Bota22 Shkurt 2024, 11:05

Si mund të jetë politika e re e jashtme e Donald Trump?

Shkruar nga Ben Domenech
Si mund të jetë politika e re e jashtme e Donald Trump?
Donald Trump /

Një muaj pas tronditjes që shkaktoi rezultati i zgjedhjeve presidenciale i vitit 2016, gazetari i CBS John Dickerson, po kërkonte mendimin e 93-vjeçarit Henry Kissinger mbi presidentin e ardhshëm. “Donald Trump, është një fenomen që nuk e kanë parë vendet e huaja”- deklaroi Kissinger.

Sipas tij shumë vende duhet të përgatiten për t’u përballur me një president të ri, që do të ngrinte shumë çështje të panjohura më parë. “Duke pasur parasysh kombinimin e vakuumit të pjesshëm institucional dhe çështje të reja, mund të imagjinohet që të shohim një lidership të pazakontë dhe të ri. Nuk po them se do të ndodhë me siguri. Por gjasat janë të mëdha”- do të deklaronte në atë kohë diplomati veteran.

‘E jashtëzakonshme’ është vetëm një nga epitetet që mund të përshkruajnë atë që pasoi. Të tjerat mund të përfshijnë terma si kaotike, shqetësuese, drithëruese etj, që shkaktonin zakonisht postimet në Twitter të Trump duke nxitur shumë amerikanët të kishin frikë për jetën e tyre.

Vetëm 2 vite më vonë, një sondazh i Washington Post /ABC, zbuloi se shumica e amerikanëve kishin frikë se postimet e Trump në Twitter do të çonin në një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut. Në ditët pas postimit famëkeq të Trump më 2 janarit 2018, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un deklaroi se “Butoni Bërthamor është në çdo kohë në tavolinën e tij”.

“A do ta informojë dikush nga regjimi i tij i varfër se edhe unë kam një buton bërthamor, por ai është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se i tij, dhe butoni im funksionon!” - ishte kundërpërgjigja e Trump po në Twitter. Amerikanët e tmerruar nga lehtësia me të cilën u artikuluan këto deklarata, hynë masivisht në faqen Nukepills.com për të porositur doza të jodurit të kaliumi, me disa furnitorë që i shitën brenda 48 orëve sasitë që kishin në dispozicion.

Por sado e çuditshme që mund të duket nga këndvështrimi i amerikanëve të zakonshëm, ka një fjalë tjetër për politikën e jashtme të Trump: e qëndrueshme. Përkundër bujës që shkaktonin shpesh postimet e tij në Twitter, Trump nuk nisi asnjë luftë të re dhe as nuk u zhyt në vorbulla që të kishin ndonjë ndikim tek familjet amerikane.

Shkalla e papritur e stabilitetit, bëri që shumë njerëz në qarqet republikane të përkrahnin udhëheqjen e presidentit në skenën globale. Edhe donatori kryesor republikan anti-Trump, Ken Griffin, që së fundmi dha 5 milionë dollarë për të mbështetur kandidimin e ish-ambasadores së Kombeve të Bashkuara Nikki Haley, e pranoi: “Prej shumë vitesh shumë nga ne, përfshirë edhe mua, jemi kundër shumë sjelljeve të Trump. Por fakti është që në vitet e presidencës së tij, bota ishte më e sigurt”- tha ai për CNBC.

Në fjalimin e fundit të Trump mbi Gjendjen e Bashkimit si president, ai nuk tha asgjë për “Shkurtabiqin me Raketa” (Kim Yong Un), Vladimir Putinin apo Volodymyr Zelensky, sepse nuk kishte nevojë. Komentet e tij mbi politikën e jashtme u përqendruan tek Kina, ku ai promovoi arritjen e disa marrëveshje tregtare dhe tek Irani, ku u mburr me vendimin e tij për të vrarë kreun e ISIS Abu Bakr al-Baghdadi dhe Qasem Soleimani, drejtuesin e Gardës Revolucionare Iraniane.

Kjo i dha mundësi t’i kthehej politikës izolacioniste. “Armiqtë e Amerikës kanë marrë arratinë”- tha ai. Këtë vit, kritikat ndaj politikës së jashtme të Donald Trump ndaj Joe Biden, bazohen tek akuza se presidenti aktual po bën të kundërtën. Duke filluar me tërheqjen katastrofike nga Afganistani, të ndjekur nga dështimi për ta penguar Putinin të pushtonte Ukrainën, dhe duke vazhduar me dështimet e shërbimeve sekrete si në sulmin në Gaza, ashtu edhe me terroristët që depërtuan në kufirin jugor të vendit.

Ajo ka marrë formën e një kritike tradicionale republikane. Është një nga ato akuza që e kemi dëgjuar nga të gjithë kandidatët republikanë vitet e fundit: dobësia sjell rrezik, demokratët bazohen tek një ushtri më e dobët dhe një diplomaci naive, dhe Biden i ka bërë të gjitha këto në mënyrë të përsëritur, duke na lënë më të dobët aty ku Trump na la më të fortë.

Bie në sy se kjo qasje përfaqëson një shkëputje nga qasja e kaluar e Trump ndaj politikës së jashtme. Në vitin 2015, ai ishte kaotik për shkak të kritikave të tij naive ndaj politikës së jashtme të George W.Bush dhe grupit të neo-konservatorëve që e zhytën SHBA-në në luftëra në mbarë botën.

Këtë herë, Trump nuk po thotë asgjë që nuk do të thuhej nga Tom Cotton, Marco Rubio apo Lindsey Graham. Pra retorika e politikës së jashtme e Trump trondit duke qenë tejet normale. Por ka një fushë, ku mund të kemi një mosmarrëveshje të madhe, e cila mund të shfaqet që në ditët e para të mandatit të dytë të Trump.

Sot fokusi kryesor është tek mosmarrëveshja në lidhje me financimin e luftës së Ukrainës, armatosja e Tajvanit, apo një përgjigje e shtuar ushtarake ndaj karteleve meksikane të drogës. Këto mbështeten nga shumë zyrtarë të dikurshëm por edhe të ardhshëm të Trump, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Por ato u kundërshtuar nga figura publike si Tucker Carlson dhe shumë nga e djathta e re. Por fusha Trump i Parë mund të bjerë ndesh me Trumpin e Dytë, ka të bëjë me mbështetjen e vazhdueshme ndaj NATO-s. E vërteta është se pavarësisht nga akuzat e Trump për dështimin e NATO-s për të mbajtur secili barrën financiare, lufta në Ukrainë i ka detyruar vendet evropiane që të ngrihen për vetë-mbrojtjen e tyre.

Sipas një raporti të janarit të këtij viti nga Forumi konservator për Lidershipin Amerikan, në vitin 2022, Evropa shpenzoi në total 260 miliardë dollarë për mbrojtjen, ose 6 për qind më shumë se një vit më parë, rritja më të madhe për Evropën në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Vitin e kaluar, 28 nga 31 anëtarë të NATO-s i rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Por as kjo nuk i ka ndaluar njerëzit që ka të ngjarë të jenë pjesë e stafit ardhshëm të Trump nëse ai do të fitojë në nëntor, që të sugjerojnë vazhdimisht se mbeten të përkushtuar për nxjerrjen e vendit nga NATO.

Por forcat anti- NATO brenda Partisë Republikane ndodhen në pozita të dobëta. Historia na ka treguar vazhdimisht mbi rëndësinë e të pasurit aleatë aty ku keni interesa. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të preferojnë të kenë aleatë që janë të besueshëm dhe vlerat dhe interesat e të cilëve janë afër tonave.

NATO e përmbush këtë objektiv dhe ndihmon për të siguruar interesat tona të mëdha strategjike në Evropë dhe më gjerë. Në dy dekadat e fundit, vendet e NATO-s kanë dërguar ushtarët e tyre për të vdekur në luftërat e nisura nga Amerika. Dhe nëse doni një panoramë paraprake të asaj se si duket Evropa pa NATO-n, mjafton të shikoni përpjekjet kaotike për të mbrojtur rrugët detare të anijeve në Detit të Kuq, që u shndërruan nga një operacion në nivel koalicioni tek motoja “secili për veten”.

Për tradicionalistët e politikës së jashtme në Partinë Republikane, lajmi i keq është se duhet të luftojnë për prioritetet e tyre kundër një ekipi Trump 2.0 të drejtuar nga njerëz jorealistë që dëshirojnë të luajnë rolin e të pafajshëm jashtë vendit, në një botë që nuk është e pafajshme.

Ndërkohë lajmi i mirë është se vetë Trump po jep pak shenja se ai është dakord me këtë ekip apo se synon të mbajë çdo pretim që bën në fushatë. Tradicionalistët mund të ngushëllohen me këtë fakt: nëse Trump do të rikthehet në Zyrën Ovale, ai do të ketë një listë të gjatë gjërash për të shkatërruar, para se t’i vijë radha NATO-s./ Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

 

donald trump politika e jashtme