Autoritetet amerikane kanë arrestuar në SHBA mbesën dhe stërmbesën e gjeneralit të ndjerë iranian Qassem Soleimani, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.
Sipas autoriteteve, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj u ndaluan të premten nga agjentë federalë, pasi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, vendosi t’u heqë statusin e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratën zyrtare thuhet se të dyja ndodhen aktualisht në paraburgim nën kujdesin e agjencisë amerikane për Emigracionin dhe Doganat (ICE), ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet specifike të këtij vendimi apo mbi procedurat e mëtejshme ligjore.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje figurën e Qassem Soleimanit, një nga personazhet më të rëndësishëm të strukturës ushtarake dhe strategjike të Iranit në dekadat e fundit. Soleimani ishte komandant i Forcës Quds, një njësi elitare e Gardës Revolucionare Islamike, e cila merret me operacione jashtë territorit iranian.
Ai luajti një rol qendror në zgjerimin e ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme, duke mbështetur grupe aleate në Irak, Siri, Liban dhe vende të tjera. Për Teheranin, Soleimani konsiderohej arkitekt i strategjisë rajonale dhe figurë kyçe në luftën kundër organizatave ekstremiste si ISIS. Nga ana tjetër, SHBA e cilësonin atë përgjegjës për operacione që rrezikonin interesat amerikane dhe aleatët në rajon.
Qassem Soleimani u vra në janar të vitit 2020 në Bagdad, në një sulm me dron të urdhëruar nga SHBA. Vrasja e tij shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare dhe rriti ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Lini një Përgjigje