
Shpërthime të forta kanë tronditur mbrëmjen e sotme kryeqytetin iranian, Teheranin, duke bërë që të dridhen dritaret e apartamenteve në disa zona të qytetit.
Sipas raportimeve, shpërthimet ndodhën rreth orës 21:00 me orën lokale (17:30 GMT), në të njëjtën kohë kur televizioni shtetëror njoftoi se vendi ishte nën sulm. Deri në këto momente nuk është bërë e qartë se cili ishte objektivi i saktë i goditjeve.
Transmetuesi shtetëror i Iranit deklaroi se pjesë të selisë së tij janë goditur nga “armiku amerikano-sionist”. Një prezantuese tha se “disa çaste më parë” pjesë të kompleksit të Transmetimit të Republikës Islamike të Iranit (IRIB) ishin sulmuar.
“Aktualisht, transmetimi nga Voice and Vision (IRIB) vazhdon normalisht dhe kolegët tanë teknikë po vlerësojnë çdo dëm të mundshëm”, shtoi ajo.
Më herët, në rrjetet sociale u përfol se godina e IRIB ishte goditur, por këto u mohuan në atë kohë nga burime zyrtare.
Kjo nuk është hera e parë që transmetuesi shtetëror bëhet objektiv. Gjatë përshkallëzimit të konfliktit Iran-Izrael në qershor 2025, godina u godit ndërsa transmetohej një buletin i drejtpërdrejtë i IRINN. Në atë moment, prezantuesja Sahar Emami u dëgjua duke thirrur “Zoti është i madh” mes shpërthimeve, përpara se një shpërthim i dytë dhe shembja e pjesshme e tavanit të studios ta detyronin të largohej nga studioja.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi dëmet apo viktimat e mundshme, ndërsa situata në kryeqytet mbetet e tensionuar.
Lini një Përgjigje