
Qeveria italiane ka miratuar një paketë masash për të përballuar rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës, duke synuar frenimin e spekulimeve në tregun e karburanteve. Vendimet u morën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe përfshihen në dekretin e ri për karburantet.
Sipas projekt-masës, të cilën e ka parë gazeta La Repubblica, kontrollet e Guardia di Finanza përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, nga prodhuesit deri te shpërndarësit, mund t’i përcillen autoriteteve gjyqësore për të verifikuar ekzistencën e veprës penale të “manovrave spekulative mbi mallrat”.
Qeveria ka vendosur një regjim të posaçëm monitorimi për të ashtuquajturat “fenomene shtrembëruese”, i cili do të zgjasë dy muaj. Në rast se konstatohet një rritje anormale ose e papritur e çmimeve apo e kuotimeve ndërkombëtare të referencës, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Çmimeve do t’i komunikojë Guardia di Finanza të dhënat mbi operatorët dhe kompanitë e përfshira. Hetimet do të analizojnë dokumentacionin kontabël për të identifikuar çdo anomali në kostot dhe çmimet ditore të blerjes së karburantit, duke gjurmuar zinxhirin deri te blerja e naftës bruto dhe produkteve të rafinuara.
Rezultatet e hetimeve do t’i transmetohen menjëherë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Çmimeve dhe Autoritetit Antitrust për nisjen e mundshme të procedurave sanksionuese. Ky i fundit mund t’i referojë çështjet edhe në organet e drejtësisë brenda dy ditësh, në përputhje me nenin 501-bis të Kodit Penal.
Paketa përfshin gjithashtu mbështetje për sektorin e transportit rrugor. Qeveria ka parashikuar një kredi tatimore prej 28% për operatorët, për të zbutur efektet ekonomike të rritjes së çmimit të naftës. Masa vlen për automjetet e kategorisë Euro 6 ose më të larta dhe mbulon blerjet e dokumentuara të karburantit, pa TVSH. Fondi i përgjithshëm arrin në 608.5 milionë euro.
Një tjetër ndërhyrje lidhet me uljen e akcizave, një nga komponentët kryesorë të çmimit final në pompë. Masa u paralajmërua nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini pas një takimi me përfaqësuesit e industrisë së naftës. Ai bëri të ditur se, në bashkëpunim me ministrin e Ekonomisë Giancarlo Giorgetti, po punohet për një ulje të menjëhershme dhe të ndjeshme të akcizave.
Sipas Salvinit, qëllimi është që çmimi i naftës të zbresë nën 2 euro për litër, me objektiv potencial edhe nën 1.90 euro. Ai theksoi se ndërhyrja do të jetë eksperimentale për një muaj dhe do të kushtojë disa qindra milionë euro, ndërsa ulja e çmimit në pompë pritet të jetë rreth 4-5 cent për litër.
Lini një Përgjigje