Shtetet e Bashkuara dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje me vlerë miliarda dollarë me vendet e Ballkanit, duke përfshirë projekte të rëndësishme në fushën e inteligjencës artificiale (AI) raporton Reuters.
Ndërsa në Tiranë, ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, nënshkroi një marrëveshje 20-vjeçare me vlerë 6 miliardë dollarë mes kompanisë Venture Global dhe Aktor LNG USA për eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) drejt Shqipërisë.
Sipas Guilfoyle, kjo marrëveshje synon të forcojë sigurinë energjetike dhe kombëtare në të gjithë rajonin.
Paralelisht, SHBA mbështet edhe një projekt infrastrukture që lidhet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë, për ndërtimin e një gazsjellësi që do të transportojë gaz amerikan nga terminali LNG në ishullin Krk drejt Bosnjës. Projekti do të drejtohet nga kompania amerikane AAFS Infrastructure and Energy LLC dhe parashikon investim rreth 1.5 miliardë euro.
Në Kroaci, bashkëpunimi shtrihet edhe në teknologji të avancuar sepse kompania Rade Koncar dhe grupi amerikan Pantheon Atlas LLC nënshkruan një letër synimi për një projekt të madh në fushën e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave, me vlerë rreth 50 miliardë euro.
Projekti parashikon ndërtimin e një objekti me kapacitet energjetik prej 1 gigavat për përpunimin e të dhënave në AI dhe shërbime cloud. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2027 dhe operimi në vitin 2029, në varësi të lejeve dhe përmirësimeve në rrjetin energjetik.
Zyrtarë amerikanë deklaruan se këto marrëveshje janë pjesë e një strategjie për të thelluar lidhjet me Evropën Jugore dhe Lindore dhe për të reduktuar ndikimin e energjisë ruse në rajon.
Zhvillimi i projekteve të mëdha në inteligjencën artificiale tregon se infrastruktura energjetike dhe ajo dixhitale po ndërthuren. Qendrat e të dhënave kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji, çka e bën rajonin e Ballkanit një pikë me interes strategjik për investime të kombinuara në energji dhe AI.
Projekti “Pantheon”, Kroacia synon të bëhet qendër europiane për Inteligjencën Artificiale
Projekti, me vlerë rreth 50 miliardë euro, parashikon ndërtimin e një qendre moderne të të dhënave në Kroaci e njohur si “Project Pantheon”, që u prezantua të martën në Forumin e Biznesit të Nismës së Tre Deteve në Dubrovnik.
Qendra do të ketë një kapacitet total prej 1 gigavat dhe do të përmbushë standarde disponueshmërie mbi nivelin më të lartë “Tier 4” që aplikohet në Bashkimin Evropian.
Ndërtimi në zonën e Topuskos pritet të nisë në vitin 2027, ndërsa operimi në fillim të vitit 2029 sipas Balkaninsight.
Në bashkëpunim me partnerin strategjik Koncar Group, projekti përfshin ndërtimin e një nënstacioni elektrik dhe rreth 280 kilometra linja të reja transmetimi. Një tjetër partner, kompania Greenvolt, do të ndërtojë një central fotovoltaik me kapacitet 500 MW, i dedikuar ekskluzivisht për nevojat e qendrës.
Investimet në rrjetin energjetik pritet të rrisin sigurinë dhe stabilitetin e sistemit në Kroaci, ndërsa kapacitetet e reja mundësojnë integrimin e deri në 5.2 GW energji të rinovueshme që aktualisht nuk shfrytëzohen. Projekti mund të rrisë gjithashtu numrin e prodhuesve privatë të energjisë, duke ndikuar potencialisht në uljen e çmimeve.
Qendra do të përdorë burime të veta uji dhe nuk do të lidhet me rrjetet ekzistuese të furnizimit apo kanalizimeve. Uji për ftohje do të avullojë pa ndryshuar përbërjen kimike. Parashikohen gjithashtu investime në infrastrukturën rrugore dhe në rrjetin e fibrës optike.
Investimet totale në infrastrukturë publike dhe mbështetëse vlerësohen rreth 500 milionë euro. Projekti pritet të krijojë mbi 3,000 vende pune gjatë ndërtimit, 1,500 vende të përhershme pas përfundimit dhe rreth 6,000 vende të tjera pune në mënyrë indirekte.
Jako Andabak, bashkëpronar kroat i projektit, deklaroi se iniciativa e vendos Kroacinë mes vendeve kryesore në industrinë teknologjike. Ai theksoi se projekti është projektuar kryesisht nga ekspertë vendas dhe do të zbatohet në pjesën më të madhe nga industria kroate.
Nga ana tjetër, Ryan Rich nga Pantheon AI tha se Kroacia konsiderohet një vend i sigurt dhe me fuqi punëtore të kualifikuar, duke shtuar se bashkimi i kapitalit amerikan me ekspertizën vendase rrit gjasat për sukses.
Drejtori i Koncar, Gordan Kolak, theksoi se projekti shënon një hap drejt transformimit të ekonomisë kroate nga hidrokarburet drejt burimeve të rinovueshme.
Para me shume per qeverite e korruptuara te Ballkanit