Bota24 Shkurt 2024, 15:24

SHBA goditje Netanyahu-t, refuzon planin e Izraelit për Gazën

Shkruar nga Pamfleti

SHBA goditje Netanyahu-t, refuzon planin e Izraelit për Gazën

Edhe pse ai mund të ketë pritur që reagimet ndaj planit të ishin të ndryshme, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mori një dush të ftohtë nga Uashingtoni.

Të premten, kryeministri i Izraelit prezantoi planin e qeverisë për menaxhimin e Gazës pas luftës, ku paraqiti një sërë propozimesh të diskutueshme që palestinezët fillimisht i refuzuan.

Përveç palestinezëve, plani duket se nuk është pranuar as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “Times of Israel”.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e presidentit, Joe Biden ka qenë vazhdimisht e qartë me Izraelin për atë që do të dëshironte të shihte në Gaza pas përfundimit të luftës.

Duke folur në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, theksoi gjithashtu se populli palestinez duhet të ketë një zë përmes një Autoriteti Palestinez të rigjallëruar.

“Uashingtoni ka qenë i qartë për atë që duhet. Ne kemi thënë se Amerika nuk beson në zvogëlimin e Gazës dhe ne nuk duam të shohim ndonjë zhvendosje të detyruar të palestinezëve jashtë saj. Natyrisht nuk duam që Gaza të dominohet nga ata që e kanë qeverisur deri më tani Hamasi”, tha ai.

Ajo që tashmë dihet është se Uashingtoni avokon për reformën e shtetit palestinez që do të merrte përsipër administrimin e Gazës menjëherë pas luftës, të cilën e refuzoi Izraeli.

Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet gjithashtu që Autoriteti Palestinez të fillojë të menaxhojë me Gazën duke qenë se ata tashmë kanë një infrastrukturë.