
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet në Vilnius për samitin e Aleancës, ndërsa së fundmi ka thënë se është i bindur që do të merren vendime të forta për Ukrainën.
Në një fjalë të shkurtër hapëse, ai shtoi se: “Ukraina është afruar shumë me NATO-n, është koha për ta reflektuar këtë në të gjitha vendimet e NATO-s”.
Më tej ai tha se teksa synon t’i japë Ukrainës një lloj rruge drejt anëtarësimit, ajo është ende e ndarë se sa larg duhet të shkojë.
Kujtojmë se udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë.
Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s dhe se angazhohet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB-së.
Rama shkruan se Samiti në Vilnius i gjen aleatët më të fortë dhe më të vendosur për ruajtjen e paqes.
Lini një Përgjigje