TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Maj 2025, 10:10

Si mund të ndalet kursi autoritarist i Donald Trump

Shkruar nga Pablo Guimón
Si mund të ndalet kursi autoritarist i Donald Trump
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump

Filozofi i njohur amerikan Michael J.Sandel, paralajmëroi që herët synimin e presidentit për të zgjeruar kufijtë e pushtetit presidencial, teksa parashikon se rikthimi në normalitet do të jetë shumë i vështirë. Sipas tij, do të jetë beteja politike dhe jo ajo ligjore, që do ta ndalë Trumpin...

Disa nga çelësat për të kuptuar botën e re, e cila po merr formë në 100 ditët e para të presidencës së dytë të Donald Trump, mund të gjenden në veprën me ndikim dhe shumë parashikuese të filozofit politik Michael J.Sandel.

Nga “Pakënaqësia me demokracinë”, që në mesin e viteve 1990 e sfidoi narrativën optimiste të “fundit të historisë”, tek “Tirania e meritokracisë”, që më shumë se dy dekada më vonë shqyrtoi ankesat legjitime të shtresës së punëtorëve - pasojat e të cilave tani po shpalosen shumë qartë.

Duke folur nga zyra e tij në Universitetin e Harvardit, që tashmë është shndërruar në një simbol të rezistencës ndaj asaj që ai e përshkruan si një “sulm të gjerë kundër shoqërisë civile” nga një president që nuk njeh kufizime në pushtetin e tij, Sandel analizon shkaqet e krizës aktuale dhe rrugëdaljet e mundshme.

Një vit më parë, paralajmëruat se Trump do të ishte edhe më i rrezikshëm, nëse do të fitonte një mandat të dytë. Më efikas, dhe me më pak njerëz përreth të gatshëm të frenojnë impulset e tij më të këqija…

Mjerisht, ky parashikim u vërtetua. Në mandatin e tij të parë, ai ishte një manjat i pasurive të patundshme dhe yll i reality shout, që nuk e kishte idenë se si të qeveriste. Prandaj emëroi disa njerëz pak a shumë të përgjegjshëm, të cilët kishin një farë respekti për sundimin e ligjit, dhe që treguan njëfarë përmbajtjeje.

Por humbja në vitin 2020, e zemëroi dhe e turpëroi deri në pikën që ai e mohoi atë. Në fushatën e fundit, Trump deklaroi hapur se mandati i tij i dytë do të bazohej tek hakmarrja. Dhe ai e ka rrethuar veten me njerëz që në thelb po i tregojnë sesi të marrë hak duke përdorur të gjitha fuqitë e presidencës, madje edhe disa që sipas Kushtetutës nuk i përkasin.

Pra Trump po i teston qëllimisht kufijtë e pushtetit presidencial?

Po. Ai e di që çështjet do të paraqiten para gjyqtarëve federalë. Pra padi kundër dëbimeve

të padrejta, kundër anulimit të vizave studentore, kundër shkarkimit arbitrar të punonjësve federalë…Dhe mënyra për të zgjeruar pushtetin e tij, është shkelja e kufijtë tradicionalë të presidencës dhe përmbytja e gjykatave me padi. Ai do të humbasë disa, por do të fitojë të tjerat. Sepse në fund, ajo që do të vendosë është Gjykata e Lartë, ku republikanët kanë shumicën.

A i kemi parë 100 ditët e para më domethënëse të një presidence në historinë moderne?

Nëse disa nga këto masa do të korrigjohen nga Gjykata e Lartë, atëherë 100 ditët e para të kësaj presidence nuk do të jenë aq të rëndësishme në retrospektivë. Por nëse mbështeten edhe nëse vetëm disa prej tyre, do jemi dëshmitarë të një transformimi të sistemit politik amerikan.

Dhe këtu duhet t’i shtojmë edhe politikën e jashtme, kthimin e shpinës ndaj aleatëve evropianë, Kanadasë dhe Meksikës. Armiqësinë e tij ndaj NATO-s dhe braktisjen e Ukrainës, një konflikt në të cilin ai ka ndërruar anë. Këto dëme, do të jetë shumë të vështira për t’u riparuar, dhe kjo qasje do ta ndryshojë vendin e SHBA-së në botë.

A mund të kthehen një ditë gjërat në normalitet?

Zgjedhja e Trumpit për një mandat të dytë, dhe agresiviteti me të cilin ai po përdor pushtetin ekzekutiv, e bëjnë shumë të vështirë rikthimin në normalitet.

Shumë analistë të huaj, janë habitur nga toleranca e amerikanëve ndaj përdorimit autoritar të pushtetit. Me pak përjashtime, s’ka pasur asnjë reagim. Pse ndodh kjo?

Arsyeja kryesore është se kaosi ku gjendet ende Partia Demokratike. Ajo nuk po di se si të përgjigjet. Demokratët janë të përçarë. Disa besojnë se aktiviteti frenetik i Trump është kundërproduktiv për të. Për shembull, tarifat, të cilat do të rrisin inflacionin, që ishte edhe një nga shqetësimet që e ndihmuan Trump të fitonte zgjedhjet.

Pra, disa demokratë duan t’i japin atij hapësirë për vetë-shkatërrim. Të tjerët, besojnë se kjo qasje është shumë pasive, dhe se është e nevojshme të përshkallëzohet opozita. Në këto kushte, pyetja është se cili duhet të jetë fokusi i opozitës.

Disa demokratë, mendojnë se baza më e rëndësishme e opozitës, duhet të jetë këmbëngulja në sundimin e ligjit. Problemi është se sundimi i ligjit, megjithëse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një demokraci, është një themel i dobët për një projekt politik, përveç nëse lidhet me çështje për të cilat publiku interesohet vërtet.

Cila do të ishte kauza më thelbësore?

Pjesa tjetër e opozitës, senatori Bernie Sanders dhe kongresmenia Alexandria Ocasio-Cortez, kanë organizuar tubime anti-Trump, që kanë tërhequr dhjetëra mijëra njerëz, më shumë sesa tubimet e vetë Trumpit apo Obamës. Dhe ndërsa ata përmendin sundimin e ligjit. Fokusi i tyre kryesor është kapja e pushtetit politik nga oligarkët.

Pra se si pavarësisht retorikës populiste dhe suksesit të tyre në bindjen e punëtorëve për ta votuar, ata që popullojnë administratën Trump dhe ata që përfitojnë nga politikat e saj, janë miliarderë dhe korporatat e mëdha. Kjo ka pasur jehonën më të fortë, dhe tregon se e vetmja mënyrë që Partia Demokratike të ringjallet dhe të jetë një opozitë efektive ndaj Trump, është të shkojë përtej retorikës mbi sundimin e ligjit.

Tek e fundit, që nga presidenca e parë e Trump, demokratët besonin se ai do të rrëzohej nga ligji dhe proceset gjyqësore: raporti Mueller, dhe 2 procedurat e shkarkimit nga detyra. Ata janë mbështetur tek ligji dhe gjykatat për ta mposhtur dhe kanë dështuar. Sepse Trump nuk ndalet nga ligji, por nga politika. Partia Demokratike duhet t’i bëjë vetes pyetjen pse është braktisur nga shtresa e punëtoreve. Dhe kjo është një pyetje politike, jo ligjore.

Ka lidhje me pakënaqësinë legjitime, për të cilën po flisnit 3 dekada më parë…

Po. Isha i shqetësuar për këtë në vitet 1990, në kohën kur kishte shumë besim tek globalizimi. Muri i Berlinit kishte rënë. Lufta e Ftohtë kishte mbaruar. Kapitalizmi liberal demokratik i stilit amerikan, dukej i vetmi sistem që qëndronte ende në këmbë. Kishim arritur “fundin e historisë”. Asokohe nuk e besoja. Dhe arroganca e atij momenti i hapi rrugën Trumpit.

Po çfarë mund të themi për peshën e çështjeve kulturore? Ndoshta duhet ta ndryshojmë shprehjen e famshme të James Carville në “Është kultura, o budalla”?

Po dhe jo. Duhet ta rimendojmë dallimin e mprehtë midis ekonomisë dhe kulturës. Sepse ajo që ka rëndësi është burimi i pakënaqësive legjitime, dhe këto nuk janë tërësisht ekonomike. Sepse problem nuk është vetëm zgjerimi i hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. Dhe as pabarazia në pasuri, por ndarja gjithnjë e më e madhe midis fituesve dhe humbësve. Ata që arritën në majë, filluan të mendonin se suksesi i tyre ishte vepër dhe meritë e tyre, dhe se edhe ata që humbën e meritonin fatin e tyre.

Dhe kur punëtorët ndihen të nënvlerësuar nga elitat, kjo është pjesërisht ekonomike, por edhe kulturore. Ka të bëjë me respektin, dinjitetin. Po, James Carville gaboi kur tha: “Thelbi është ekonomia, o budalla”. Një mënyrë më e mirë për ta thënë do të ishte: është kombinimi i ekonomisë dhe kulturës, ajo që i bën njerëzit punëtorë të ndiejnë se elitat i përçmojnë, se puna e tyre nuk ka vlerë dhe se për këtë arsye u mungon dinjiteti.

Ndaj na duhet një slogan më i shkurtër: “Thelbi nuk qëndron tek ekonomia o budalla, por tek dinjiteti”. Dhe dinjiteti nuk qëndron vetëm tek PBB-ja apo çmimi i vezëve./Përshtati "Pamfleti", nga “El Pais”

Lini një Përgjigje