Mark Rutte u shpreh se është i bindur se do të votojnë për rritjen e buxhetit në mbrojtje në 5%, kërkesë e parashtruar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Presidenti i SHBA, Donald Trump mbërriti mbrëmjen e djeshme në Hagë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, por deklaratat e tij kryesore i bëri që gjatë fluturimit me Air Force One, ku konfirmoi kursin e tij agresiv ndaj aleatëve europianë dhe kërkesën që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake nga 2% në 5% të PBB-së.
Kërkesa është një tronditje për Aleancën, e cila prej vitesh ka luftuar për të bindur anëtarët të arrijnë edhe pragun minimal prej 2%. Tashmë, Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Trump synon të imponojë një standard të ri, të justifikuar sipas tij nga rreziku real që paraqet presidenti rus, Vladimir Putin për Evropën.
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u shpreh se është i bindur se do të votojnë për rritjen e buxhetit në mbrojtje në 5%, kërkesë e parashtruar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas tij, aleatët nuk do të kishin rënë dakord të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes në 5% pa Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
"Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishit zgjedhur në vitin 2016 dhe rizgjedhur vitin e kaluar dhe përsëri në detyrë në janar", u shpreh ai duke folur për mediat bashkë me presidentin amerikan.
Në të vërtetë, propozimi i Trump përfshin 3.5% për investime ushtarake të drejtpërdrejta (aviacion, raketa, logjistikë, forca manovruese) dhe 1.5% për mbështetje jo-luftarake si siguria kibernetike, infrastruktura etj. Ky koncept ka rrënjë në samitin e NATO-s në Vilnius (2023) dhe është përshpejtuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Sipas analizave, plani do të kërkojë shuma të mëdha shumë më tepër sesa ato që Bashkimi Evropian ka llogaritur si të rikuperueshme nga shpenzimet e tepërta aktuale. Ndërsa gjenerali i NATO-s kanë punuar për vite për këtë zgjerim të kapaciteteve, askush nuk kishte parashikuar një presion të tillë direkt nga Trump.
Tensionet u rritën edhe më shumë kur Trump nuk e konfirmoi qartë nëse SHBA do të mbrojë një aleat të sulmuar, sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s.
“Ekzistojnë përkufizime të ndryshme të Nenit 5, apo jo? Sidoqoftë, unë jam miku i tyre”, u përgjigj ai, duke lënë hapur dyshime për angazhimin e Amerikës në rast konflikti.
Mbrëmjen e djeshme, presidenti amerikan mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima, së bashku me liderët e tjerë të vendeve anëtare. Por sot pritet një ditë intensive, gjatë së cilës Trump ka paralajmëruar se do të shqyrtojë personalisht deklaratën përfundimtare, sidomos për referencat ndaj luftës në Ukrainë.
“Siç e dini, do të doja të arrija një marrëveshje me Rusinë”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se diplomacia e tij mund të ndjekë një drejtim tërësisht tjetër nga ai i ndjekur nga NATO në vitet e fundit.
Lini një Përgjigje