procesin që ata të mos jenë më pjesë e kësaj industrie.

Zoti Biden i bëri thirrje Kongresit që t'i japë Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave këto kompetenca pas falimentimit të bankës ‘Silicon Valley’ dhe asaj ‘Signature', zhvillime që tronditën industrinë globale bankare.

Forcimi i llogaridhënies është i rëndësishëm për të parandaluar keqmenaxhimin në të ardhmen”, tha Presidenti Biden nëpërmjet një deklarate. "Kongresi duhet të veprojë për të vendosur dënime më të ashpra për drejtuesit e lartë të bankave, keqmenaxhimi i të cilëve kontribuoi në dështimin e institucioneve që ata drejtonin", shtoi ai.

Aktualisht Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave mund të marrë mbrapsht vetëm pagesat që u janë bërë drejtuesve në bankat më të mëdha në vend. Kongresi tashmë ka filluar të trajtojë pasojat e falimentit të bankave ne ekonominë e vendit.

Të premten, demokratja më e lartë e Komisionit të Shërbimeve Financiare në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësja Maxine Waters shkruante në një letër drejtuar rregullatorëve, se ndërsa ajo po harton legjislacionin për t'u dhënë rregullatorëve më shumë kompetenca “është thelbësore që agjencitë të veprojnë menjehere për të hetuar arsyet e falimentimit të këtyre bankave si dhe te përdorin mjetet në dispozicion, për t'i mbajtur drejtuesit plotësisht përgjegjës për çdo veprim të gabuar"./ VOA

falimentimi siliocon valley