
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë nesër Uashingtonin për takime me Presidentin amerikan Donald Trump dhe anëtarë të lartë të kabinetit të tij.
Në njoftimin për shtyp që shpall vizitën, nuk jepet një arsye specifike për udhëtimin, megjithatë, Trump ka deklaruar së fundmi se do të ishte i gatshëm të dërgonte armë në Ukrainë përmes NATO-s.
Gjithashtu, Presidenti amerikan ka premtuar të bëjë një "deklaratë të rëndësishme" nesër në lidhje me Rusinë – që disa e interpretojnë si mbështetje ndaj një projekt-ligji të ri sanksionesh kundër Moskës.
Gjatë vizitës dyditore, përveç takimit me Trump, Rutte do të zhvillojë bisedime edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth.
Rutte tërhoqi vëmendjen muajin e kaluar, pas një takimi në Hagë me Trump, ku e quajti presidentin amerikan “babush”. Duke iu referuar gjuhës së ashpër që Trump përdori në diskutimin për konfliktin 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit, Rutte tha me ironi: “Babushi ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të fortë.”
Shtëpia e Bardhë reagoi me humor ndaj shkëmbimit, duke postuar në rrjetet sociale një mesazh që thoshte: "Babushi është kthyer në shtëpi".
Lini një Përgjigje