
Shefi i mbrojtjes gjermane ka paralajmëruar se anëtarët e aleancës perëndimore NATO duhet të përgatiten për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.
Gjenerali Carsten Breuer u shpreh se Rusia po prodhonte qindra tanke në vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm ndaj shteteve balltike anëtare të NATO-s deri në vitin 2029 ose edhe më herët.
Ai theksoi gjithashtu se NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut duhet të mbetet e bashkuar sa i përket luftës në Ukrainë, pavarësisht dallimeve në opinione të shprehura së fundmi nga Hungaria dhe Sllovakia.
Komentet e tij vijnë disa javë përpara një samiti të vendeve të NATO-s në Hagë, ku pritet të diskutojnë buxhetet e mbrojtjes, ndër tema të tjera.
Gjenerali Breuer tha se NATO po përballet me “një kërcënim shumë serioz” nga Rusia, një kërcënim që ai nuk e kishte parë kurrë më parë në 40 vitet e tij në shërbim.
“Jo çdo tank do të shkojë në luftën në Ukrainë, por po shkon edhe në stoqe dhe në strukturat e reja ushtarake që janë gjithmonë përballë Perëndimit”, u shpreh ai.
Gjenerali Breuer tha se Rusia prodhoi gjithashtu katër milionë fishekë municionesh artilerie 152 mm në vitin 2024 dhe jo të gjitha këto sasi shkuan në Ukrainë.
“Ekziston një qëllim dhe ka një grumbullim të stoqeve për një sulm të mundshëm në të ardhmen ndaj shteteve balltike të NATO-s”, shtoi ai.
Shumë prej analistëve kanë paralajmëruar prej kohësh një sulm ndaj një shteti të NATO-s, pasi kjo mund të shkaktojë një luftë më të madhe midis Rusisë dhe SHBA-së, e cila është një anëtare kyçe e NATO-s.
Sipas Nenit 5 të marrëveshjes së NATO-s, çdo sulm ndaj një shteti anëtar do të thotë që anëtarët e tjerë duhet t’i dalin në mbrojtje.
Lini një Përgjigje