
Donald Trump po përdor superioritetin ushtarak dhe teknologjik të Amerikës për të imponuar marrëveshje të njëanshme mbi Evropën.
Pas humbjes nga britanikët në Luftën e Parë të Opiumit, dinastia Qing në Kinë u detyrua të nënshkruante Traktatin e vitit 1842, i cili i hapi rrugë mbi një shekulli shtypjeje të huaj dhe kontrolli kolonial mbi politikat tregtare. Ai ishte i pari nga të ashtuquajturat “traktate të pabarabarta”, ku fuqitë ushtarake e teknologjike të kohës impononin kushte njëanshme për të mbuluar deficitin e tyre tregtar.
Sot, pothuajse dy shekuj më vonë, duket se Bashkimi Europian po përjeton një situatë të ngjashme me Shtetet e Bashkuara të Donald Trump-it. Udhëtimi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, muajin e kaluar në resorin e golfit të Trump në Turnberry të Skocisë për të nënshkruar një marrëveshje tregtare të paekuilibruar, ka ngritur shqetësime serioze se Europa po humb peshën e dikurshme si superfuqi tregtare.
Kritikët e saj e cilësuan pranimin e tarifës 15% mbi shumicën e mallrave europiane si një akt “nënshtrimi”, një “disfatë të pastër politike për BE-në” dhe një “kapitullim ideologjik e moral”. Por, me bojën ende të njomë të marrëveshjes, Trump e rriti presionin, duke kërcënuar me tarifa të reja ndaj BE-së për shkak të rregullave digjitale që prekin gjigantët amerikanë të teknologjisë. Nëse BE nuk pajtohej, Trump paralajmëroi se SHBA do të ndalte eksportin e teknologjive jetike të mikroçipave.
Kjo erdhi vetëm disa ditë pasi Brukseli besonte se kishte marrë garanci të shkruara nga Uashingtoni se sovraniteti i tij digjital ishte i sigurt. Trump, ashtu si britanikët në shekullin XIX, e di se ka kartat ushtarake dhe teknologjike në dorë, dhe se Europa është larg prapa në këto fusha. Ai është i vetëdijshëm se Europa nuk dëshiron të përballet me Vladimir Putinin pa mbështetjen ushtarake amerikane, as nuk mund të mbijetojë pa teknologjinë amerikane të çipave.
Komisioneri Europian i Tregtisë, Maroš Šefčovič, e pranoi se marrëveshja me SHBA është pasqyrë e dobësisë strategjike të Europës: “Nuk është vetëm për tregti. Është për sigurinë, për Ukrainën, për paqëndrueshmërinë gjeopolitike aktuale.” Ekspertë si Thorsten Benner në Berlin shkojnë më tej, duke thënë se kjo është pasojë e mungesës së investimeve për dy dekada në mbrojtje dhe teknologji, dhe dështimit për të thelluar tregun e përbashkët.
Ngjashëm me udhëheqësinë Qing, Europa shpërfilli sinjalet e alarmit. Sabine Weyand, drejtore e përgjithshme për tregtinë në KE, kujtoi se BE “i injoroi paralajmërimet gjatë mandatit të parë të Trump dhe ra në gjumë sërish”, ndërsa tani po paguan çmimin.
Ndërkohë, Trump e sheh marrëveshjen si themelin e një “rendi të ri botëror tregtar”, të cilin e quan “sistemi Turnberry”, duke e krahasuar me Bretton Woods të vitit 1944. Por teksti i marrëveshjes, vetëm katër faqe dhe i paqartë, i jep atij hapësirë për të bërë kërkesa të reja ose për të kërcënuar me hakmarrje sa herë që gjykon se Europa nuk po respekton angazhimet.
Brukseli e shet këtë si “opsionin më pak të keq”, por në praktikë është dëshmi se shantazhi funksionon. Pekini po vëzhgon nga afër, në një kohë kur marrëdhëniet BE-Kinë janë përkeqësuar dhe kur Kina mban dominimin mbi mineralet kritike që Perëndimi ka nevojë për teknologjitë e gjelbra e të mbrojtjes.
Për të shmangur një periudhë të gjatë dobësie, BE duhet të reduktojë varësinë nga SHBA në mbrojtje, teknologji dhe financa. Ursula von der Leyen ka përmendur tre shtylla: përgatitjen e masave hakmarrëse, diversifikimin e partnerëve tregtarë dhe forcimin e tregut të përbashkët. Mario Draghi paralajmëroi se pa reforma të thella dhe pa investime në infrastrukturë, teknologji dhe kompani europiane, BE rrezikon të bjerë në “irrelevancë gjeopolitike”.
Nëse nuk zgjohet, Europa mund të mbetet thjesht një fushëbetejë ku përplasen SHBA dhe Kina. Pyetja është: a do të arrijë BE të forcojë rolin e saj si qendër e tregtisë së lirë, apo do të kthehet në një territor të pashmangshëm të rivalitetit mes superfuqive? /Përshtati “Pamfleti” nga “Politico”
Lini një Përgjigje